Heshtje në Kosovë për fletarrestin ndërkombëtar ndaj Artan Grubit 

Autoritetet e Brendshme të Kosovës nuk komentojnë nëse kanë pranuar ose jo fletarrestin ndërkombëtar dhe a do ndërmarrin masa për ish-zëvendëskryeministrin e RMV-së Artan Grubin i cili nuk ndodhet në RMV dhe që së fundmi kaloi kufirin për në Kosovë, raporton Portalb.mk.  Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk komentoi këtë rast.  “Ju lutem […]

dhjetor 18, 2024 - 20:00
 0  5
Heshtje në Kosovë për fletarrestin ndërkombëtar ndaj Artan Grubit 
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës - Policia e Kosovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Autoritetet e Brendshme të Kosovës nuk komentojnë nëse kanë pranuar ose jo fletarrestin ndërkombëtar dhe a do ndërmarrin masa për ish-zëvendëskryeministrin e RMV-së Artan Grubin i cili nuk ndodhet në RMV dhe që së fundmi kaloi kufirin për në Kosovë, raporton Portalb.mk. 

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk komentoi këtë rast. 

“Ju lutem drejtohuni te Policia e Kosovës”, tha MPB e Kosovës për Portalb.mk. 

Nga ana tjetër, Policia e Kosovës deri në publikimin e këtij teksti nuk u përgjigj në pyetjet gazetareske të Portalb.mk. 

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë të nënshkruar marrëveshje ekstradimi që në vitin 2011.

Nga ana tjetër, konsulli i nderit i Kosovës në vend, Arsim Paparinku, u thirr në bisedë informative në stacionin policor në Karposh. Informatat për “360 Gradë” e kanë konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Ata shtuan se hetimet janë duke vazhduar dhe se nuk mund të japin informacione shtesë.

Kryeministri Hristijan Mickoski në një intervistë për TV 21 dy ditë më parë deklaroi se Grubi është larguar nga vendi të dielën me një person tjetër, për të cilin tha se ishte biznesmen, me një automjet diplomatik dhe ka hyrë në Kosovë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë pas kërkesës së Prokurorisë dhe vendimit të Gjykatës për shqiptimin e paraburgimit 30-ditor, sot i ka publikuar fletarrestimet ndërkombëtare për ish zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami.

Ata për momentin nuk janë të kapshëm për organet e rendit, përkatësisht ndodhen jashtë Maqedonisë së Veriut

Grubi dhe Bajrami akuzohen për ‘përvetësim të pasurisë së paligjshme” për rastin “Lotaria Shtetërore” ku dëmi i shkaktuar vlerësohet mbi 501 milionë denarë apo 8.2 milionë euro

Artan Grubi më 15 dhjetor ka njoftuar se ka lëshuar shtetin për vizitë private.

Kush dhe për çfarë akuzohen në rastin ‘Lotaria Shtetërore’? 

Në rastin e ‘Lotarisë Shtetërore’ dy të dyshuarit kryesorë janë ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ish-drejtori i ‘Lotarisë Shtetërore’ Përparim Bajrami. Të dy ata akuzohen se kanë dëmtuar buxhetin e Lotarisë me mbi 501 milionë denarë.

Të dyshuar janë edhe ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski, ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë Metodija Dimovski dhe pesë persona të tjerë. 

Raporti zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme: 

Kallëzim penal për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar “, “marrja e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës për thirrje publike, dhënies së kontratës për furnizim publik apo partneritet publiko-privat’’ 

Më datë 13.12.2024, Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë dhe Korrupsionit – Sektori për Hetimet Kriminalistike – Njësiti për Korrupsion ka bërë kallëzim penal kundër tetë personave: kundër P.B. (31) për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar” neni 353 paragrafi 4, “marrja e ryshfetit” neni 357 paragrafi 4 dhe “keqpërdorimi i procedurës për thirrje publike, dhënie të kontratës për furnizim publik apo partneritet publiko-privat” parashikuar dhe e dënueshme sipas neni 275-c paragrafi 3 i KP, kundër A.G. (47) nga Shkupi për “keqpërdorim i procedurës për thirrje publike, dhënie të kontratës për furnizim publik apo publiko-privat” neni 275-c paragrafi 3 lidhur me nenin 24, kundër D.K. (50) nga Shkupi për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar” nga neni 353 paragrafi 4, kundër M.D. (58) nga Shkupi për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar” nga neni 353 paragrafi 4, kundër V.P. (41) nga Shkupi për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar” nga neni 353 paragrafi 4 dhe vazhdimi i veprës penale “marrja e ryshfetit” nga neni 357 paragrafi 1lidhur me nenin 45, kundër A.A. (36) nga Shkupi për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar” nga neni 353 paragrafi 4, kundër N.H. (52) nga Shkupi për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar” nga neni 353 paragrafi 4 dhe veprën penale “marrja e ryshfetit” e paraparë dhe e dënueshme nga neni 357 paragrafi 1 dhe kundër M.Z. (38) nga Tetova për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar” nga neni 353 paragrafi 4. 

