Indeksi i pjesëmarrjes së të rinjve në RMV: Barrierat sociale i largojnë të rinjtë nga përfshirja në komunitet
Si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë lokal përqindja e të rinjve të përfshirë në jetën politike në Maqedoninë e Veriut është shumë e vogël. Një e katërta e të rinjve nuk janë të punësuar, nuk arsimohen e as nuk trajnohen, ndërsa numri i studentëve të regjistruar dhe të diplomuar në arsimin e lartë […]
Si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë lokal përqindja e të rinjve të përfshirë në jetën politike në Maqedoninë e Veriut është shumë e vogël. Një e katërta e të rinjve nuk janë të punësuar, nuk arsimohen e as nuk trajnohen, ndërsa numri i studentëve të regjistruar dhe të diplomuar në arsimin e lartë gjithashtu është në rënie. Të rinjtë mbeten një grup i cenueshëm i cili është në rrezik nga varfëria, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Këto janë konkluzionet e Indeksit të pjesëmarrjes së të rinjve, i cili raporton për pjesëmarrjen politike, sociale dhe ekonomike të të rinjve në Maqedoni në vitin 2023, e që është i përgatitur nga Unioni Rinor – Krushevë.
Në vitin 2023 Maqedonia e avancoi përkushtimin e saj për zhvillimin e të rinjve duke e miratuar Strategjinë Kombëtare për të Rinjtë 2023-2027 dhe Planin e Veprimit (2023-2025) – një kornizë gjithëpërfshirëse që u referohet disa fushave, siç është pjesëmarrja e të rinjve, informimi i të rinjve, puna rinore, arsimi, kultura, shëndetësia, sipërmarrja dhe siguria. Kjo është strategjia e tretë shtetërore për rininë dhe e thekson nevojën për përgjegjësi të qartë institucionale për zgjidhjen e kushteve dhe sfidave të të rinjve në vendin tonë.
Institucioni përgjegjës për zbatimin e kësaj strategjie është Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ndërsa strategjitë e mëparshme janë përballur me sfida domethënëse gjatë implementimit, me ç’rast shpeshherë nuk ishin paraparë mekanizma për ta drejtuar përgjegjësinë për rezultatet.
“Nevojitet një kornizë më e fortë që institucionet të mund të thirren në përgjegjësi dhe për të siguruar që përpjekjet për përmirësimin e kushteve për të rinjtë të kthehen në rezultate të prekshme”, thuhet në Indeks.
Pjesëmarrja në politikë, të rinjtë pothuajse të përjashtuar nga vendimmarrja
Vetëm 1,66 përqind e deputetëve në përbërjen e kaluar parlamentare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut kanë qenë të rinj nën moshën 29 vjeçare. Në vitin 2023 në Qeveri nuk kishte asnjë ministër të ri, ndërsa në mesin e kryetarëve të komunave të rinj janë vetëm 1,23 përqind.
Edhe pse ekziston një Ligj për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat Rinore, si dhe një Strategji Kombëtare për të Rinjtë, shifrat flasin për një pjesëmarrje të ulët politike midis të rinjve, gjë që e thekson paradoksin midis përpjekjeve të investuara dhe rezultateve të arrira.
“Mossuksesi për vendosjen e të rinjve në pozita kyçe vendimmarrëse në nivel kombëtar dërgon një mesazh të qartë se ata nuk janë të rëndësishëm apo se nuk ka vend për ta, pavarësisht se në thelb prej tyre priten ndryshime dhe progres. Kjo mungesë e përfshirjes jo vetëm që e minon potencialin e tyre, por gjithashtu mbyt inovacionin dhe zhvillimin afatgjatë që mund ta sjellë pjesëmarrja e tyre aktive”, thuhet në Indeksin e Pjesëmarrjes të të Rinjve.
Një e katërta e të rinjve nuk punojnë, studiojnë apo nuk ndjekin trajnime
Të rinjtë vazhdojnë të përballen me sfidat për të gjetur një punë, ashtu si edhe në vitet e mëparshme, me ç’rast një pjesë e madhe përballen me papunësi afatgjatë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme nuk janë të angazhuar as për të gjetur punësim, e as për arsim dhe trajnim, gjë që njihet si shkalla e “NEET”.
Në vitin 2023 përqindja e të rinjve NEET në Maqedoni ishte 24,1 përqind, pothuajse identike me atë të vitit 2021. Një rënie të lehtë të përqindjes së të rinjve NEET ka pasur në vitin 2022, kur kjo përqindje ka qenë 22,8 përqind.
Treguesit për papunësinë tregojnë për një rënie të vazhdueshme të lehtë por të qëndrueshme – nga 29,6 përqind në vitin 2020 në 24,9 përqind në vitin 2023.
Shkalla e papunësisë afatgjatë tregon për përmirësim të ndjeshëm, me ç’rast në vitin 2023 është shënuar përqindja më e ulët gjatë periudhës së monitorimit – 16,9 përqind.
“Kjo tregon se efektet negative të pandemisë në punësimin e të rinjve në masë të madhe tashmë i përkasin të kaluarës”, theksohet në dokument.
Shkalla e pjesëmarrjes të të rinjve në fuqinë punëtore është 44,8 përqind – përqindja më e ulët në periudhën katërvjeçare. Për krahasim, në vitin 2021 kjo përqindje ishte 54,6 përqind, ndërsa në Indeks është shënuar se kjo mund t’i atribuohet trendit në rritje të mobilitetit arsimor dhe profesional, si dhe emigracionit.
Shkalla e punësimit tek të rinjtë mbetet e qëndrueshme dhe konstante – në 33.6 përqind.
