Incidentet’28: Reagime të shumta nga qarqet politike në vend

Incidentet që ndodhën me rastin e festës së flamurit dhe pavarësisë së Shqipërisë në qytete të ndryshme në Maqedoninë e Veriut, kanë nxitur reagimin e partive politike, shkruan Flaka Media. The post Incidentet’28: Reagime të shumta nga qarqet politike në vend appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Nëntor 30, 2024 - 02:00
 0  3
Incidentet’28: Reagime të shumta nga qarqet politike në vend

Incidentet që ndodhën me rastin e festës së flamurit dhe pavarësisë së Shqipërisë në qytete të ndryshme në Maqedoninë e Veriut, kanë nxitur reagimin e partive politike, shkruan Flaka Media.

BDI: Kërkesë urgjente për dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme

Bashkimi Demokratik për Integrim ka dalë me një kërkesë këtë pasdite. Kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski për siç thonë, “për shkak të ndërhyrjes së paprecedent dhe të pajustifikuar të policisë gjatë festimeve të mbrëmshme të Ditës së Flamurit Shqiptar”.

“Kjo ndërhyrje jo vetëm që pengoi një manifestim paqësor dhe tradicional të shqiptarëve, por gjithashtu shkaktoi tensione dhe incidente të panevojshme që kanë dëmtuar harmoninë ndëretnike në vend.

Për më tepër, sot jemi dëshmitarë të një qasjeje selektive dhe të njëanshme nga ana e institucioneve të rendit. Ndërkohë që qytetarët shqiptarë që dogjën flamurin shtetëror janë ndaluar dhe ndëshkuar, ata që dogjën flamurin shqiptar mbeten të pandëshkuar. Kjo qasje diskriminuese dhe e padrejtë është e papranueshme dhe minon besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore, duke thelluar ndarjet dhe tensionet në shoqëri.

Ministri i Punëve të Brendshme ka dështuar të garantojë qasje të drejtë dhe profesionale ndaj incidenteve, duke treguar paaftësi dhe mungesë përgjegjshmërie për të trajtuar situatat ndëretnike me kujdesin e duhur. Për këtë arsye, kërkojmë menjëherë dorëheqjen e tij.

Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet i përkushtuar ndaj mbrojtjes së të drejtave dhe dinjitetit të shqiptarëve, si dhe ndaj ruajtjes së bashkëjetesës dhe stabilitetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Nuk do të tolerojmë që institucionet e shtetit të përdoren për politika diskriminuese që cënojnë të drejtat e qytetarëve dhe bashkëjetesën ndëretnike”, thonë nga BDI.

Nga BDI i dënuan ndodhitë, thonë se bëhet fjalë për raste të izoluara dhe se për atë që ndodhi përgjegjëse është qeveria për të cilën tha se vazhdimisht i ndodhin gjëra të këtilla në periudhën e fundit.

“Në pjesën e akteve indiviiduale gjithesi se janë për tu dënuar të gjithë palët që janë të përfshira. Partitë politike, politikanët duhet të japin porosi pozitive e jo të japin porosi për ndarje të polarizimit. Ne ngjarje të tilla në 7-10 vitet e fundit, pothuajse nuk kemi pasur në shtetin tonë por për fat të keq muajt e fundit shpeshherë ndodhin ngjarje të tilla”, theksoi Kreshnik Bekteshi nga BDI.

“Nuk besoj se ka prapaskenë politike” – Gashi kërkon hetim për incidentet e mbrëmshme

Djegia dhe shkelja e flamujve shtetëror është kundër interesave shtetërore dhe kombëtare të çdo bashkësie etnike, tha kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, duke dënuar incidentin e djeshëm në qendër të Shkupit.

“Nëse bëhet fjalë për sjellje të papërgjegjshme të qytetarëve të caktuar, ata duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Është e palejueshme që të shkelet, të ofendohet dhe të shkatërrohet një flamur, simbol i një bashkësie tjetër, cilado që të jetë ajo. Patriotë janë ata të cilët e respektojnë flamurin e tyre por edhe flamurin e të tjerëve”.

Gashi thirri që të hetohet se kush qëndron prapa incidentit, edhe pse tha se nuk beson se i njëjti ka prapaskenë politike.

Siljanovska: Ftoj për mirëkuptim dhe tolerancë

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova ka reaguar pas incidenteve që ndodhën mbrëmë, transmeton TV21.

