Samiti në Bruksel mbledh liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor
Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian takohen sot në Bruksel me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor në samitin e përbashkët që tashmë është bërë format i rregullt i takimeve së paku një herë në vit, transmeton Radio Evropa e Lirë. Qëllimi i samitit BE- Ballkani Perëndimor, sipas zyrtarëve të bllokut, është që të […]
Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian takohen sot në Bruksel me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor në samitin e përbashkët që tashmë është bërë format i rregullt i takimeve së paku një herë në vit, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Qëllimi i samitit BE- Ballkani Perëndimor, sipas zyrtarëve të bllokut, është që të forcohet partneritetit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor duke përshirë integrimin gradual të këtyre vendeve në disa politika të BE-së edhe para se ato një ditë të bëhen edhe formalisht vende anëtare.
Nga ky samit pritet të dërgohet porosia se BE-ja do ta trajtojë procesin e zgjerimit si prioritet të lartë dhe të shprehë interesin që ky proces të përshpejtohet. Kjo është përfshirë edhe në tekstin e Deklaratës së përbashkët të përgatitur për miratim në samit.
“Zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, stabilitet dhe prosperitet. Tash ka një dinamizëm të ri në procesin e zgjerimit. Përshpejtimi i procesit të zgjerimit, bazuar në kushtet e drejta dhe strikte dhe parimet e meritave individuale, është në interes të përbashkët”, thuhet në draftin e këtij dokumenti.
Vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor do t’u bëhet thirrje që të zgjidhin mospajtimet ndërmjet vete sikur edhe me fqinjët në BE, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i zgjerimit.
“Mospajtimet rajonale dhe bilaterale që i kanë rrënjët në të kaluarën, për një kohë tepër të gjatë e kanë penguar fokusimin në të ardhmen. Implementimi i marrëveshjeve bilaterale me mirëbesim dhe me rezultate të prekshme, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin e Miqësisë, Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë mbeten kyç”, thuhet në këtë dokument.
Në veçanti do t’u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të avancojnë në procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet tyre duke i përmbushur detyrimet që dalin nga dialogu, të cilin e lehtëson BE-ja.
“Marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, mes Beogradit dhe Prishtinës, përfshirë edhe Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, duhet të zbatohen pa vonesa të reja. BE-ja u bën ftesë të gjithë partnerëve që të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave”, theksohet në draftin e tekstit të deklaratës.
Nga Kosova në këtë samit do të marrë pjesë presidentja Vjosa Osmani. Të pranishëm do të jenë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe kryesuesja e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq.
Pos shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së, në takim marrin pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonia Costa, si organizator i takimit, pastaj presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.