Ilire Dauti dha dorëheqje nga funksioni i kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Afrim Gashi e konstatoi ndërprerjen e funksionit të saj

Deputetja Ilire Dauti ka dorëzuar sot në Kuvend dorëheqjen e saj nga funksioni i kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. Ky veprim i saj vjen pasi të premten ndaj saj u votua interpelancë në Kuvend, transmeton Portalb.mk. Tensione në Kuvend dhe bllokim i foltores Kreu i Kuvendit Afrim Gashi fillimisht nuk lejoi […]

Jan 16, 2025 - 14:00
 0  3
Ilire Dauti dha dorëheqje nga funksioni i kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Afrim Gashi e konstatoi ndërprerjen e funksionit të saj
Ilire Dauti. Foto: Printscreen nga kanali i Kuvendit të RMV-së

Deputetja Ilire Dauti ka dorëzuar sot në Kuvend dorëheqjen e saj nga funksioni i kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. Ky veprim i saj vjen pasi të premten ndaj saj u votua interpelancë në Kuvend, transmeton Portalb.mk.

Tensione në Kuvend dhe bllokim i foltores

Kreu i Kuvendit Afrim Gashi fillimisht nuk lejoi që deputetja të japë arsyetimin, megjithatë deputetët e Frontit Evropian e bllokuan foltoren.

Dauti kërkoi t’i jepeshin 15 minuta për të shpjeguar dorëheqjen e saj.

“Mësoni të respektoni rregullat, ligjet dhe procedurat. Pa dyshim zëri im do të dëgjohet sot dhe shpjegimi im për veprën e keqe që keni bërë. Turp për ju! Kërkuat shkarkimin tim dhe ai shkarkim sapo ndodhi. Prandaj dua të shfrytëzoj të drejtën time dhe ta arsyetoj”, tha Dauti.

Më pas ajo shpjegoi arsyet për dorëheqjen e saj nga funksioni i kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini.

Dauti theksoi se shkarkimi ka ndodhur që ditën e shtunë, siç tha kur ndodhi akti makabër mbi demokracinë dhe të drejtën e shprehjes së mendimit ndryshe përmes mekanizmave demokratik që mundëson rregullorja e Kuvendit të cilat mekanizma ajo si Kryetare e Komisionit i ka shfrytëzuar.

“Nëse Kryetarja e Komisionit do vazhdoj të mbajë detyrën ajo është e vënë tashmë nën diktat, censurë dhe nën kushte të pabarabarta krahasuar me kryetarët tjerë të komisionit, pra nënkupton veprim nën kushte të përcaktuara jashtë rregullave që përcakton Rregullorja e që nënkupton drejtim, drejt shkeljeve të vërteta që mund të bëhen në vazhdim e që ju shumë do kishi dashur të ndodhin”, tha Dauti. 

Ajo mes tjerash shtoi se e vetmja mënyrë për të vazhduar ajo në atë pozicion është që të mblidhet Plenumi dhe me marrëveshje politike ashtu siç e miratuan atë konkluzion të votojnë shfuqizimin e Konkluzionit dhe të miratojnë besimin për udhëheqjen me Komisionin.

“Unë si deputete dhe udhëheqëse e atij Komisioni kam qenë korrekte me fjalën dhe sjelljen time duke mos thënë që jam kundër që Forcat e sigurisë të mos kenë përkujdesje nga shteti por kam kërkuar që të përfshihen edhe ushtarët e UÇK së dëshmorët dhe familjet e tyre ashtu siç parasheh ligji propozuar për forcat e sigurisë, dhe këtë duke shfrytëzuar nenin 9 të kushtetutës që siguron barazi. Pra shfrytëzova të drejtën time që ma mundëson Kushtetuta dhe Rregullorja dhe ligji nuk u gjet në 24 orët e para në rend dite”, tha Dauti. 

Pas kësaj, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi konstatoi dorëheqjen e saj.

“Konstatoj se deputetes Ilire Dauti i ndërpritet funksioni kryetare e komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini“, tha Gashi.

Paraprakisht grupi parlamentar i partisë “E Majta”, të cilët dorëzuan interpelancën për kryetaren e Komisionit Parlamentar për Politikë Sociale, Ilire Dauti, tha se nëse ajo nuk jep dorëheqje do të dorëzojnë propozim për shkarkimin e saj në Komisionin për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve.

Interpelanca ndaj Dautit 

Me 10 janar 2025, me 61 vota ‘për’, 22 ‘kundër’ dhe asnjë ‘të përmbajtur’, deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut përkrahën interpelancën e partisë ‘E Majta’ për shkarkimin e deputetes së Frontit Evropian Ilire Dauti nga detyra e kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. Por, nga Kuvendi sqaruan se ky votim nuk nënkupton shkarkimin e Dautit nga ky funksion.

Si erdhi deri te interpelanca ndaj deputetes Dauti? 

Kryetarja e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, deputetja Ilire Dauti u akuzua nga E Majta se ka bllokuar Ligjin për ‘Branitellat’. 

Deputetja Ilire Dauti pati paralajmëruar se nuk do ta vendosë në rend dite Ligjin për ‘Branitellat’ nëse luftëtarët e UÇK-së nuk trajtohen në mënyrë të njëjtë.

Çfarë përmban ligji?

Ligji i ‘Branitellave’ përcakton statusin dhe të drejtat për pjesëtarët e forcave të sigurisë maqedonase të cilat morën pjesë në konfliktin e armatosur në vitin 2001 

Debati për këtë ligj është ngritur mbi atë se të drejtat që u takojnë ‘branitellave’ nuk u takojnë ushtarëve të UÇK-së. 

Ndryshe, interpelanca ndaj deputetes Ilire Dauti ka shkaktuar debat të madh te partitë politike në vend.