“I dënoj ashpër incidentet e mbrëmshme, gjatë të cilave u përdhos flamuri kombëtar i Maqedonisë. Akt i mosrespektimit të simboleve shtetërore, por edhe cenim i drejtpërdrejtë i unitetit të të gjithë qytetarëve maqedonas që simbolizon ky flamur. Veprimet e tilla nuk kontribuojnë për ndërtimin e besimit dhe respektit mes qytetarëve, por nxisin tensione dhe përçarje shtesë. Thirrja për mirëkuptim, tolerancë dhe dialog është vendimtare në momente të tilla. Institucionet kompetente duhet të bëjnë një hetim të plotë të ngjarjes dhe të marrin masat e duhura ndaj personave përgjegjës”, tha Siljanovska.

Mickoski: Më ashpër e dënoj ngjarjen që paraqet akt të agresionit

Tetë presona janë arrestuar pas incidentit të djeshëm gjatë kohës së festimit të Ditës së Flamurit, informoi Ministri i punëve të brendshme, Pançe Toshkovski. Sipas tij të arrestuarit gjendjen në stacion policor dhe të gjithë janë të rinj. Toshkovski paralajmëroi se kundër tyre do të ngriten padi penale, ndërsa tha se ekziston mundësia për arrestime shtesë.

“Katër nga ato persona janë arrestuar për shkak se kanë kryer shkelje – pjesëmarrje në rrahje, ndërsa katër të tjerët janë arrestuar për shkak se për ato ekzistojnë dyshime bazë se kanë kryer vepër penale nga neni 319 i Kodit Penal që ka të bëjë me, të jemi të saktë, shkaktimin e urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, përçarje dhe padurim, ku është paraparë dënim minimal prej një viti”, tha Pançe Toshkoski – ministër i Brendshëm.

Më ashpër e dënoj ngjarjen që paraqet akt të agresionit dhe kjo ndodh për shkak se drejtësia ngadalë por sigurt po i afrohet kriminelëve, tha kryeministri Hristijan Mickoski. Theksoi se për këtë akt do të përgjigjen, pa marrë parasysh të përkatësisë së tyre etnike.

“Përpjekje të tilla për të përshkallëzuar ngjarjet dhe për të krijuar tensione etnike që do të ketë edhe në të ardhmen dhe nëse mendoni se ky është rast i izoluar, nuk do të jetë, prisni se do të ketë edhe në të ardhmen sepse drejtësia ngadalë por sigurt po u afrohet kriminelëve dhe do të trokasë në dyert e tyre dhe ata do të bëhen gjithnjë e më shumë nervozë. Qeveria e Maqedonisë do të përgjigjet ashpër ndaj të gjitha provokimeve dhe përpjekjeve për destabilizim të paqes dhe sigurisë së shtetit”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.

VLEN: E dënojmë ashpër djegien e flamujve

Nga koalicioni VLEN kanë dal me reagim në lidhje për ngjarjet e mbrëmshme që ndodhën në Maqedoninë e Veriut, përcjell TV21. Nga VLEN theksojnë se dënojnë “ashpër këto akte të papranueshme që kanë ndodhur mbrëmë gjatë festës së Pavarësisë së Shqipërisë, ku janë përdhosur flamujt shtetërorë në mënyrë të turpshme”.

Kumtesa e plotë nga koalicioni VLEN.

Pas një dite festive si asnjëherë me parë më 28 Nëntor, teksa jehonte kënga e vallja shqipe gjithandej vendit, mesa duket kjo atmosferë festive nuk u shkoi përshtati atyre që u prish rahatia nga karriget e pushtetit. Në fund të ditës u lajmëruan këto qarqe të cilat dëshirojnë destabilizimin e vendit. Jo, se e duan shtetin, por se u mungon pushteti. 

Koalicioni VLEN dënon ashpër këto akte të papranueshme që kanë ndodhur mbrëmë gjatë festës së Pavarësisë së Shqipërisë, ku janë përdhosur flamujt shtetërorë në mënyrë të turpshme, pamje që janë bërë sot publike nga mediat vendore. 

Bëjmë thirrje për maturi dhe respekt të ndërsjellë, sepse ndezja e një flamuri është ndezje e marrëdhënieve ndëretnike në këtë shtet. Dhe, kjo gjë nuk i shërben as atyre që i nxisin, pra askujt tjetër, aq më pak qytetarëve.

