Është formuar komisioni që do të shqyrtojë rastin për Vasil Jovanov, Kambovski thotë se do të veprohet me kujdes
Këshilli Gjyqësor në seancën e sotme formoi komision i cili në kuadër të kompetencave të tij duhet të konstatojë nëse ka pasur lëshime në vendimmarrjen e Gjykatës Themelore Penale Shkup në rastin kundër Vasil Jovanov për posedim të narkotikëve. Njëzet vjeçari Jovanov, i cili u arrestua pasi goditi për vdekje me veturë 22-vjeçaren Frosina Kulakova, […]
Këshilli Gjyqësor në seancën e sotme formoi komision i cili në kuadër të kompetencave të tij duhet të konstatojë nëse ka pasur lëshime në vendimmarrjen e Gjykatës Themelore Penale Shkup në rastin kundër Vasil Jovanov për posedim të narkotikëve. Njëzet vjeçari Jovanov, i cili u arrestua pasi goditi për vdekje me veturë 22-vjeçaren Frosina Kulakova, duke vozitur nën efektin e alkoolit dhe ndezur semaforin e kuq, në korrik të vitit të kaluar mori vendim gjyqësor për ta dërguar në institucionin korrektues në Tetovë, për shkak të posedimit dhe shitjes së marihuanës dhe kokainës, transmeton Portalb.mk.
Aktgjykimi është ende i pavlefshëm, sepse lënda është në procedurë ankimore në Gjykatën e Apelit në Shkup, e cila ende nuk ka marrë vendim.
Nëse ka pasur lëshime në procedurën gjyqësore kundër Jovanovit apo jo, do ta shqyrtojë komisioni tre anëtarësh i Këshillit Gjyqësor, i cili, siç u vendos sot, do të përbëhet nga anëtarët e Këshillit – gjyqtarja Danka Ristova, kolegia e saj Antoineta Dimovska dhe anëtarja e Këshillit, Tanja Çaçarova Ilievska.
Komisioni, siç tha kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, pas seancës fillimisht do të duhet ta shqyrtojë rastin dhe pas përfundimit të tij të bëjë raportin e vet.
Në lidhje me veprimin e komisionit, ai tha se koha është paksa e ndjeshme sepse rasti aktualisht është duke u proceduar në Gjykatën e Apelit në Shkup.
“Komisioni duhet të veprojë me kujdes që të mos krijohet presion në Gjykatën e Apelit sepse duhet të vendosin pas atij vendimi të shkallës së parë. Nëse është mirë, do ta konfirmojnë, nëse mendojnë se është gabim, se ka shkelje të caktuara të procedurës, do ta anulojnë ose ndoshta do ta ndryshojnë. Prandaj komisioni duhet të bëjë me kujdes një inspektim dhe pasi të përfundojë të bëjë raportin e vet”, tha Kambovski.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse do të presë vendimin e Apelit apo do të procedohet paralelisht, kryetari i Këshillit Gjyqësor tha se do të procedojë paralelisht dhe, siç ka përsëritur, do të ishte mirë të bënin kujdes që të mos krijonte presion në gjykatën e shkallës së dytë.
“Do të ishte mirë të jemi të kujdesshëm sepse nuk duam që Gjykata e Apelit të ndiejë presion nga ana jonë. Mjafton presioni i bërë tashmë nga opinioni në atë gjykatë”, tha Kambovski.
Gjatë diskutimit të seancës u diskutua se kush duhet të jetë në përbërje të komisionit dhe nëse ndoshta duhen dy komisione sepse lënda është trajtuar në Gjykatën Themelore Penale dhe tani është në Apel.
“Ndoshta kryetari mendon se përveç lëndës nga Gjykata Themelore Penale Shkup, duhet të bëhet inspektim në lëndën edhe në Gjykatën e Apelit në Shkup, sepse nga sa jemi në dijeni nga opinioni, kemi informacione se lënda është në procedurë ankimore. Pra, ndoshta propozimi është që të formohet një grup punues dhe unë e mbështes, duhet t’i japim përgjigje opinionit, i cili në këtë moment është i ndjeshëm, prandaj propozimi im është që përveç koordinatorit për Gjykatën Themelore Penale, të jetë edhe koordinatori për Gjykatën e Apelit Shkup dhe mundësisht një anëtar tjetër, le të paraqitet, unë do ta mbështes. Mirëpo, koordinatorët për të dyja gjykatat duhet të jenë në komision”, tha Vesna Dameva.
Pasi u bë e ditur për opinionin se i dyshuari Jovanov ishte në gjykim për posedim të narkotikëve, i cili përfundoi me masë edukative, Gjykata Penale javën e kaluar e shpalli aktgjykimin edhe pse jo të formës së prerë.
Dje ka reaguar edhe Gjykata, e cila ka thënë se gjyqtarja Daniela Aleksovska-Stojanovska kur ka vendosur për sanksionin është udhëhequr ekskluzivisht në përputhje me dispozitat ligjore, bindjen e lirë gjyqësore dhe praktikën e vendosur gjyqësore, si dhe me pretendimet e prokurorit publik.
Nga aty kanë hedhur poshtë si të pasakta spekulimet se i pandehuri ka qenë i dënuar më parë dhe ndaj tij janë zhvilluar procedura të tjera penale.
“Çështja është nëse do të ishte shqiptuar dënimi me burg, masa e paraburgimit do të kishte mundur të mbijetonte para instancave më të larta gjyqësore, duke marrë parasysh praktikën e mëparshme gjyqësore, rekomandimet e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg dhe kritikat e vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar se masa e paraburgimit nuk guxon të përdoret si dënim. Aq më tepër që edhe kur është hequr masa e paraburgimit, prokurori publik nuk ka bërë ankesë kundër paraburgimit, por vetëm kundër sanksionit penal”, deklaroi dje Gjykata Penale.
Një protestë e re është paralajmëruar për të shtunën në Negotinë, ku do të kërkohet drejtësi për vdekjen e 22-vjeçares Frosina Kulakova.
Në fillim të javës së kaluar në Shkup u mbajtën dy protesta ku studentët dhe qytetarët kërkuan përgjigje për rrethanat që e bënë vajzën e re të humbiste jetën në një mënyrë të tillë.
Ndryshe, Frosina Kulakova ka ndërruar jetë më 29 janar pasi ishte goditur me veturë në një vendkalim për këmbësor nga 20-vjeçari . Prokuroria kishte sqaruar që paraprakisht është bërë kallëzim edhe për një aksident tjetër të ndodhur më 04.11.2022 nga po i njëjti person, pas së cilës një person ka mbetur i lënduar.
Para vendkalimit të këmbësorëve të rregulluar me semaforë që punonin në rregull në momentin e aksidentit, ai ka vazhduar lëvizjen me semafor të kuq të ndezur dhe ka goditur trupin e këmbësores-viktimës Frosina Kulakova me pjesën e përparme të majtë të veturës.