Zgjidhjet për problemin me lindanin në Pelenicë do të kushtonin nga një deri në 85 milionë euro

Zgjidhja e problemit me lindanin toksik në Pelenicë në afërsi të Draçevës do të kushtonte nga një deri në 85 milionë euro. Deponia e vetme me këtë pesticid, e cila ndodhet jashtë oborrit të OHIS-it, mund të trajtohet në tre mënyra të ndryshme, nga të cilat vetëm me më të shtrenjtën do mund të bëhej […]

Jan 24, 2025 - 08:00
 0  4
Zgjidhjet për problemin me lindanin në Pelenicë do të kushtonin nga një deri në 85 milionë euro
Lokacioni Pelenica ku është depozituar lindani i fituar gjatë punimit të OHIS-it; Foto: Meta.mk

Zgjidhja e problemit me lindanin toksik në Pelenicë në afërsi të Draçevës do të kushtonte nga një deri në 85 milionë euro. Deponia e vetme me këtë pesticid, e cila ndodhet jashtë oborrit të OHIS-it, mund të trajtohet në tre mënyra të ndryshme, nga të cilat vetëm me më të shtrenjtën do mund të bëhej gërmimi dhe shkatërrimi i plotë i lindanit, sipas shembullit të pastrimit të deponisë të vogël, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor pak më shumë se dy vjet më parë bëri analiza të cilat nxorën në pah se në Pelenicë është depozituar një sasi e madhe prej rreth 40.000 ton mbetje të HCH me koncentrim të lartë, 6.500 ton mbetje të kontaminuara me HCH nga fabrika e qelqit dhe 16.700 ton mbeturina shtesë nga prodhimi i qelqit.

Nga Ministria thonë se në periudhën në vijim do të kryhen analiza shtesë që do të mundësojnë përpilimin e një analize të rrezikut dhe që do të mundësojë identifikimin e shkallës së ndikimit të kësaj deponie ndaj shëndetit dhe mjedisit jetësor.

Përveç pastrimit të plotë, zgjidhje potenciale për Pelenicën është edhe mbulimi i zonës për ta parandaluar depërtimin e ujërave të shiut në këto mbetje, ose gërmimi, instalimi i një shtrese në fund dhe mbulimi i lokacionit, me çka parashihet se lindani do të izolohet dhe do të mbrohet, por edhe se do të mbetet në këtë lokacion.

Sipas përllogaritjeve shpenzimet e parashikuara për opsionin e parë do të ishin rreth një milion euro, për të dytin rreth 18 milionë euro, ndërsa për atë më të shtrenjtin rreth 85 milionë euro.

“Opsioni minimal nënkupton parandalimin e migrimit të ndotësve brenda dhe jashtë lokacionit, gjë që arrihet me mbulimin e zonës për ta parandaluar kontaktin e drejtpërdrejtë dhe depërtimin e ujërave të shiut. Opsioni i mesëm parashikon gërmimin e të gjitha mbetjeve, vendosjen e një baze në fund dhe mbulimin e lokacionit, ndërsa opsioni maksimal i eliminon të gjitha rreziqet ekologjike me gërmimin e të gjithë deponisë dhe asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme”, informojnë nga Ministria.

Nga atje për këtë vit nuk paralajmërojnë për ndonjë aktivitet konkret në lidhje me Pelenicën, duke qenë se në Fondin Multipartnerial, i krijuar nga Qeveria për të mobilizuar fonde nga më shumë burime për ta zgjidhur problemin historik me mbetjet të OHIS-it, aktualisht po mblidhen para për ta përfunduar pastrimin e deponisë të vogël.

Pak kohë më parë kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryetari i Komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, njoftuan rikonstruimin e rrugës lokale Draçevë-Pelenicë, e cila kalon në afërsi të deponisë. Kjo pjesë e rrugës është e gjatë rreth 3,3 kilometra, ndërsa do të jetë gjashtë metra e gjerë dhe nga njëra anë do të ndërtohet edhe një trotuar. Nga Ministria thonë se nuk janë njoftuar për planin e autoriteteve lokale, por theksojnë se për çdo aktivitet që kryhet dhe ka ndikim në mjedisin jetësor duhet të merren lejet përkatëse.

Gjorgjievski thotë se rikonstruimi dhe zgjerimi i rrugës nuk do të bëhet afër deponisë.

“Zgjerimi dhe trotuari do të ndërtohen në anën e kundërt, që do të thotë se nuk do të ketë asnjë rrezik as gjatë punimeve ndërtimore dhe as më vonë. Sigurisht, si kryetar komune dhe si banor i komunës, besoj se do të ishte mirë që sa më parë të gjendet një zgjidhje për deponinë, të pastrohet dhe të sigurohet që të mos ketë më asnjë rrezik për vizitorët e këtij lokacioni”, tha Gjorgjievski.