Gjykata Kushtetuese e RMV-së do të diskutojë javën e ardhme për Ligjin e gjuhëve, hedh poshtë dirigjimin politik
Gjyqtarët nga Komisioni i Venecias, profesorë dhe ekspertë vendas, të enjten e ardhshme do të japin mendimin e tyre për çështjet e kontestuara juridike të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Seanca përgatitore do të mbahet më 20 mars në Gjykatën Kushtetuese. Gjyqtari holandez, Martin Kujer, i cili është edhe nënkryetar i Komisionit të Venecias, do […]


Gjyqtarët nga Komisioni i Venecias, profesorë dhe ekspertë vendas, të enjten e ardhshme do të japin mendimin e tyre për çështjet e kontestuara juridike të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Seanca përgatitore do të mbahet më 20 mars në Gjykatën Kushtetuese. Gjyqtari holandez, Martin Kujer, i cili është edhe nënkryetar i Komisionit të Venecias, do të shpjegojë këshillën miqësore që gjykata kërkoi prej tyre dhe që duhet të miratohet nga komisioni, transmeton Portalb.mk.
Gjyqtari nga gjykata për të drejtat e njeriut, Arthur Kuch, nga ana tjetër, do të shpjegojë praktikën e kësaj gjykate në raste të ngjashme. Nga ekspertët vendorë, interpretimin e tyre do ta japin ish-gjyqtarja në këtë gjykatë, Margarita Caca Nikollovska, anëtarja e Komisionit të Venecias, Renata Deskoska, profesorët Borçe Davitkovski, Jeton Shasivari, Gordana Lazetiq, Mersel Bilalli, Denis Preshova, Mersim Maksuti, Merit Nuxhia, Nuret Bajramit dhe gjyqtarët Zhaklina Doveden dhe Ivan Xholev.
Të pranishëm do të jenë edhe iniciatorët e nismës, ndërsa Tanja Karakamisheva do të jetë e pranishme online. Në seancë do të diskutohet vetëm për të drejtën materiale, pasi tashmë është mbajtur seanca për pjesën formale. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese nuk i bëri të ditur gjashtë çështjet e kontestuara, por thotë se do të interpretohet amendamenti 5 i Kushtetutës. Për të është e rëndësishme të dëgjohen të gjitha mendimet dhe gjykata të marrë një vendim korrekt dhe të bazuar në kushtetutë.
BDI-ja ka dërguar një deklaratë në të cilën ritheksojnë se debati për Ligjin për Gjuhët do të çojë në krizë politike dhe institucionale.
“Përpjekjet për të vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e këtij ligji nuk janë asgjë tjetër veçse një sulm ndaj vetë themeleve të bashkëjetesës dhe orientimit euro-atlantik të vendit. BDI e konsideron këtë ndërhyrje të dirigjuar politikisht një akt regresiv, që nuk synon as drejtësi dhe as rregull institucional, por krijimin e tensioneve dhe hapjen e plagëve të së kaluarës”.
, thonë nga BDI.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese pyeti se sa kohë duhet të mbahen në sirtar këto nisma edhe pse ekziston gjykata në atë rast? Ai pohon se gjyqtarët do të diskutojnë për këtë çështje dhe pret që kjo të ndodhë më së voni deri në maj ose qershor. Pas seancës përgatitore, gjyqtari raportues duhet të përgatisë një raport të ri me mendimet nga të dyja seancat dhe të caktojë seancën.
Lënda e Ligjit për Gjuhët u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua këtë vjeshtë, pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.
Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.