Hulumtimi i QKC-së: Të dhënat për pronarët e vërtetë të kompanive në RMV nuk përdoren në luftën kundër korrupsionit

Hulumtimi më i fundit i Qendrës për Komunikime Civile tregon institucionet kompetente në vend i përdorin pak të dhënat për pronarët e vërtetë të kompanive, për parandalimin, zbulimin dhe sanksionimin e pastrimit të parave dhe në luftën kundër terrorizmit dhe duket se nuk i përdorin fare për qëllime të tjera dhe për të parandaluar korrupsionin, […]

dhjetor 9, 2024 - 17:00
 0  5
Hulumtimi i QKC-së: Të dhënat për pronarët e vërtetë të kompanive në RMV nuk përdoren në luftën kundër korrupsionit
Korrupsion. Foto: 89Stocker në Canva

Hulumtimi më i fundit i Qendrës për Komunikime Civile tregon institucionet kompetente në vend i përdorin pak të dhënat për pronarët e vërtetë të kompanive, për parandalimin, zbulimin dhe sanksionimin e pastrimit të parave dhe në luftën kundër terrorizmit dhe duket se nuk i përdorin fare për qëllime të tjera dhe për të parandaluar korrupsionin, krimin dhe abuzimet në fusha të tjera, transmeton Portalb.mk.

Institucionet dhe Drejtoria kompetente për Inteligjencë Financiare kanë të dhëna të ndryshme për numrin e rasteve kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Nga viti 2022 deri në prill 2024, Drejtoria ka pranuar 194 iniciativa nga organet kompetente, prej të cilave ka përgatitur dhe ka dorëzuar 21 raporte në Prokurorinë Publike Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithashtu, në të njëjtën periudhë, Drejtoria ka dorëzuar në këtë prokurori 50 kallëzime për transaksione të dyshimta, me iniciativë të saj.

Nga gjithsej 71 raporte që Drejtoria ka dorëzuar në Prokurori, 70% janë me iniciativë të saj, ndërsa pjesa tjetër 30% janë bazuar në iniciativa të pranuara paraprakisht nga ndonjë nga institucionet kompetente.

Nga 17 institucionet në vend me të cilat Drejtoria duhet të bashkëpunojë, tetë prej të cilave janë të përcaktuar drejtpërdrejt në ligj se duhet të luftojnë pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, vetëm dy kanë shifra konkrete për rastet për të cilat kanë përdorur të dhënat nga Regjistri i Pronarëve të Vërtetë.

Maqedonia e Veriut nuk e mori përsipër obligimin e rekomanduar nga FMN gjatë krizës së COVID-19 – të publikojë emrat e pronarëve të vërtetë të kompanive që kanë lidhur kontratë për prokurim publik lidhur me krizën e koronës.

Vendi nuk ka zbatuar as angazhimin nga Plani Kombëtar Aksional për Partneritet për qeverisje të hapur 2021-2023 për të bërë publike pronarët e vërtetë të firmave ofertuese dhe atyre që kanë fituar një kontratë prokurimi publik.

Si Bashkimi Evropian ashtu edhe OECD kanë rezerva për përdorimin e pamjaftueshëm të të dhënave nga regjistri i pronarëve përfitues.

Për të përmirësuar përdorimin e të dhënave për pronarët e ligjshëm në vend, rekomandohet: zgjerimi i fushëveprimit të pronarëve të ligjshëm, lehtësimi i qasjes në të dhënat për një gamë më të gjerë palësh të interesuara, lidhja me bazat e të dhënave dhe të dhënat e tjera, më shumë ndërveprueshmëri ndërmjet institucioneve dhe përmirësimi i verifikimit të të dhënave.

Kujtojmë se hulumtmi paraprak i QKC, tregoi se për një periudhë pesëvjeçare, konkretisht nga viti 2019 deri në vitin 2023, në vend janë lidhur kontrata për prokurim publik në vlerë të përgjithshme prej 359 miliardë denarë, përkatësisht 5,8 miliardë euro, ndërsa 36 përqind, përkatësisht rreth 2,1 miliardë euro nga vlera e tenderëve u përkisnin 50 kompanive. Vetëm 10 kompanitë e para në krye të kësaj liste, analiza e të cilave zbulon një përqendrim të lartë tenderash në një numër të vogël kompanish, kanë marrë tenderë me vlerë afër 1.3 miliardë euro.

Në listën e fituesve më të mëdhenj të tenderëve janë kompanitë e ndërtimit, tregtarët me shumicë, distributorët e derivateve të naftës. Disa nga kompanitë që janë në listën me 50 fituesit më të mëdhenj të tenderëve, pothuajse i gjithë biznesi i tyre qëndron në kontratat për prokurimin publik.