I denoncuari i parë P.B., si kryetar i Bordit drejtues të Lotarisë Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në periudhën nga viti 2022 deri në vitin 2023, me vetëdije ka shkelur ligjet për lojërat e fatit. Ai u mundësoi personave juridikë nga Shkupi, Manastiri dhe Beogradi të organizojnë lojëra të fatit pa licencë, edhe pse e dinte se kjo ishte kundër ligjit. P.B. i ka dorëzuar Qeverisë informacione për themelimin e subjekteve të reja juridike që do të përfitojnë të drejtën e organizimit të lojërave të fatit elektronike dhe të internetit, me ndihmën të denoncuarit të dytë A.G., duke marrë pëlqimin nga Qeveria për publikimin e dy thirrjeve publike që nuk lejohej të publikohen. 

SHA Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në kundërshtim me nenin 7 të Ligjit për lojërat e fatit, ka lidhur marrëveshje për sipërmarrje të përbashkët me persona juridikë nga Shkupi, Manastiri dhe Beogradi, edhe pse nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore. Këto persona juridikë nuk kanë pasur regjistrimin dhe kualifikimet e nevojshme sipas thirrjeve publike, të cilat kërkojnë person juridik të regjistruar në Maqedoninë e Veriut me aktivitet të duhur. Me këtë janë shkelur rregullat për thirrjen publike, duke mundësuar themelimin e Shoqërisë për organizimin e lojërave elektronike të fatit – Video Lotaria e Re Shtetërore. Si pasojë e kësaj, personat juridikë të sapoformuar fituan të drejtën e organizimit të lojërave të fatit pa licencë, me çka personi juridik nga Shkupi realizoi dobi kundërligjore prej 227.876.880 denarë, ndërsa personat juridikë të sapoformuar nga Shkupi dhe Manastiri, kanë realizuar dobi pasurore të kundërligjshme në shuma të përgjithshme prej 55.029.956 denarë. 

I denoncuari i parë P.B., si kryetar i Bordit të Drejtorëve të Lotarisë Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i dorëzoi Qeverisë informacion për nevojën e organizimit të pavarur të lojërave elektronike të fatit. Pas konkluzionit të Qeverisë së datës 06.06.2023, me të cilin Lotaria Shtetërore u ngarkua të ndërmerrte aktivitete, P.B. ka nxjerrë Vendimin për furnizimi publik të terminaleve të videollotarisë më 5 shtator 2023. Me këtë ai u ka siguruar dy personave juridikë nga Bullgaria dhe një nga Çekia përfitim kundërligjor në shumë prej 615.000.000 denarë. 

P.B. ka qenë vetëdijshëm se Lotaria Shtetërore tashmë ka investuar të drejtën për organizimin e lojërave elektronike si aksion jomonetar në Kompaninë Video Lotaria Shtetërore e Maqedonisë – Casinos Austria në vitin 2013. Ai gjithashtu e dinte se sipas nenit 7 paragrafi 3 të Ligjit për lojërat e fatit, lojërat e fatit elektronike dhe në internet mund të organizohen vetëm nga një shoqëri tregtare në të cilën shteti ka së paku 51% pjesëmarrje në kapital dhe të drejtën për të vendosur. Këto lojëra, sipas ligjit, mund të organizohen vetëm nga shoqëria e parashikuar në paragrafin 2 të të njëjtit nen. 

I denoncuari i parë P.B., edhe pse e dinte se SH.A. Lotaria Shtetërore e ka investuar të drejtën e organizimit të lojërave elektronike dhe të internetit të fatit si investim jomonetar në Kompaninë Video Lotaria Shtetërore e Maqedonisë – Casinos Austria në vitin 2013, në Planin Vjetor për Furnizim Publik. për vitin 2023 ka siguruar blerjen e terminaleve për video lotari në vlerë prej 615.000.000 denarë. 