Ndjejmë përgjegjësi dhe apelojmë deri tek të gjithë qytetarët që të tregojnë maturi dhe vendosmëri që të mos bien pre e provokimeve dashakeqe. Mos lejoni të viktimizoheni nga askush e aq më pak nga ata që nuk dëgjonin e shihnin hallet e juaja. Ne besojmë në vetëdijen e lartë të qytetarëve tanë që do të tregohen vigjilent e nuk do të instrumentalizohen nga ata që pas humbjes së pushtetit e kanë humbur edhe rrugën në oborr. 

Ne kujdesimi për sigurinë e qytetarëve tanë, për stabilitetin e shtetit, prandaj paralajmërojmë për kujdes maksimal të të gjithë qytetarëve pa dallim që mos të bëjnë akte nga të cilat nuk mund t’i shpëtojë askush. E për këtë kemi dëshmi mjaftueshëm nga e kaluara. 

Karakteri multietnik i Maqedonisë së Veriut është vlerë e shtetit dhe shoqërisë sonë dhe çdokush që tenton të prish marrëdhëniet ndëretnike duke treguar mosrespektim ndaj tjetrit, e sidomos kur ndizet flamuj shtetëror, do të duhet të përballet me organet e rendit dhe të jap llogari.

Festat e tilla simbolizojnë tolerancën dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, prandaj dje qytetarët shqiptarë festuan në formën më të mirë të mundshme, në shkolla, sheshe, e në kryeqytet, me flamuj të mbështjellë rreth qafës e buzëqeshje gjithandej.

Koalicioni VLEN është i përkushtuar maksimalisht për stabilitet dhe progres pa asnjë kompromis!

ASH-Sela: E dënojmë ashpër përdhosjen e flamurit shtetëror dhe djegien e flamurit shqiptar

Nga ASH-Sela përmes një reagimi thonë se dënojnë ashpër ngjarjet e djeshme ku u dogj flamuri i Maqedonisë së Veriut, por edhe ai i Shqipërisë, nga grupe të ndryshme, përcjell TV21. Nga ASH Sela thonë se duhet të dënohet çdo formë e dhunës.

“Të gjithë flamujt e popujve të botës meritojnë respekt. E dënojmë ashpër përdhosjen e flamurit shtetëror dhe djegien e flamurit shqiptar, pasi gjeste të tilla janë të papranueshme dhe të papajtueshme me vlerat qytetare. Kryerësit e këtyre veprave të shëmtuara nuk i kanë bërë nder as flamurit, as kombit të tyre. Atmosfera festive dhe pozitive në çdo cep të vendit nuk duhet dhe nuk mund të zbehet nga akte të tilla të izoluara. Çdo formë dhune është e papranueshme në vendin tonë dhe duhet të dënohet pa kompromis nga të gjitha palët”, thuhet në kumtesën e ASH-Sela.

Kostadinov i LSDM-së kërkon bashkimin e partive maqedona

Kryetari i Komunës së Strumicës nga radhët e LSDM-së, Kosta Kostadinov ka kërkuar bashkimin e të gjitha partive maqedonase, siç thotë ai, në mbrojtje të dinjitetit dhe indit maqedonas.

Ai këtë reagim e ka bërë si shkak i përdhosjes së flamurit të RMV-së mbrëmë gjatë festës së 28 nëntorit në qytetin e Shkupit.

“Të bashkohemi të gjithë, VMRO, LSDM, PRED, PLD, përpara se të jetë shumë vonë. Absolutisht të gjithë. Nuk mund të lejojmë të shkatërrohet indi maqedonas, përderisa në Shkup po digjet dinjiteti maqedonas”, shkruan Kostadinovski.

Kujtojmë se për përdhosjen e flamurit të Maqedonisë, Prokuroria Publike ka kërkuar paraburgim për tre persona të arrestuar mbrëmë.

Prokuroria nis hetimet për djegien e Flamurit shtetëror

Nga Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut njoftojnë se kanë nisur hetimet për ngjarjen e mbërmshme të djegies të Flamurit shtetëror. Nga atje thonë se është njoftuar prokurori publik dhe se po merren veprime për zbardhjen e ngjarjes.

“Është njoftuar prokurori publik, po ndërmerren veprime për zbardhjen e ngjarjes, njofton Prokuroria Publike.









The post Incidentet’28: Reagime të shumta nga qarqet politike në vend appeared first on Flaka, në çdo lajm... .