“Eurostat”-i për 2025, Maqedonia ndër vendet me standard më të ulët jetese krahasuar me BE-në
Sipas të dhënave më të fundit të Eurostatit për vitin 2025, dallimet në standardin ekonomik mes vendeve evropiane mbeten të konsiderueshme, ku Maqedonia e Veriut bën pjesë në grupin e vendeve me Produkt të Brendshëm Bruto (PBB) për banor dukshëm më të ulët, transmeton Portalb.mk. PBB-ja për banor, e shprehur në standard të fuqisë blerëse, […]
Sipas të dhënave më të fundit të Eurostatit për vitin 2025, dallimet në standardin ekonomik mes vendeve evropiane mbeten të konsiderueshme, ku Maqedonia e Veriut bën pjesë në grupin e vendeve me Produkt të Brendshëm Bruto (PBB) për banor dukshëm më të ulët, transmeton Portalb.mk.
PBB-ja për banor, e shprehur në standard të fuqisë blerëse, tregon se Maqedonia e veriut arrin rreth 42 përqind të mesatares së Bashkimit Evropian. Kjo e vendos vendin pas shumicës së shteteve anëtare të BE-së, por në nivel të ngjashëm me vendet e tjera kandidate nga rajoni.
Në krye të listës në Bashkimin Evropian janë Luksemburgu dhe Irlanda, që e tejkalojnë ndjeshëm mesataren evropiane. Vlera të larta shënojnë edhe Holanda, Danimarka dhe Austria, ndërsa ndër më të ulëtat renditen Bullgaria dhe Greqia.
Te ekonomitë më të mëdha të BE-së, vetëm Gjermania ka PBB për banor mbi mesatare, Franca është pranë mesatares, ndërsa Italia dhe Spanja janë nën mesatare.
Vendet e Evropës Lindore zakonisht shënojnë vlera më të ulëta të PBB-së për banor, që lidhet me produktivitet më të ulët dhe nivele të ndryshme të punësimit.
Te vendet kandidate, dallimet janë edhe më të dukshme. Përveç Maqedonisë së Veriut, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina kanë PBB për banor dukshëm më të ulët, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi janë më afër mesatares evropiane. Turqia veçohet me rreth 72 pë qind të mesatares së BE-së.
Mesatarja e PBB-së për frymë në BE për vitin 2025 ishte rreth 41.600 euro. Megjithatë, ekonomistët paralajmërojnë se kjo nuk është treguesi i vetëm i cilësisë së jetës. Si masë më e saktë përdoret gjithnjë e më shumë konsumi real individual, i cili pasqyron më mirë standardin e jetesës së përditshme të qytetarëve.
Të dhënat tregojnë se shumica e popullsisë në Evropë jeton në vende me standard ekonomik nën mesatare, çka thekson edhe më tej nevojën për konvergjencë ekonomike.