Me këtë procedurë ai ka keqpërdorur furnizimin publik me qëllim që operatorëve ekonomik t’u mundësojë përfitim pasuror të kundërligjshëm, duke i shkaktuar dëm buxhetit të SH.A. Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Me këtë, personi juridik nga Bullgaria ka përfituar 286.634.967 denarë, personi juridik nga Shkupi 16.043.280 denarë, ndërsa personi juridik nga Çekia 185.701.990 denarë. Në atë mënyrë, i denoncuari i parë P.B. ka kryer veprime që nuk është dashur t’i kryejë, duke kryer procedurë të thirrjes publike që nuk është dashur t’i kryejë, ka marrë vendim për përzgjedhjen e ofertuesit më të favorshëm dhe si shpërblim për veprimet zyrtare të kryera në këtë mënyrë ka marrë një dhuratë në vlerë prej 1.635.000. denarë. 

I denoncuari i dytë A.G., si ministër në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim të fshehjes së veprës penale të denoncuarit të parë P.B., ka deklaruar se ka mendim pozitiv nga Ministria e Financave për themelimin e kompanisë tregtare “New State Video Lottery – NEW VLT DOO Shkup”, edhe pse e dinte se një mendim i tillë nuk ekziston. Me këtë ai bëri të mundur heqjen e pengesave dhe fillimin e procedurës për miratimin e themelimit të kësaj kompanie, e cila më pas fitoi të drejtën e organizimit të lojërave të fatit pa licencë, në kundërshtim me Ligjin për lojërat e fatit. 

Gjithashtu, A.G. në cilësinë e zëvendësit të parë të Kryeministrit e ka udhëhequr seancën dhe e ka futur në rendin e ditës dhe e ka miratuar informacionin pa marrë mendim nga Ministria e Financave dhe Sekretariati për Legjislacion, edhe pse kjo ishte e detyrueshme sipas nenit 68 paragrafi 1 pika 1 dhe 9 të Rregullores së Punës së Qeverisë. Kjo ka mundësuar formimin e personave juridikë që kanë marrë të drejtën e organizimit të lojërave të fatit pa licencë, edhe pse Lotaria Shtetërore e RMV-së tashmë e ka investuar këtë të drejtë si kontribut jomonetar në Shoqërinë e Video Lotarisë Shtetërore të Maqedonisë – Casinos Austria në vitin 2013. 

I denoncuari i tretë D.K., në cilësinë e kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas marrëveshjes së mëparshme me të denoncuarin e parë P.B., me datën 08.03.2022 e ka futur në rendin e ditës dhe ka miratuar procedurë për themelimin e shoqërisë tregtare “Nova Drzhavna Video llotarija – NOVO VLT D.O.O Shkup”, megjithëse e dinte se materialet nuk shqyrtohen në seancë sipas Rregullores së Punës së Qeverisë (neni 68 paragrafi 1). Me këtë ai i mundësoi kompanisë të fitojë të drejtën e organizimit të lojërave të fatit pa licencë dhe personave përgjegjës u siguroi përfitim pasuror kundërligjor prej 8.598.000 denarë. 

I denoncuari i katërt M.D. në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përkundër faktit se e dinte se materialet e dorëzuara në Qeveri nuk ishin shqyrtuar në seancën e Qeverisë, ai e propozoi atë si pikë të rendit të ditës për shqyrtimin e informacione lidhur me procedurën për themelimin e tri shoqërive të reja tregtare për organizimin e lojërave të fatit online, dhe në këtë mënyrë, duke i tejkaluar kufijtë e kompetencave të tij zyrtare, u mundësoi personave përgjegjës të personave juridik nga Shkupi dhe Manastiri që të fitojnë pasuri të kosiderueshme të kundërligjshme në vlerë të përgjithshme prej 4.852.212 denarë, ndërsa personat juridikë të sapoformuar nga Manastiri dhe Shkupi të realizojnë përfitim pasuror të konsiderueshëm kundërligjor në vlerë të përgjithshme prej 55.029.956 denarë. 

