Federata vendosi që paratë e biletave të ndeshjes Maqedoni – Uells do të dërgohen për familjarët e viktimave në Koçani
Të martën do të luhet ndeshja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Uellsit në kuadër të kualifikimeve për në Botërorin e ardhshëm. Paratë e biletave pritet të dërgohen për familjarët e viktimave të tragjedisë në Koçani, transmeton Portalb.mk. “Si shenjë mbështetjeje dhe solidariteti, dua të paralajmëroj se të ardhurat nga biletat e ndeshjes sonë të ardhshme […]


Të martën do të luhet ndeshja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Uellsit në kuadër të kualifikimeve për në Botërorin e ardhshëm. Paratë e biletave pritet të dërgohen për familjarët e viktimave të tragjedisë në Koçani, transmeton Portalb.mk.
“Si shenjë mbështetjeje dhe solidariteti, dua të paralajmëroj se të ardhurat nga biletat e ndeshjes sonë të ardhshme kundër Uellsit, do të dhurohen për të lënduarit dhe familjarët e ndjerëve. Ky është momenti kur futbolli tregon se është më shumë se lojë – futbolli dhe përfaqësuesja bashkohen dhe ndihmojnë”, deklaroi kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Masar Omeragiç.
Çmimi i biletave është 300 dhe 400 denarë.
Ndeshja do të luhet të martën në Arenën Nacionale “Todor Proeski”, duke filluar prej orës 20:45. Kjo është ndeshja e dytë në kualifikimet për botërorin, ku Maqedonia e Veriut është në një grup me Uelsin, Belgjikën, Kazakistanin dhe Lihtenshtajnin.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçan, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit. Varrimi i tyre është kryer më 20 mars.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
- LEXO: 30 ditë paraburgim për Kreshnik Bekteshin dhe 12 persona për zjarrin në Koçan
- LEXO: Familjarë, miq e bashkëqytetarë iu dhanë lamtumirën e fundit të vdekurve nga zjarri në Koçan
- LEXO: Tragjedi në Koçan: 59 të vdekur dhe mbi 150 të lënduar nga zjarri në një diskotekë, viktimat janë të rinj
- LEXO: Nga gjitha tragjeditë që tronditën RMV-në, zjarri në Koçan është i treti për nga numri i viktimave (Infografik)