Hetime, kallëzime penale dhe arrestime për keqpërdorimin e tenderit për sigurimin e pikëpagesave rrugore, i përfshirë edhe Ejup Rustemi

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka iniciuar procedurë kundër pesë personave fizik dhe një personi juridik në lidhje me keqpërdorimet gjatë prokurimit publik për zgjedhjen e kompanisë për sigurim fizik të 14 pikë pagesave të Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore. Ndaj udhëheqësit të atëhershëm të kompanisë nga Kërçova dhe personit juridik ka filluar hetimi penal – […]

Mars 25, 2025 - 18:00
 0  4
Hetime, kallëzime penale dhe arrestime për keqpërdorimin e tenderit për sigurimin e pikëpagesave rrugore, i përfshirë edhe Ejup Rustemi
Ejup Rustemi, foto: Fisnik Xhelili

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka iniciuar procedurë kundër pesë personave fizik dhe një personi juridik në lidhje me keqpërdorimet gjatë prokurimit publik për zgjedhjen e kompanisë për sigurim fizik të 14 pikë pagesave të Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore. Ndaj udhëheqësit të atëhershëm të kompanisë nga Kërçova dhe personit juridik ka filluar hetimi penal – Keqpërdorim i procedurës për thirrje publike, dhënie të kontratës për prokurim publik ose partneritet publiko-privat nga neni 275c i Kodit Penal, ndërsa për katër të tjerët – drejtori i atëhershëm i kompanisë, njëri nga nënshkruesit e kontratës dhe dy përgjegjës për kontrollin e realizimit, udhëhiqet procedurë për vepra penale që përfshijnë keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare, transmeton Portalb.mk.

“Bëhet fjalë për një kontratë të prokurimit publik të lidhur më 08.08.2022 me të cilën drejtuesi i dyshuar i agjencisë së sigurisë është angazhuar për dy vite që të kryejë sigurimin fizik të vazhdueshëm 24/7 në të 14 pikëpagesat e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore. Ndonëse ka qenë i detyruar sipas kontratës së nënshkruar, nuk e ka respektuar detyrimin dhe për të gjithë periudhën e kontratës ka kryer vetëm sigurim fizik të pjesshëm, kryesisht vetëm në turnin e parë, dhe i ka faturuar autoritetit kontraktor për shërbimet sikur të jetë kryer sigurim fizik 24/7 për të gjithë periudhën e kontratës deri në zgjidhjen e saj”, thonë nga Prokuroria.

Drejtori i atëhershëm i ndërmarrjes publike ka qenë i obliguar që të kujdeset për ligjshmërinë në punë dhe zbatimin e rregulloreve, statutit dhe akteve të tjera, si dhe të kontrollojë nëse ekzekutimi i kontratës për prokurim publik është në përputhje me kushtet, por nuk e ka kryer atë detyrë dhe ka humbur mbikëqyrjen e duhur ndaj bartësit të prokurimit publik, edhe pse ai e ka ditur se e ka kryer vetëm pjesërisht sigurinë fizike.

“Dy drejtues të dyshuar të departamentit të mbledhjes dhe kontrollit të pagesës në pikat e pagesave rrugore janë ngarkuar gjithashtu për monitorimin e kontratës dhe përmbushjen e saj, kryerjen e kontrollit mbi ekzekutimin, miratimin e urdhrave të punës për kryerjen e shërbimit, dërgesat, monitorimin e cilësisë së shërbimeve të kryera dhe kontrollin e faturave të detyrueshme, si dhe përgatitjen e raporteve nëse kontrata është zbatuar plotësisht. Këta kontrolle nuk i kanë kryer në tërësi dhe edhe pse e dinin se sigurimi kryhej pjesërisht, kryesisht në turnin e parë, kanë nënshkruar kërkesat për miratimin e pagesës”, thonë nga Prokuroria.

Nënshkruesi i dytë i kontratës ka qenë i njohur me specifikimin e kërkuar, por përkundër kësaj ka miratuar kërkesat dhe miratimet për pagesë, pas së cilës ka aprovuar edhe faturat e paguara të cilat më pas janë realizuar në favor të Agjencisë së Sigurisë.

Në këtë mënyrë, të dyshuarit tjerë i kanë mundësuar të dyshuarit, bartës i prokurimit që të përfitojë përfitim pasuror të kundërligjshëm në shumë prej 46.918.079 denarë dhe me këtë i kanë shkaktuar dëm të madh Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër pesë personave fizik dhe një personi juridik në lidhje me keqpërdorime gjatë prokurimit publik për përzgjedhjen e kompanisë për sigurimin fizik të 14 pikave të pagesës së Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore. Kallëzim penal është paraqitur kundër Xh.B (54) nga Kërçova, E.R.(56) nga Tetova, E.L. (61) nga Tetova, M.B. (48) nga Shkupi dhe D.Z. (39) nga Tetova dhe kundër një personi juridik nga Kërçova”, njoftuan nga MPB.

Prokurori publik në Gjykatën Themelore Penale Shkup ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin e parë, ndërsa për të tjerët është propozuar masa e sigurimit.

Kujtojmë se Ejup Rustemi nga Ndërmarrja për Rrugë Shtetërore u shkarkua në korrik të vitit të kaluar dhe në vend të tij erdhi Koce Trajanovski. Rustemi drejtoi Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore që nga viti 2020.