Këshilli për Parandalimin e Delikuencës në Tetovë: Shkollat e mesme në fokus gjatë 2024 kurse filloret do të jenë në 2025
Përdorimi i narkotikëve, dhuna, pjesëmarrja në krime, vjedhjet dhe shumë sjellje të tjera devijante janë të pranishme te nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Tetovë. Për më tepër se një vit e gjysmë këtyre sjelljeve luftë të hapur u ka shpallur Këshilli Komunal për Parandalimin e Delikuencës në Tetovë. Në vitin 2024 ky […]


Përdorimi i narkotikëve, dhuna, pjesëmarrja në krime, vjedhjet dhe shumë sjellje të tjera devijante janë të pranishme te nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Tetovë. Për më tepër se një vit e gjysmë këtyre sjelljeve luftë të hapur u ka shpallur Këshilli Komunal për Parandalimin e Delikuencës në Tetovë. Në vitin 2024 ky këshill punën e kishte të fokusuar më tepër në shkollat e mesme, kurse në 2025 do të jenë më të fokusuar në shkollat fillore. Portalb.mk zbardhi raportin e punës për vitin e kaluar dhe planin për vitin 2025.
Portalb.mk sjell në pika të shkurta se çfarë punoi ky Këshill dhe cilat janë planet për këtë vit.
Çfarë u bë në vitin 2024?
- Punëtori dhe ligjërata “Parandalimi i Bullizmit – dhunës mes moshatarëve” dhe “Shkolla të sigurta” në gjashtë shkolla të mesme.
- Takime me drejtorët dhe shërbimet profesionale, ku është realizuar anketa “Siguria në shkolla” .
- Debat Publik “Shkolla të Sigurta”.
- Dy Punëtori për sëmundjet e varësisë me nxënësit e shkollave të mesme “Vetëdijesimi i të rinjve rreth ndikimit negativ të narkomanisë si faktor kriminogjen”.
Cilat janë planet për 2025?
- Hulumtimi dhe analiza e dokumentacionit ekzistues të të gjitha shkollave të mesme dhe fillore, IP QPS Tetovë, Gjykata Themelore Tetovë, SPB Tetovë dhe të dhënat nga sektori civil që merret me këtë problematikë.
- Përcaktimi dhe definimi i faktorëve të rrezikut, socio-ekonomik, demografik, etnik, arsimor dhe edukativ .
- Bashkëpunimi me KKPDF nga komunat fqinje me qëllim të shkëmbimit të informacioneve, përvojave, lidhur me problematikat e përbashkëta.
- Organizimi i debateve publike, tribunave, debateve, emisioneve kontaktuese të mediave lokale që do të kenë qasje tematike.
- Organizimi i punëtorive edukative për grupe të veçanta të synuara (prindër, nxënës, arsimtarë).
- Zhvillimi i projekteve për përfshirjen e komunitetit në parandalimin dhe njohjen me të drejtat e fëmijëve.
- Promovimi i vullnetarizmit si një formë e përfshirjes së komunitetit në zgjidhjen e problemeve me delikuencën e fëmijëve.
Për zbatimin e planit të përgjithshëm të veprimit për vitin 2025 janë parashikuar 300,000 denarë në programin për mbrojtjen sociale.
Delikuenca e fëmijëve sipas Këshillit për Parandalimin e Delikuencës duhet të shqyrtohet në një kuptim më të gjerë, jo vetëm duke marrë parasysh këto veprime për të cilat ligji parashikon sanksione, por edhe shkeljen e rregullave të tjera të shkruara ose të pashkruara që kanë të bëjnë me të miturit.
“Si mungesa e pajustifikuar ose ikja nga mësimi, ikja nga shtëpia, sjellje të pahijshme, ose sjellje poshtëruese ndaj prindërve, mësuesve, bashkëmoshatarëve dhe përgjithësimit në mjedis, vizita në lokale të basteve – lojërat e fatit, konsumimi i alkoolit, shoqërimi me njerëz që janë të prirur për të kryer vepra penale ose kundërvajtëse ose forma të tjera të sjelljes së papranueshme shoqërore”, thonë nga Këshilli për Parandalimin e Delikuencës.
Në drejtim të parandalimit të sjelljeve devijante, më 17 maj 2023 në Tetovë u formua Këshilli Komunal për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve i cili numëron 17 anëtarë me përfaqësues nga institucione të ndryshme.
Ky këshill është obligim ligjor sipas Ligjit për drejtësinë e fëmijëve i cili duhet të themelohet në të gjitha komunat në vend, por që jo të gjitha e kanë formuar.
Ekspertët vazhdimisht kanë apeluar që në parandalimin e sjelljeve devijante te të rinjtë nevojitet bashkëpunim më i madh i prindërve, shkollave dhe institucioneve.