Antikorrupsioni ka nisur hetim për udhëtimet e zyrtarëve të RMV-së në Uashington

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) pas reagimeve të shumta në opinion ka hapur lëndë për udhëtimet e zyrtarëve nga Republika e Maqedonisë së Veriut për inaugurimin e presidentit amerikan Donald Trump, raporton Portalb.mk. “Në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit është hapur lëndë lidhur me akuzat që i keni potencuar në pyetjen tuaj […]

Jan 24, 2025 - 08:00
 0  5
Antikorrupsioni ka nisur hetim për udhëtimet e zyrtarëve të RMV-së në Uashington
Arben Taravari, Zeqirija Ibrahimi, Afrim Gashi dhe Izet Mexhiti. Foto e marrë nga profilet e tyre në Facebook. Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) pas reagimeve të shumta në opinion ka hapur lëndë për udhëtimet e zyrtarëve nga Republika e Maqedonisë së Veriut për inaugurimin e presidentit amerikan Donald Trump, raporton Portalb.mk.

“Në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit është hapur lëndë lidhur me akuzat që i keni potencuar në pyetjen tuaj gazetareske. Pas konstatimit të gjendjes faktike, Komisioni Shtetëror do të marrë vendim që do të shpallet publikisht.”

Kështu u përgjigjën nga KSHPK-ja në pyetjen e Portalb.mk se a ka hapur Komisioni hetim pas thirrjeve të opozitës në lidhje me transparencën e udhëtimit të krerëve qeveritarë në Uashington.

Paraprakisht partitë opozitare kanë kërkuar që Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit të kërkojë llogari dhe transparencë nga politikanët për udhëtimet e fundit të krerëve të koalicionit qeveritar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Antikorrupsion që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të hetuar dhe zbardhur transparencën e plotë të udhëtimeve të liderëve partiak në pushtet dhe kryeministrit në inaugurimin e presidentit amerikan Donald Trump”, porositën nga Aleanca për Shqiptarët (krahu i Ziadin Selës).

Ndërsa nga Bashkimi Demokratik për Integrim kërkuan që “Prokuroria Kundër Korrupsionit të nisë një hetim të plotë dhe të paanshëm mbi këtë skandal”.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, njëherit ministër i Shëndetësisë në një prononcim për TV21 tha se biletën e avionit dhe qëndrimin e ka paguar vetë, ndërsa tiketën për inagurimin e Trumpit siç tha ai, ia kanë paguar miqtë në SHBA.

“Pavarësisht kritikave, unë them se tiketën apo biletën ma kanë siguruar miq, të cilët i kemi në SHBA. Nuk kam paguar asnjë denar. Harxhimet për biletën e avionit dhe hotelin atje e kam paguar privatisht unë. Ndjehem shumë krenar që mora pjesë në disa manifestime gjatë procedurës së inaugurimit të një presidenti amerikan, vërtet është kënaqësi e veçantë që të mundesh të marrish pjesë. Më vjen keq nëse dikush nuk mund të shkonte, por unë nuk desha ta lëshojë këtë shansë edhe sugjerimet e miqve që i konsideroj shumë të sinqertë ishte që mirë është të jem atje dhe isha atje”, tha Taravari për TV21.

Ndryshe, i pari i partisë Alternativa, Zeqirija Ibrahimi, në një prononcim për Lajm TV, tha se ata morën pjesë në inagurim me ftesë të organizatorëve, ndërsa reagimet e partive opozitare i quajti gjepura.

“Në kohën që dikush në këtë vend po futet në listat e zeza amerikane dhe një parti është shpallur partia non-grata, një delegacion i lartë qeveritar dhe politik ishte pjesëmarrës në Uashtingon, në inaugurimin e presidentit Tramp dhe ky është lajmi më i mirë dhe më i rëndësishëm në vendin tonë. Andaj nuk kisha dashur që me gjepura të reagimve opozitare të mbulohet një mal i një suksesi të këtillë. Çështja se kush na ftoi, ne i kemi ftesat zyrtarë dhe nëse aq shumë është e rëndësishme, ne mund edhe t’i publikojmë. Organizatorët e inaugurimit na kanë ftuar të marrim pjesë në ceremoninë e inaugurimit”, tha mes tjerash Ibrahimi.

Tema e udhëtimit të kreut qeveritarë në Uashington ka karakterizuar debatin publik në vend. Pozita është lavdëruar me prezencën e saj në Uashington, derisa opozita ka këmbëngulur se asgjë e rëndësishme nuk e ka veçuar udhëtimin, përveç se promovimin e interesit personal.

Në Uashington kanë udhëtuar kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Jashtëm Timço Mucunski, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Izet Mexhiti, ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, kryetari i Alternativës Zeqirija Ibrahimi.

Kujtojmë se inaugurimi i presidentit të ri amerikan Donald Trump u mbajt më 20 janar. Sipas mediave amerikane Trumpi është presidenti i parë i zgjedhur në mbi një shekull që fton udhëheqësit e huaj në ceremoninë e tij të betimit. Historikisht, në këtë ngjarje kanë marrë pjesë diplomatët e huaj dhe ambasadorët.