Paraburgim për një 50 vjeçar nga Prilepi, tentoi të vriste një punëtore sociale në vendin e punës
Prokuroria Themelore Publike Prilep ka lëshuar urdhëresë për zhvillimin e procedurës hetuese ndaj një 50 vjeçari nga Prilepi, për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale – Vrasje (në tentativë) nga neni 123 paragrafi 2 pika 3 në lidhje me nenin 19 të Kodit Penal, posedim dhe tregtim i armëve pa […]


Prokuroria Themelore Publike Prilep ka lëshuar urdhëresë për zhvillimin e procedurës hetuese ndaj një 50 vjeçari nga Prilepi, për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale – Vrasje (në tentativë) nga neni 123 paragrafi 2 pika 3 në lidhje me nenin 19 të Kodit Penal, posedim dhe tregtim i armëve pa leje, ndërmjetësimi dhe tregtimi i armëve dhe lëndëve plasëse nga neni 396 i Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Dje në objektin e IP Qendra Ndërkomunale për Çështje Sociale Prilep me paramendim ka tentuar t’ia marrë jetën një të dëmtuar – punonjëse sociale dhe ka rrezikuar jetën e tre punëtorëve të Qendrës për Çështje Sociale.
Me armë – pistoletë markë “Beretta” model 950 B me kalibër 6.35 mm, të cilën e posedonte pa leje, ka nisur të qëllojë në drejtim të viktimës, e cila ka tentuar të fshihet në një zyrë. Ai e ka goditur me dy plumba, pas çka i ka shkaktuar një plagë sipërfaqësore në pjesën e kokës – arkadë dhe në pjesën e djathtë të ijeve.
Drejtori i institucionit ka arritur ta mbajë deri në mbërritjen e zyrtarëve të policisë, të cilët përveç armës i kanë gjetur dhe i kanë marrë një thikë.
I dyshuari, sipas të dhënave, paraprakisht ka qenë i dënuar për vepra penale – lëndim trupor, rrezikim i sigurisë, përndjekje dhe krime të tjera, ndaj tij janë në pritje akuza tjera, ndërsa për momentin i është nënshtruar masës së sigurisë – Trajtim i detyrueshëm në spitalin psikiatrik nga ku është arratisur.
Për shkak të të gjitha këtyre dhe rrethanave të tjera që tregojnë për rrezikun e arratisjes, mundësinë e ndikimit te dëshmitarët dhe rrezikun që ai të përsërisë sjelljen kriminale, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.