Ibrahimi rreth Ligjit për barazi gjinore: Vendim kundër familjes shqiptare
Kryetari i Alternativës dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar ashpër ndaj miratimit të Ligjit për barazi gjinore në Parlamentin e Shqipërisë më 7 nëntor, duke e cilësuar atë “një vendim që bie ndesh me interesin e përgjithshëm shqiptar”. Në një reagim të publikuar në rrjete sociale, Ibrahimi thekson se ligji […]
Kryetari i Alternativës dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar ashpër ndaj miratimit të Ligjit për barazi gjinore në Parlamentin e Shqipërisë më 7 nëntor, duke e cilësuar atë “një vendim që bie ndesh me interesin e përgjithshëm shqiptar”.
Në një reagim të publikuar në rrjete sociale, Ibrahimi thekson se ligji i miratuar “në emër të barazisë dhe gjoja direktivave të BE-së” pranon konceptin se “gjinia nuk është kategori biologjike, por një rol social”.
“Në këtë mënyrë secili mund ta deklarojë veten në atë gjini që dëshiron dhe shteti e ka për detyrë t’ia njohë atë rol social si gjini. Pra, gjinia nuk do të jetë më diçka e lindur, por vetëm një rol i përzgjedhur në mënyrë të lirë”, shkruan ai.
Sipas Ibrahimit, ky vendim tregon “servilitet dhe vardisje politike” dhe përfaqëson “një imitim të verbër të ideologjive liberale perëndimore”.
“Ashtu siç u bënë drejtuesit e kohës dikur më bolshevikë se Lenini, më stalinistë se Stalini, më maoistë se vetë kinezët dhe më ateistë se vetë Marksi, tash këta deputetë shqiptarë bëhen edhe më liberalë se vetë Aleksandar Sorosi”, thekson ai.
Kreu i Alternativës shprehet i shqetësuar për ndikimin që ky ligj mund të ketë në strukturën familjare dhe demografinë shqiptare, duke përmendur shifrat alarmante të rënies së popullsisë në Shqipëri.
“Një Shqipëri që më 1990 kishte 3.28 milionë banorë, ndërsa sot i ka vetëm 2.36 milionë, në vend që të miratojë politika që afirmojnë natalitetin, miraton politika që stimulojnë rrënimin e familjes shqiptare. Në kohën që SHBA-ja, por edhe Maqedonia jonë e Veriut, miratojnë politika pro familjes, qeveria e Shqipërisë sonë të dashur miraton politika kundër familjes shqiptare… duke i ushqyer planet e atyre që e duan një Shqipëri pa shqiptarë”, shkruan Ibrahimi.