I denoncuari i pestë V.P., në cilësinë e zyrtarit – kryetar i Komisionit të Thirrjeve Publike, ka marrë pjesë në punën e Komisionit më datë 04.07.2022 së bashku me të denoncuarin e gjashtë A.A. dhe i denoncuari i shtatë N.H., në cilësinë e anëtarëve të komisionit, kanë përgatitur një raport për procedurën e zhvilluar në të cilin ka konstatuar se ofertuesi-person juridik nga Shkupi i plotëson të gjitha kriteret për lidhjen e marrëveshjes për investim të përbashkët, pavarësisht se nuk është organizator i lojërave te fatit, gjegjësisht nuk ka plotësuar kushtet ligjore ne përputhje me nenin 7, paragrafët 2 dhe 3 te Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse, as kushtet e cekura ne thirrjen publike ne te cilën është deklaruar se çdo person i interesuar vendas dhe i huaj – ofertues, i cili është i regjistruar për kryerjen e veprimtarisë lidhur me objektin e kontratës, gjegjësisht lojërat e fatit dhe basteve, dhe si shpërblim për të njëjtën në periudhën prej 05.01.2024 deri më 10.10.2024 ka marrë një dhuratë – monetare në vlerë të përgjithshme prej 470.000 denarë nga personi juridik nga Shkupi, përkatësisht: shpërblim në të holla në vlerë të përgjithshme prej 350.000 denarë si kompensim bazë mujor për anëtar të këshillit mbikëqyrës dhe 120.000 denarë si shpërblim në të holla për anëtarësim në komision për zhvillimin e procedurës për zgjedhjen e ofertuesit më të favorshëm për lidhjen e marrëveshjes për dhënien e qirasë të softuerit dhe platformës online me përmbajtje lojërash për ngjarjen e lojërave të fatit online e themeluar nga një person juridik nga Shkupi. 

Gjithashtu, i denoncuari i pestë V.P. duke tejkaluar kompetencat e tij zyrtare më datë 04.12.2023 së bashku me të denoncuarin e gjashtë A.A. të denoncuarën e shatë N.H. dhe të denoncuarin e tetë M.Z. si anëtarë të komisionit kanë marrë pjesë dhe kanë përgatitur raport nga procedura e zhvilluar se i plotësojnë kushtet për lidhjen e marrëveshjeve për investim të përbashkët dhe si shpërblim për të njëjtin me datë 25.06.2024 ka marrë dhuratë – shpërblim në të holla për vete në shumë prej 120.000 denarë në bazë të kompensimit në të holla, ndërsa si shpërblim për të njëjtin e denoncuara e shtatë N.H. ka marrë dhuratë – shpërblim në të holla për personin D.H. – vëllai i bashkëshortit të saj B.H., në periudhën kohore prej 18.01.2024 deri më 10.10.2024 në vlerë të përgjithshme prej 150.000 denarë, dhe për personat përgjegjës në personin e sapoformuar juridik, Nova Drzhavna Video Lotaria – NOVO VLT DOO Shkup i ka mundësuar fitimin e një përfitimi të madh pasuror të kundërligjshëm në shumë të përgjithshme prej 8.598.000 denarë. 

Kronologji për rastin ‘Lotaria Shtetërore’ 

18 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme lëshoi fletarrest ndërkombëtar për Artan Grubin dhe ish-drejtorin e ‘Lotarisë Shtetërore” Përparim Bajamin. 

17 dhjetor 2024 Prokuroria Themelore Publike në Shkup kërkoi fletarrestim ndërkombëtar për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin. 

17 dhjetor 2024 Gjykata Themelore Penale Shkup u caktoi paraburgim prej 30 ditëve Artan Grubit dhe Përparim Bajramit. 

17 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme dorëzoi kallëzime penale në Prokurorinë Publike kundër ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski dhe ish-drejtorit të Lotarisë së RMV-së Përparim Bajrami dhe pesë personave të tjerë për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës së shpalljes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat”.

16 dhjetor 2024 Prokuroria Publike në Shkup propozoi paraburgim për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin si të dyshuar për rastin ‘Lotaria Shtetërore’. 

16 dhjetor 2024 Policia e RMV-së bastisi shtëpinë e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit pas dyshimeve për krim të organizuat në Lotarinë Shtetërore. Asnjëri nga ata nuk u gjetën në shtëpitë e tyre

16 dhjetor 2024 Prokuroria Publike njoftoi se dy persona dyshohen për veprën penale – Përvetësim në detyrë, ndërsa katër persona të tjerë për veprën penale – Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar

16 dhjetor 2024 Policia Financiare ka paraqitur kallëzim penal kundër Përparim Bajramit, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të Shoqërisë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit të Lotarisë Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të “ekzistimit të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, 

Ndryshe, më 10 dhjetor 2024 Prokuroria Publike hapi lëndë ndaj Artan Grubit pasi ai u fut në Listën e Zezë të SHBA-ve për korrupsion. Artan Grubi, së fundmi, është tërhequr nga jeta publike, pas shpalljes së emrit të tij në Listën e Zezë amerikane. Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Artan Grubi bashkë me gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, i cili gjithashtu është në Listën e Zezë.