Forumi Studentor rikthehet në Shkup: Debat për sfidat dhe të ardhmen e arsimit të lartë në Ballkan
Edicioni i dytë i Forumit Studentor do të mbahet më 9 dhe 10 maj në CoWork21 në Shkup nën organizimin e Forumit për Ndryshime në Arsim (FNA). Edhe këtë vit pritet të miratohet rezoluta e studentëve. Studentë dhe pjesëtarë nga shoqëria civile nga e gjithë rajoni do të trajtojnë sfidat e arsimit të lartë, shkruan Portalb.mk. […]


Edicioni i dytë i Forumit Studentor do të mbahet më 9 dhe 10 maj në CoWork21 në Shkup nën organizimin e Forumit për Ndryshime në Arsim (FNA). Edhe këtë vit pritet të miratohet rezoluta e studentëve. Studentë dhe pjesëtarë nga shoqëria civile nga e gjithë rajoni do të trajtojnë sfidat e arsimit të lartë, shkruan Portalb.mk.
Forumi Studentor tashmë është kthyer në një traditë dhe ndër ngjarjet më të rëndësishme për studentët në Maqedoninë e Veriut.
Edicioni i dytë i Forumit Studentor është i ndarë në dy ditë.
Ditën e parë do të ketë tre punëtori që do të realizohen njëkohësisht por në ambiente të ndara dhe për tema të ndryshme.
Dita e dytë është më e ngjeshur, nga debatet me panelistë dhe pjesëmarrësit në forum, deri te disa pjesë teatrale.
“Forumi Studentor është ngjarje e organizuar kryesisht nga studentët dhe për studentët, fokusi jonë është që të mbledhim një numër sa më të madh të studentëve në një vend të vetëm për të shkëmbyer ide të ndryshme, për të debatuar dhe për t’u njoftuar me njëri-tjetrin”, thanë nga Forumi për Ndryshime në Arsim.
Nga kjo organizatë thonë se jo vetëm në Maqedonia e Veriut, por i gjithë rajoni po përballet me zgjim të studentëve nga gjumi dhe protesta studentore.
“Ne synojmë që t’i mbajmë të zgjuar studentët për t’mos ju kthyer gjumit shumëvjeçar pasi ata përballen me jashtëzakonisht shumë sfida, si nga ato praktike (që janë kushtet në universitete, mungesa e laboratorëve, kushtet në konviktet studentore) deri te ato që kanë të bëjnë me cilësinë në arsimin e lartë, ku universitetet tona radhiten në fund të çdo rangliste për matje të cilësisë në arsim, korrupsioni, nepotizmi, plagjiatura dhe çdo formë tjetër e shkatërrimit të cilësisë në arsim, por sidomos të cilësisë në arsimin e lartë”, thanë nga Forumi për Ndryshime në Arsim.
Forumi i këtij viti realizohet nën sloganin “Çohu. Ngrihu. Për të drejtat tona. Për njëri-tjetrin. Për të ardhmen që meritojmë”.
Më tepër detaje rreth organizimit gjeni KËTU.
Kujtojmë që edicioni i parë i Forumit Studentor u mbajt në mars 2024 nën organizimin e Forumit për Ndryshime në Arsim. Në këtë forum u krijua Trupi Kombëtar Studentor, u miratua Karta e të Drejtave të Studentëve dhe Rezoluta e Studentëve.