Rasti Koçani, sot do të kthehen në vend pesë pacientë që trajtoheshin në Serbi
Sot kthehen edhe pesë pacientë nga rasti i Koçanit, të cilët trajtoheshin në Serbi, ndërsa jashtë vendit mbeten të hospitalizuar 33 pacientë, transmeton Portalb.mk. Ministria e Shëndetësisë njofton se sot edhe pesë pacientë nga të lënduarit në tragjedinë në Koçan kthehen nga trajtimi në Serbi. Sipas protokollit, tre prej tyre do të jenë nën vëzhgim […]


Sot kthehen edhe pesë pacientë nga rasti i Koçanit, të cilët trajtoheshin në Serbi, ndërsa jashtë vendit mbeten të hospitalizuar 33 pacientë, transmeton Portalb.mk.
Ministria e Shëndetësisë njofton se sot edhe pesë pacientë nga të lënduarit në tragjedinë në Koçan kthehen nga trajtimi në Serbi. Sipas protokollit, tre prej tyre do të jenë nën vëzhgim në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, një pacient në Klinikën Kirurgjikale “Shën Naum i Ohrit” dhe një pacient, me kërkesë personale, do të vazhdojë trajtimin në klinikën private “Zhan Mitrev”.
Aktualisht në vend po trajtohen gjithsej tre pacientë, prej të cilëve një në Klinikën Kirurgjikale “Shën Naum i Ohrit” dhe dy në spitalin privat Sistina.
Gjatë ditës së nesërme është paralajmëruar kthimi i një pacienti nga Belgjika, i cili do të jetë nën vëzhgim në Klinikën e Kirurgjisë Plastike.
“Ministria e Shëndetësisë vazhdimisht e ndjek gjendjen e pacientëve të lënduar, me qëllim të sigurimit të trajtimit më të mirë të mundshëm si dhe rehabilitimit të mëtejmë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 68 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim. Midis tyre është edhe zyrtari i BDI-së, Kreshnik Bekteshi.