Hoti: Kosova ka humbur shumë me moszbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se Kosova ka humbur shumë për shkak të moszbatimit të Marrëveshjes së Uashingtonit gjatë katër viteve të fundit. Hoti tha se ky dokument, i nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, është me rëndësi strategjike për Shtetet e Bashkuara dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Nuk besoj që është humbë si
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se Kosova ka humbur shumë për shkak të moszbatimit të Marrëveshjes së Uashingtonit gjatë katër viteve të fundit.
Hoti tha se ky dokument, i nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, është me rëndësi strategjike për Shtetet e Bashkuara dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Nuk besoj që është humbë si rast. Ka humbë Kosova që nuk e ka zbatu gjatë këtyre katër viteve dhe pse kanë qenë zotimet e kësaj administrate. E respektojnë atë marrëveshje sepse është në interesin më të mirë strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për qasjen e tyre ndaj Ballkanit Perëndimor,” tha Hoti në emisionin CONTEXT në ATV.
Ai tha se qeveria e ardhshme duhet ta marrë seriozisht këtë marrëveshje për të shmangur humbje të mëtejshme për vendin.
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump.
Dy versione të dokumenteve për palën e Kosovës dhe atë të Serbisë, i kanë nënshkruar kryeministri i atëhershëm i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Zyrtarët amerikanë e vlerësuan marrëveshjen e Uashingtonit si një fillim të ri për Ballkanin Perëndimor.
Kjo marrëveshje u zbatua vetëm pjesërisht.
Në dokumentin e marrëveshjes parashiheshin edhe disa projekte infrastrukturore, përfshirë atë që quhet “Autostrada e Paqes”, Beograd-Prishtinë, si dhe përmendet edhe çështja e Liqenit të Ujmanit, që gjendet në territorin e Kosovës dhe prekë atë të Serbisë.
Si rrjedhojë e kësaj marrëveshjeje Izraeli dhe Kosova shkëmbyen njohje të ndërsjellë, kështu që më 14 mars 2021, Kosova e hapi ambasadën e saj në Jerusalem