‘Incidenti’ mes Sveçlës dhe aktivistit të LDK-së, Krasniqi: Nuk pati asnjë shkelje të rregullave zgjedhore
Një incident në mes ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe një aktivisti që mbante emblemën e Lidhjes Demokratike të Kosovës jashtë rrethojave të shkollës “Faik Konica”, ka nxitur reagime. Sveçla derisa po kalonte sheshit, afër rrethojave të shkollës “Faik Konica” ndaloi tek një aktivist i LDK-së, i cili mbante emblemën e


Një incident në mes ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe një aktivisti që mbante emblemën e Lidhjes Demokratike të Kosovës jashtë rrethojave të shkollës “Faik Konica”, ka nxitur reagime.
Sveçla derisa po kalonte sheshit, afër rrethojave të shkollës “Faik Konica” ndaloi tek një aktivist i LDK-së, i cili mbante emblemën e partisë, duke i thënë se po shkelte rregullat zgjedhore. Pas kësaj, reagoi aktivisti duke i thënë se ndodhet jashtë rrethojave të shkollës, nuk guxon të bëjë fotografi dhe do të shihen në gjykatë. E lidhur me këtë incident reagoi njohësi i procesit zgjedhor, Albert Krasniqi.
Krasniqi në një postim në Facebook shkruan se sipas rregullave zgjedhore të KQZ-së, hapësira e Qendrave të Votimit ku ndalohet të shfaqen materiale të fushatës zgjedhore përfshin vetëm hapësirën e brendshme të qendrës deri në rrethojat e saj.
“Në ligjin e mëparshëm për zgjedhje, kufizimi ishte deri në 25 metra nga dera e hyrjes së ndërtesës, por ajo dispozitë tashmë nuk është më në fuqi. Pra, edhe nëse do të kishte ndonjë shkelje, raportimi duhet të bëhet në institucionet përkatëse – jo të merret vet në dorë zbatimi i ligjit”, tha ai.
Sipas Krasniqi, sot, ministri i Punëve të Brendshme, në vend se të garantojë rendin dhe sigurinë për të gjithë qytetarët njësoj, fotografon dhe kërcënon një zyrtar të një partie politike që po kalonte rrugës pranë një qendre votimi – pa asnjë shkelje të rregullave zgjedhore.
“Ky veprim është i papranueshëm dhe bie ndesh me parimet themelore të neutralitetit institucional gjatë procesit zgjedhor. Ministri i Punëve të Brendshme, si përfaqësues i një institucioni që ka rol kyç në sigurinë publike gjatë zgjedhjeve, duhet të ruajë neutralitet të plotë politik. Ndërhyrja e tij në situata të tilla është presion politik dhe intimidim ndaj qytetarëve apo zyrtarëve të partive.
Në një demokraci funksionale, ministrat duhet të jenë shembull i ndarjes së qartë mes shtetit dhe partisë – jo ta zbehin atë kufi”, shkruan Krasniqi. /Telegrafi/
Xhelal Sveçla ankohet se një person i LDK-së po thyen heshtjen zgjedhore
