Gashi takoi homologun e tij kroat, u shpreh mbështetje e fortë për integrimin evropian të RMV-së
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, realizoi takim me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, i cili ndodhet për vizitë zyrtare dyditore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk. Pas ceremonisë së pritjes solemne me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake, të dy kryetarët patën takim […]


Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, realizoi takim me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, i cili ndodhet për vizitë zyrtare dyditore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
Pas ceremonisë së pritjes solemne me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake, të dy kryetarët patën takim të shkurtër tet-a-tet, më pas ishte takimi zyrtar, ku morën pjesë edhe nënkryetari i Kuvendit, Antonijo Milloshoski, kryetarja e Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Kroacisë, Bllagica Llasovska, deputeti Rijad Shaqiri dhe sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska.
Kryetari Gashi, duke i uruar mirëseardhjen e ngrohtë kolegut të tij Jandrokoviq, theksoi se vizita është tregues i marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve, të cilat tashmë janë aleate të NATO-s, dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme që Republika e Kroacisë ia jep perspektivës evropiane të vendit tonë.
Kryetari i Kuvendit të Kroacisë iu referua marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit të suksesshëm në shumë fusha me interes të përbashkët, duke theksuar se gjithmonë ka hapësirë për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar.
Ai e përsëriti mbështetjen e tij të fortë për integrimin tonë evropian, kujtoi se gjatë Kryesimit të Parë të Kroacisë me Bashkimin Evropian, u miratua vendimi për hapjen e negociatave me vendin tonë dhe shpreson se ato do të fillojnë së shpejti edhe për klasterët.
Në takim u ndanë përvojat për rrugën e Kroacisë drejt Bashkimit Evropian, si dhe u shkëmbyen mendime për zhvillimet aktuale në skenën ndërkombëtare.
Të dy bashkëbiseduesit shpresojnë se kjo vizitë do të kontribuojë për dinamikë më të madhe dhe do të inkurajojë forma të tjera të bashkëpunimit parlamentar.
Në fund, Kryetari Jandrokoviq i bëri ftesë Kryetarit Gashi për të vizituar Republikën e Kroacisë, të cilën ai e pranoi me kënaqësi.