Gjykatësit e RMV-së mbeten të ‘paprekshëm’ edhe kur kapen në korrupsion, në dhjetë vite, vetëm 22 janë shkarkuar

Edhe pse ekziston mundësia për t’u ankuar për punë joprofesionale të një gjykatësi në Maqedoninë e Veriut, të dhënat që i siguroi Portalb.mk tregojnë se Këshilli Gjyqësor ngurron të ndërmerr masa kundër kolegëve të tyre. Për rreth 900 gjykatës ka pasur ankesa në 10 vitet e fundit, por vetëm 22 janë shkarkuar. Ekspertët dhe ndërkombëtarët […]

tetor 26, 2024 - 10:01
 0  8
Gjykatësit e RMV-së mbeten të ‘paprekshëm’ edhe kur kapen në korrupsion, në dhjetë vite, vetëm 22 janë shkarkuar
Foto ilustrim, e edituar nga Portalb.mk

Edhe pse ekziston mundësia për t’u ankuar për punë joprofesionale të një gjykatësi në Maqedoninë e Veriut, të dhënat që i siguroi Portalb.mk tregojnë se Këshilli Gjyqësor ngurron të ndërmerr masa kundër kolegëve të tyre. Për rreth 900 gjykatës ka pasur ankesa në 10 vitet e fundit, por vetëm 22 janë shkarkuar. Ekspertët dhe ndërkombëtarët kërkojnë reforma të menjëhershme, shkruan Portalb.mk.

Gjykatësit e vendit edhe pse shkarkohen për veprime të paligjshme, nga gjykatat përkatëse dënohen pak ose aspak.

Pjesa më e madhe e gjykatësve të kapur me ‘gishtat me mjaltë’ për veprimet e paligjshme nuk janë dënuar më shumë se 1 vjet burg.

Në dhjetë vitet e fundit, dënimi më i lartë me 3 vjet burg i është shqiptuar ish-gjykatësit suprem Naqe Georgiev.

 

Numri i gjykatësve të shkarkuar, Burimi: Këshilli Gjyqësor
Numri i gjykatësve të shkarkuar, Burimi: Këshilli Gjyqësor

Pandëshkueshmëri ka edhe në mesin e prokurorëve

Tre vitet e fundit janë konstatuar shkelje profesionale nga 12 prokurorë publik, gjashtë prej tyre janë shkarkuar, pesë janë gjobitur ndërsa njëri ka rezultuar pa faj.

Kur jemi te dënimet e ulëta, rikujtojmë që gjatë verës ish-anëtari i Këshillit të Prokurorëve Publik, Ixhet Memeti, përkundër që pranoi se ka marrë ryshfet, u dënua me një vit dënim me kusht.

Ka pasur akuza për shkarkime të prokurorëve “me porosi” nga politikanë.

“Mendoj se është porositur nga disa struktura të politikës, dikujt nuk i ka pëlqyer, dikush është ndjerë i ofenduar.” kishte deklaruar ish-prokuroria e Tetovës, Lejla Kadriu e cila u shkarkua nga detyra në vitin 2022.

Politika ndikon që të mos ndëshkohen gjykatësit e korruptuar

Naser Raufi, avokat për Portalb thotë se kjo vjen nga mos-funksionimi i institucioneve.

Naser Raufi, foto: Fejsbuk.
Naser Raufi, foto: Fejsbuk.

“Për 10 vjet ky numër i gjykatësve të shkarkuar është tejet i vogël.. duhej të ishte shumë më i madh po të funksiononte ashtu siç duhet Këshilli Gjyqësor” tha avokati Raufi.

Ai shtoi se gjykatësit e korruptuar janë nën mbrojtjen e partive politike, përmes anëtarëve të Këshillit Gjyqësor.

“Ne të gjithë i dimë rezultatet e gjyqësorit në vitet e fundit, andaj ky numër i gjykatësve të shkarkuar është shumë i vogël. Mendoj që edhe gjykatësit edhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor vijnë nga partitë politike, kështu e mbrojnë njëri-tjetrin” shtoi Raufi.

Si zgjidhje të problemit, kryeministri i vendit, Hristijan Mickovski ka propozuar publikisht idenë e shpërbërjes të tërësishme të Këshillit Gjyqësor. Raufi megjithatë nuk pajtohet me këtë.

