FOL: LVV-ja, LDK-ja dhe AAK-Nisma kanë kandidatë që kanë probleme me ligjin
Hulumtuesja e Lëvizjes FOL, Burbuqe Kastrati, tha se nga subjektet politike të certifikuara për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit 2025, janë LVV, Koalicioni AAK – NISMA dhe LDK kanë në listat e tyre kandidatë që kanë probleme me ligjin. Një gjë të tillë, Kastrati e tha të enjten gjatë konferencës për medie ku koalicioni […]
![FOL: LVV-ja, LDK-ja dhe AAK-Nisma kanë kandidatë që kanë probleme me ligjin](https://orainfo.net/wp-content/uploads/2025/02/Ldkvv.jpg)
![](https://orainfo.net/wp-content/uploads/2025/02/Ldkvv-1024x590.jpg)
Hulumtuesja e Lëvizjes FOL, Burbuqe Kastrati, tha se nga subjektet politike të certifikuara për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit 2025, janë LVV, Koalicioni AAK – NISMA dhe LDK kanë në listat e tyre kandidatë që kanë probleme me ligjin.
Një gjë të tillë, Kastrati e tha të enjten gjatë konferencës për medie ku koalicioni i OJQ-ve, IKD, FOL dhe INPO prezantuan raportin “Integriteti i kandidatëve, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë”. Raport ky që paraqet analizën e listave të kandidatëve dhe programeve të subjekteve të licencuara për zgjedhjet e përgjithshme 2025.
Sipas saj, këto tre subjekte politike, së bashku, kanë në listat e tyre në total 23 persona të cilët kanë probleme me ligjin.
Kastrati theksoi se me probleme me ligjin nënkuptohet për personat që kanë aktakuza aktive ose që janë dënuar për vepra penale.
Ajo tha se nga gjithsej 330 kandidatë që kanë paraqitur të tri këto subjekte, i bie që 7% e tyre të kenë probleme me ligjin.
Kastrati tha se subjekti politik, lista e të cilit përmban më së shumti kandidatë për deputetë, të cilët kanë probleme me ligjin, është Lëvizja Vetëvendosje, me 14 kandidatë.
Përderisa, sipas saj, koalicioni AAK dhe Nisma, në listat e tyre kanë përfshirë tetë kandidatë që kanë probleme me ligjin.
Kurse, tha se LDK në listën e saj, ka përfshirë një kandidatë i cili ka probleme me ligjin.
Kastrati: Tetë kandidatë për deputet janë dënuar për vepra penale
Hulumtuesja e Lëvizjes FOL, Burbuqe Kastrati, tha se në listat e subjektet politike të certifikuara për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit 2025, janë 8 kandidatë që kanë qenë të dënuar për vepra të ndryshme penale.
Kastrati tha se nga tetë kandidatët për deputetë që kanë dënime, njëri prej tyre është i dënuar në dy raste, për vepra të ndryshme penale.
Ajo tha se tre prej këtyre deputetëve janë të dënuar për vepra penale të natyrës korruptive, konkretisht për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë.
Kurse tha se për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm janë të dënuar katër kandidatë.
Ndërsa, tha se një kandidat është i dënuar për veprën penale “Sulm ndaj personi zyrtar” dhe “Kanosje”.
Kastrati tha se pjesën më të madhe të këtyre kandidatëve e përbëjnë ata të listës së Lëvizjes Vetëvendosje, shtatë prej tyre.
Përderisa, tha se një kandidatë është në listën e koalicionit AAK – Nisma.
Më tej, Kastrati theksoi se kandidatët e listuar më lartë janë vlerësuar në këtë raport si persona të cilët kanë probleme me ligjin, në kuptimin që ata kanë aktakuza aktive, ose që janë dënuar për vepra penale, duke theksuar se nuk është në kuptimin që atyre iu ndalohet ligjërisht që të jenë pjesë e listave të kandidatëve.
Ajo tha se këto ndalesa përcaktohen saktësisht me Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme. Sipas tij, në këtë ligj, mes disa ndalesave tjera, theksohet se në zgjedhje nuk mund të kandidoj personi i cili është i dënuar në tri vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv.
Mirëpo theksoi se përkundër kësaj, kriminalizimi i politikës në kuptim të mbajtjes së pozitave të rëndësishme shtetërore nga zyrtarë që kanë probleme me ligjin nuk është në linjë me parimet e qeverisjes së mirë.
Kastrati: 16 kandidatë kanë aktakuza aktive
Hulumtuesja e Lëvizjes FOL, Burbuqe Kastrati, tha se në listat e subjektet politike të certifikuara për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit 2025, janë 16 kandidatë që kanë aktakuza aktive.
Një gjë të tillë, Kastrati e tha të enjten gjatë konferencës për medie ku koalicioni i OJQ-ve, IKD, FOL dhe INPO prezantuan raportin “Integriteti i kandidatëve, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë”. Raport ky që paraqet analizën e listave të kandidatëve dhe programeve të subjekteve të licencuara për zgjedhjet e përgjithshme 2025.
Kastrati tha se në mesin e këtyre 16 kandidatëve, tre prej tyre kanë më shumë se një aktakuzë aktive.
Kështu, sipas tij, numri total i aktakuzave aktive ndaj këtyre kandidatëve shkon në 20.
Përderisa, tha se numri total i veprave penale shkon në 21.
Kastrati se veprat penale të cilat u vihen në barrë këtyre kandidatëve, janë të natyrave të ndryshme.
Përveç atyre të natyrës korruptive, si keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, në mesin e veprave penale, Kastrati tha se janë edhe katër lloje tjera të veprave penale.
“Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”, theksoi Kastrati.
Si vepra që paraqitet më së shumti në aktakuzat e ngritura ndaj këtyre kandidatëve, Kastrati tha se është “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, konkretisht në nëntë raste.
Sipas saj, më pas vie vepra penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” në gjashtë raste, pastaj “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” në pesë raste.
Përderisa tha se veprat penale “Pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”, paraqiten në nga një rast.
Kastrati tha se tetë prej këtyre kandidatëve i përkasin subjektit LVV, shtatë koalicionit AAK – NISMA dhe një LDK-së./BetimipërDrejtësi