Fuqia blerëse: Kur shifrat nuk përputhen me realitetin

Statistika thonë një gjë, kuleta një gjë tjetër. Përderisa Qeveria pretendon se inflacioni është stabilizuar dhe se nuk ka nevojë për masa të reja për çmimet, opozita dhe sindikatat paralajmërojnë se jeta e përditshme e qytetarëve po bëhet ...

gusht 9, 2026 - 16:00
Fuqia blerëse: Kur shifrat nuk përputhen me realitetin

Statistika thonë një gjë, kuleta një gjë tjetër. Përderisa Qeveria pretendon se inflacioni është stabilizuar dhe se nuk ka nevojë për masa të reja për çmimet, opozita dhe sindikatat paralajmërojnë se jeta e përditshme e qytetarëve po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë. Në qendër të debatit këto ditë u gjendën të dhënat e Eurostat për fuqinë blerëse, të cilat Qeveria i theksoi si dëshmi për progres përkundër pretendimeve se rritja e çmimeve po vazhdon ta gërryejë standardin jetësor, transmeton Portalb.mk nga Dojçe vele.

Zëvendësministri i ekonomisë dhe punës, Marjan Risteski, është i mendimit se inflacioni dhe çmimet për momentin janë nën kontroll dhe se për momentin nuk ka nevojë për vendosjen e masave të reja.

Të dhënat e fundit zyrtare nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se në korrik të vitit 2026 inflacioni në nivel mujor ka qenë 0,1 për qind, gjë që, sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, konfirmon se lëvizjet e çmimeve mbeten stabile dhe se nuk ka tronditje evidente në treg.

„Për momentin, indikatorët zyrtarë nuk flasin për nevojën për vendosjen e masave të reja intervente, sepse lëvizjet e çmimeve janë stabile, ndërsa te kategoria më e rëndësishme, ushqimi, tashmë muajin e dytë me radhë po shënohet ulje e çmimeve“, thonë nga Ministria.

Çmimet janë stabile – nuk ka nevojë për vendosjen e masave të reja intervente

Por, nga atje theksojnë se Qeveria mbetet tërësisht e përkushtuar në mbrojtjen e standardit jetësor dhe fuqisë blerëse të qytetarëve. “Nëse ka tronditje të reja të pajustifikuara të çmimeve apo çregullime në treg ne do të reagojmë me kohë dhe do t’i shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat që i kemi në dispozicion për të siguruar kushte të drejta në treg dhe mbrojtje të konsumatorëve“, thanë nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës.

Sipas Ministrisë jashtëzakonisht e rëndësishme është që edhe gjatë muajit korrik vazhdon trendi i uljes së çmimeve të ushqimit dhe pijeve joalkoolike, të cilat janë më të ulëta për 1,1 për qind në krahasim me muajin e kaluar.

“Ky është korrigjimi i dytë i njëpasnjëshëm mujor te kjo kategori dhe paraqet sinjal pozitiv, duke pasur parasysh se pikërisht ushqimi ka ndikimin më të madh mbi buxhetin familjar dhe standardin jetësor të qytetarëve. Rritja e shpenzimeve për jetesë në muajin korrik kryesisht është si pasojë e lëvizjeve sezonale, para se gjithash te transporti, ku është regjistruar rritje prej 4,4 përqind, si dhe te rekreacioni, sporti dhe kultura, të cilat tradicionalisht shënojnë konsum më të lartë në periudhën e verës“, thonë nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës.

Nga atje shtojnë se në nivel vjetor inflacioni është 2,3 përqind, ndërsa çmimet me pakicë janë më të larta për 1,8 përqind në krahasim me muajin korrik të vitit të kaluar. Sipas Ministrisë bëhet fjalë për një nivel dukshëm më të moderuar të inflacionit në krahasim me periudhat kur shteti përballej me presione të fuqishme të çmimeve të shkaktuara nga kriza globale energjetike dhe e çmimeve.

Çfarë tregojnë të dhënat e Eurostat?

Kryeministri Hristijan Mickoski duke iu përgjigjur kritikave të opozitës këto ditë iu referua të dhënave më të reja të Eurostat dhe deklaroi se fuqia blerëse në Maqedoninë e Veriut është më e mirë se ajo në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe se të gjitha vendet e rajonit.

“Maqedonia nuk është më e dobëta, por është shumë më e mirë se disa vende të BE-së dhe se të gjitha vendet e rajonit kur bëhet fjalë për fuqinë blerëse të qytetarëve. Nëse kjo krahasohet me shifrat nga para tri apo katër vitesh, mund të vihet re një progres i dukshëm“, deklaroi Mickoski.

Vlerësim të ngjashëm dha edhe guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, i cili theksoi se sipas të dhënave më të reja të Eurostat, vlera e pagës minimale bruto në Maqedoninë e Veriut, e matur sipas fuqisë blerëse, është më e lartë se në shtatë vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Sipas Eurostat Maqedonia e Veriut me 1.142 njësi të paritetit të fuqisë blerëse renditet para Maltës, Sllovakisë, Hungarisë dhe Çekisë. Gjithashtu, vendi ka regjistruar rritjen më të madhe të pagës minimale midis shteteve të analizuara në gjysmën e parë të vitit 2026, me një rritje prej 6,9 përqind.

LSM: Maqedonia vazhdon të jetë në fund të Evropës sipas pagës minimale

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), nga ana tjetër, paralajmëron se të dhënat për fuqinë blerëse nuk duhet ta eklipsojnë faktin se vendi vazhdon të jetë ndër shtetet me pagën minimale më të ulët në Evropë.

Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov, në një deklaratë për DW thotë se të dhënat e reja krahasuese evropiane për korrikun e vitit 2026 edhe një herë e konfirmojnë atë çka sindikata e ka theksuar vëmendjen prej viteve.

“Maqedonia vazhdon të jetë në fund të Evropës sipas lartësisë së pagës minimale. Të dhënat e reja krahasuese evropiane për korrikun e vitit 2026 edhe një herë e konfirmojnë atë që e thotë LSM, e kjo është se punëtorët në Maqedoni janë ndër më së pak të paguarit në Evropë“, thotë Trendafillov.

Ai thekson se sipas lartësisë së pagës minimale bruto Maqedonia e Veriut me 624 euro, përkatësisht rreth 421 euro neto, gjendet pothuajse në vetë fundin e listës evropiane. “Për krahasim paga minimale është 743 euro në Serbi, 670 euro në Malin e Zi, 1.050 euro në Kroaci, 1.482 euro në Slloveni, ndërsa 2.771 euro në Luksemburg“, thekson kryetari i LSM-së.

Fuqia blerëse nuk do të thotë se punëtorët jetojnë më mirë

Trendafillov vlerëson se të dhënat për fuqinë blerëse nuk duhet të shfrytëzohen si argument se punëtorët jetojnë më mirë. “Edhe pse sipas përllogaritjeve për fuqinë blerëse Maqedonia ka një vlerë prej 1.142, që e vendos diçka më lart në listë, kjo nuk duhet të jetë arsye për kënaqësi, sepse nuk ka punëtor që do të thotë se me pagën minimale në Maqedoni jetohet më mirë se në vendet e tjera evropiane“, thekson ai.

Si argument ai i përmend edhe të dhënat për Shportën minimale sindikale. “Vlera e shportës për muajin korrik është 68.498 denarë, ndërsa paga minimale neto është 26.046 denarë. Kjo do të thotë se paga minimale mbulon vetëm 38,02 përqind të vlerës së shportës dhe se për mbulimin e saj nevojiten 2,63 paga minimale. Pjesëmarrjen më të madhe e kanë shpenzimet për ushqim dhe pije, të cilat kapin shifrën prej 25.012 denarësh“, thekson Trendafillov.

Sipas tij fuqia blerëse paraqet një indikator statistikor që krahason vlerën e pagave në lidhje me çmimet, por nuk e ndryshon realitetin me të cilin përballen çdo ditë punëtorët. “Fuqia blerëse nuk do të thotë se punëtorët jetojnë më mirë, por vetëm e krahason vlerën e pagave në lidhje me çmimet. Realiteti është se punëtorët e Maqedonisë vazhdojnë të marrin një nga pagat minimale më të ulëta në Evropë, ndërsa çdo ditë përballen me shpenzime të larta për ushqim, banim, energji dhe nevoja të tjera bazë për jetesë“, thotë kryetari i LSM-së.

Ai shton se shqetëson edhe fakti që shumë produkte dhe shërbime nuk janë liruar edhe përkundër uljes së çmimeve të një pjese të energjensëve dhe karburanteve. “Kjo do të thotë se barra nga krizat përsëri bie mbi kurrizin e punëtorëve“, vlerëson Trendafillov.

Nga LSM përsëri apelojnë për rritje të vazhdueshme të pagës minimale dhe të pagave të tjera.

“Përderisa Evropa i rrit pagat minimale Maqedonia nuk duhet të mbetet vend i fuqisë së lirë punëtore. Punëtorët krijojnë vlerë dhe meritojnë pagë me të cilën do të jetojnë me dinjitet, e jo vetëm të mbijetojnë“, porositi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.

Standardi jetësor është në rënie

Edhe partia opozitare “E Majta” vlerëson se deklaratat e Qeverisë nuk përputhen me realitetin që qytetarët e ndiejnë çdo ditë. “Është shqetësuese deklarata e zëvendësministrit të ekonomisë, Marjan Risteski, se nuk ka nevojë për korrigjim të çmimeve në markete dhe për ndërhyrje më të fuqishme të shtetit“, thonë nga “E Majta”.

Nga partia pyesin se kur ka qenë hera e fundit që një funksionar qeveritar ka ka qenë në market për t’u bindur personalisht për rritjen e çmimeve dhe pretendojnë se institucionet nuk po e kryejnë në mënyrë efikase rolin e tyre rregullator. Nga “E Majta” përkujtojnë se shporta sindikale e konsumit është rritur nga 72.538 denarë në vitin 2024 në 84.024 denarë në vitin 2026, gjë që paraqet një rritje prej pothuajse 12.000 denarë për dy vjet.

Sipas partisë, më shumë se 72 përqind e punonjësve marrin pagë më të ulët se mesatarja, përderisa rritja e shpenzimeve të jetesës e ul fuqinë blerëse të qytetarëve.

Nga partia opozitare LSDM vlerësojnë se Qeveria po i interpreton gabimisht të dhënat e Eurostat dhe se gjendja në terren tregon një pasqyrë tjetër. Nga partia theksojnë se punëtori me pagë minimale në Maqedoninë e Veriut mund të blejë dukshëm më pak naftë se sa punëtori në Slloveni, Kroaci apo Malin e Zi.

“Kjo nuk është fuqi blerëse. Kjo është varfëri. Qytetarët e shohin të vërtetën në pompat e benzinës dhe në dyqan. Nuk mundet statistika ta bindë qytetarin se po jeton më mirë nga ajo që realisht po jeton“, reagojnë nga LSDM.

Nga atje paralajmërojnë edhe për shtrenjtime të mundshme të reja të energjensëve dhe thonë se siguritë qeveritare për stabilitet nuk janë të mjaftueshme për t’i qetësuar qytetarët.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.