Gashi: Gjithnjë e më shumë ndjehet nevoja për lista të hapura në modelin zgjedhor
-Ndjehet gjithnjë e më shumë nevoja për lista të hapura në modelin zgjedhor. Tani ka argumente edhe “pro” edhe “kundër”. Unë jam një nga përkrahësit se duhet t’i hapim listat. Dhe qytetarët, përveç partisë që do ta përgatisë listën, mendoj se duhet të kenë të drejtë të zgjedhin deputetin e tyre të preferuar, këtë e […]
-Ndjehet gjithnjë e më shumë nevoja për lista të hapura në modelin zgjedhor. Tani ka argumente edhe “pro” edhe “kundër”. Unë jam një nga përkrahësit se duhet t’i hapim listat. Dhe qytetarët, përveç partisë që do ta përgatisë listën, mendoj se duhet të kenë të drejtë të zgjedhin deputetin e tyre të preferuar, këtë e theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në debatin e sotëm “Zëri i qytetarëve në Kuvend: Debat kombëtar për rolin e Kuvendit në procesin e anëtarësimit në BE”, organizuar nga Instituti për Politikë Evropiane (EPI), përcjell TV21.
“Mendoj se kështu do të rritet demokracia dhe dinjiteti i deputetit. Atëherë deputeti që ka qenë i 10-ti apo i 20-ti në listë, e që bëhet deputet, nuk është vetëm falë liderit, por ai vjen në Kuvend me votat e popullit dhe atëherë përgjegjësia e tij nuk lidhet vetëm me liderin dhe partinë, por edhe me qytetarët. Ky segment është vërtet shumë i rëndësishëm, duhet ta diskutojmë, jo se nuk po e diskutojmë. Duhet të jemi të guximshëm. Tashmë ka një grup pune që po punon për modelin zgjedhor. Ftoj që të arrijmë në ditën kur do t’i hapim listat. Dinjiteti i një deputeti mund të mbrohet nga dy anë. Së pari, është si reagon publiku ndaj tij dhe sa ai përgjigjet dhe punon për dinjitetin e vet. Pra, është një rrugë e dyanshme dhe duhet t’i sqarojmë të dy komponentët. Mendoj se nuk qëndrojmë mjaft mirë në të dy drejtimet” , tha Gashi.
Sipas Gordan Georgiev, ish-deputet dhe kryetar i Forumit për Politika të Arsyeshme, modeli zgjedhor është kufizues për ndërtimin e deputetëve të pavarur ose relativisht të pavarur, sepse, siç tha, kur vendoseni në një listë deputetësh, supozohet se do të ndiqni drejtimin e partisë, grupit parlamentar dhe koalicionit.
“Sistemi zgjedhor kufizon sepse ju kushtëzon, ju vendos në një pozitë ku duhet ose pritet nga ju të dëgjoni partinë, ndryshe nga ndonjë sistem tjetër ku ndoshta më lehtë mund të thoni “jo”, në situata kur vërtet duhet thënë jo, ose të ndikoni. Por ky sistem zgjedhor, ku partia i rendit kandidatët dhe ju mund të mos e pëlqeni të shtatin, por ta pëlqeni të nëntin, detyroheni të votoni për partinë. Këtu më i rëndësishëm është integriteti personal i deputetit sesa mënyra se si partia ju ka nominuar. Nëse silleni shumë individualisht, rrezikoni të mos zgjidheni, pra të mos jeni në listë në zgjedhjet e ardhshme. Kështu që ai balanc është shumë, shumë i rëndësishëm”, theksoi Georgiev.