“Jo, Këshilli Gjyqësor duhet të ekzistojë patjetër, por duhet të reformohet. Anëtarë të këtij institucioni duhet të jenë njerëz dhe jurist të dëshmuar në punën e tyre, të mos jenë të ndikuar politikisht, aq më pak të mos jenë të deleguar nga partitë” tha Raufi.

Bashkimi Evropian bën thirrje që të ndryshohet forma e shkarkimit të gjykatësve

Mihail Rokas, euroambasadori i ri në Maqedoninë e Veriut në intervistën e tij të parë në vend potencoi rëndësinë e sjelljes së Ligjit për Këshillin Gjyqësor, përmendi reformat në mënyrën e zgjedhjes dhe shkarkimit të gjykatësve.

“Tani, prioritet duhet të jetë Ligji për Këshillin Gjyqësor, që është një reformë shumë e rëndësishme në aspekt të mënyrës se si është formuar, si zgjedhen dhe si shkarkohen gjykatësit.” kishte deklaruar euroambasdaori Mihail Rokas, më 13 tetor për MIA.

David Geer
David Geer, ambasador i BE-së

Bashkimi Evropian poashtu është kundër paralajmërimit të Qeverisë për shpërndarjen e tërësishme të Këshillit Gjyqësor dhe atij të Prokurorëve. Ish-Ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer ka porositur qeverinë se shpërndarja, do të nënkuptonte përzierje e pushtetit ekzekutiv në atë gjyqësor. Ish-Ambasadori rekomandoi që të mos ndërmerren hapa të tillë pasi që nuk janë dëshmuar si efektive.

“Përforcimi i sundimit të ligjit nuk duhet që të ndërmerret në mënyrë që do t’i shkelë parimet e ndarjes së pushteteve. Për shembull, shkarkimi i Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publik, thënë hapur, do të paraqiste përzierje në pavarësinë e gjyqësorit dhe me këtë edhe shqetësim serioz”, kishte deklaruar David Geer, ish-ambasadori i BE-së në Shkup.

Përpos kësaj, në raportin e fundit të Komisionit Evropian rëndësi e veçantë i kushtohet nevojës për reforma në gjyqësor. Aty thuhet se vendi s’ka asnjë përparim në këtë fushë ndërsa shumë gjykatës kanë mundësuar vjetërsimin e lëndëve gjyqësore.

Pak gjykatës, shumë korrupsion, vetingu i nevojshëm por vështirë i realizueshëm

Në pesë vitet e fundit numri i gjykatësve në Maqedoninë e Veriut është zvogëluar për një të katërtën përkundër që numri i lëndëve është rritur, thuhet në hulumtimin e fundit të organizatës “Të gjithë për gjykime të drejta”.

Për shembull, në vitin 2020 në vend ka pasur gjithsej 494 gjykatës, aktualisht ka vetëm 369 apo 125 më pak. Numri i lëndëve ndërkaq është rritur për 40 për qind, nga 118,004 në mars të vitit 2020161,277 në të njëjtin muaj, këtë vit.

Kjo është një ndër arsyet pse në këtë moment do të ishte i pamundur implementimi i vetingut në gjyqësor, përpos arsyeve tjera që janë evidente – siç është për shembull mungesa e vullnetit të zyrtarëve që ta bëjnë këtë.

Avokati Naser Raufi thotë se në këtë drejtim duhet të veprohet me kujdes.

“Patjetër duhet të ketë veting, por në këtë moment nuk ka shumë gjykatës dhe prokurorë andaj nuk mendoj që aktualisht ka kushte. Praktikisht, kjo do të çonte në bllokim të gjithë punës së gjyqësorit” tha Raufi për Portalb.

Megjithatë, rikujtojmë që në rajon vetingu në gjyqësor ka sjellë rezultate të shkëlqyera, siç është rasti me Shqipërinë. Vetingu në këtë vend nisi në korrik të vitit 2016  me Ligjin për Rivaluimin, përmes të cilit kontrolli përfshinte tre aspekte të vlerësimit: aftësinë profesionale, kontrollin e gjendjes pasurore (të të gjithë personave që i nënshtrohen procesit, si dhe të të afërmve të tyre dhe atë për pronat e fituara brenda dhe jashtë vendit), dhe kontrollin e të kaluarës (përfshirjen në korrupsion dhe funkcionerë politikë) për të cilët vendoste Komision i pavarur i kualifikimit.