Ja kur do të falet namazi i Kurban Bajramit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka njoftuar të gjithë besimtarët myslimanë se Kurban Bajrami do të falet ditën e mërkurë, më 27 maj, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë. Sipas njoftimit zyrtar, në ora 06:00 do të hapet programi, ndë...

maj 25, 2026 - 16:00
Ja kur do të falet namazi i Kurban Bajramit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka njoftuar të gjithë besimtarët myslimanë se Kurban Bajrami do të falet ditën e mërkurë, më 27 maj, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar, në ora 06:00 do të hapet programi, ndërsa falja e namazit të Bajramit do të nisë nga ora 06:30, transmeton Klankosova.tv.

Gjithashtu bëhet e ditur se pritjet tradicionale me rastin e festës së Kurban Bajramit do të zhvillohen në selinë e KMSH-së, nga ora 09:00 deri në orën 12:00.

PROGRAMI I PLOTË I FALJES SË KURBAN BAJRAMIT:

06:00 – Hapja e programit

06:05 – Lexim Kurani, Hafiz Enes Hyka

06:10 – Fjala përshëndetëse e Kryetarit të KMSH-së, H. Bujar Spahiu

06:20 – Ligjëratë nga Nënkryetari i KMSH-së, z. Taulant Bica

06:30 – Falja e namazit të Bajramit, prin Kryetari i KMSH-së

06:35 – Hutbeja e Bajramit nga Myftiu i Tiranës, z. Bilal Teqja

Falja e Namazit në Kosovë

Kurban Bajrami do të falet të mërkurën, më 27 maj 2026, në orën 05:40 në të gjitha xhamitë e Kosovës.

Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë të ditur se kjo është data zyrtare e festës, duke njoftuar besimtarët për organizimin e riteve fetare dhe manifestimit qendror në Prishtinë.

Manifestimi qendror për territorin e Kosovës do të mbahet në Xhaminë e Madhe, duke filluar në orën 04:25 me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të mbahet ligjëratë tematike nga Arbnor ef. Sinani.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton besimtarët dhe opinion e gjerë se dita e parë e festës së Kurban Bajramit, është ditën e mërkurë, më 27 maj 2026.Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.Manifestimi fillon në orën 4:25, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, të cilën do ta mbajë Arbnor ef. Sinani – kryeimam i Këshillit të Bashkësisë Islame në Skenderaj”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.

Namazit të Kurban Bajramit do t’i prijë Mustafë ef. Dallku, ndërsa hytben e festës do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava.

“Namazi i Kurban Bajramit falet në orën 5:40, të cilit do t’i prijë Mustafë ef. Dallku, ndërsa hytben – mesazhin e Kurban Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava”, ka njoftuar BIK-u.

Me rastin e festës, Bashkësia Islame e Kosovës do të organizojë edhe pritje tradicionale në selinë e saj në Prishtinë nga ora 09:00 deri në 12:00, ku pritet të marrin pjesë besimtarë dhe përfaqësues institucionalë.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë ua uron festën e Kurban Bajramit, duke e lutur Zotin që të na pranoj haxhin, kurbanin, lutjet dhe ibadetet tona. Me fat festa e Kurban – Bajramit!”.

Falja e Namazit në Maqedoninë e Veriut

Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut ka publikuar orën e faljes së namazit të Kurban Bajramit, i cili festohet të mërkurën, më 27 maj 2026.
Manifestimi qendror i Kurban Bajramit do të mbahet në Xhaminë “Mustafa Pasha” në Shkup, ku besimtarët myslimanë do të kenë mundësinë të ndjekin programin fetar të organizuar me rastin e kësaj feste të madhe.

Falja e namazit të sabahut do të bëhet në ora 04:29, lindja e diellit është paraparë në ora 04:59, ndërsa falja e namazit të Bajramit do të zhvillohet në ora 05:45.
Me këtë rast, Bashkësia Fetare Islame u ka uruar të gjithë besimtarëve festën e Kurban Bajrami.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.