Pothuajse një e katërta (24,4 përqind) e numrit të përgjithshëm të aplikantëve në Agjencinë e Punësimit janë të rinj që kanë filluar bizneset e tyre me mbështetje financiare nga shteti.
Nga ana tjetër, përqindja e të rinjve të vetëpunësuar në Maqedoni mbetet jashtëzakonisht e ulët – 1,01 përqind në vitin 2023, me një rënie krahasuar me vitin 2022 dhe vitin 2023.
“I vetmi dokument strategjik në vend që trajton procesin e ikjes së të rinjve të arsimuar është Strategjia Kombëtare për Rrjetëzimin, Bashkëpunimin dhe Parandalimin e Largimit të Kuadrove me Arsim të Lartë dhe Profesional (2013–2020). Por, ajo nuk fokusohet konkretisht tek të rinjtë dhe nuk është vazhduar për periudhën e ardhshme. Strategjitë kombëtare për të rinjtë përgatiten dhe prezantohen në vazhdimësi dhe në vitin 2018 u prezantua edhe masa e Garancisë për Rininë”, thuhet në Indeksin për Pjesëmarrjes e të Rinjve.
“Këto dokumente dhe masa kanë për qëllim ta përmirësojnë cilësinë e jetës, punësimit dhe standardit të jetesës së të rinjve, me qëllimin e vetëm, mbajtjen e tyre në vend. Megjithatë, sipas studimit të fundit të të rinjve në Maqedoninë e Veriut për vitin 2024, 68% e të rinjve kanë dëshirë të largohen jashtë vendit dhe kjo përqindje është më e larta në mesin e të 12 vendeve të rajonit”, shtohet në dokument.
Të rinjtë në rrezik nga varfëria
Enti Shtetëror i Statistikave nuk disponon me të dhëna për të rinjtë në rrezik nga varfëria për vitin 2023, gjë që, sipas autorëve të dokumentit, e konfirmon praktikën e mëparshme “të të dhënave për të rinjtë të padisponueshme për publikun”, e cila, nga ana tjetër, e bën të vështirë planifikimin e politikave adekuate për ta.
Megjithatë, të dhënat e fundit të disponueshme që i referohen vitit 2021 tregojnë se shkalla e personave të rrezikuar nga varfëria në vend ka qenë 23 përqind, një rritje kjo krahasuar me vitet e mëparshme.
“Nëse e analizojmë strukturën e familjeve që jetojnë nën pragun e varfërisë, vihet re një rritje e ndjeshme e familjeve me të cilët vazhdojnë t’i mbulojnë nevojat financiare të fëmijëve të tyre, sidomos tek familjet e mëdha dhe familjet me një prind, gjë që na çon në përfundimin se po rritet edhe numri i të rinjve në rrezik nga varfëria”, thuhet në Indeksin për Pjesëmarrjen e të Rinjve.
Vihet re edhe një rënie e përqindjes të të rinjve që janë pjesë e sistemit të mbrojtjes sociale (27,47 përqind), edhe pse kjo përqindje vazhdon të jetë ende jashtëzakonisht e lartë.
“Duke qenë se nuk ka analiza të hollësishme dhe më të thella të gjendjes, arsyeve të hyrjes apo daljes nga sistemi i mbrojtjes sociale, mund të supozojmë se kjo vjen si pasojë e uljes së papunësisë tek të rinjtë, zbatimit të Garancisë për të rinjtë dhe largimit të të rinjve. ”, thuhet në këtë dokument.
Ndërkohë, shpërndarja aktuale e shërbimeve sociale të cilat i ofron shteti nuk garanton barazi në të gjitha pjesët e vendit.
“Për ta ilustruar situatën aktuale, në regjistrin e ofruesve të licencuar të shërbimeve sociale të Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë janë regjistruar 133 ofrues shërbimesh, nga të cilët vetëm tek një prej tyre thuhet “Qendër Këshillimore për të rinjtë në rrezik nga abuzimi me drogën dhe familjet e tyre”. ndërsa të tjerët i referohen një popullate më të gjerë grupesh të cenueshme, përfshirë këtu të rinjtë me aftësi të kufizuara, por nuk fokusohen në sfidat dhe specifikat e grupmoshës së të rinjve”, thuhet në dokument.
Reduktohet numri i studentëve të regjistruar dhe të diplomuar
Shkalla e braktisjes së arsimit të mesëm ka rënë nga 0,85 në 0,51 përqind. Por, ka rënë edhe numri i të rinjve të regjistruar në arsimin e lartë dhe i të rinjve që e kanë përfunduar arsimin e lartë.
Sipas autorëve të Indeksit, kjo mund të jetë si pasojë e prezantimit të arsimit të mesëm profesional, i cili u mundëson të rinjve të gjejnë më lehtë një punë pas përfundimit të arsimit të mesëm, por edhe si pasojë e largimit të të rinjve që vazhdojnë shkollimin jashtë vendit.
Indeksi i Pjesëmarrjes të të Rinjve e thekson nevojën për një mbledhje sistematike të të dhënave, krijimin e politikave dhe reformave në fushat kyçe si arsimi, punësimi dhe mbrojtja sociale. Rekomandimet e theksojnë nevojën për një mbështetje më të madhe për sipërmarrjen, zhvillimin e aftësive digjitale dhe të gjelbra, si dhe për reduktimin e pabarazive rajonale. Gjithashtu, kërkohet krijimi i platformave për ta lehtësuar pjesëmarrjen e të rinjve në politikë, si dhe mbështetje e synuar për kategoritë e cenueshme. E gjithë kjo ka për qëllim t’i ndihmojë të rinjtë të bëhen pjesëmarrës aktivë në shoqëri dhe nxitës të ndryshimeve pozitive.