Kallëzim penal ndaj një televizioni në Maqedoninë e Veriut për dyshime për pastrim parash

LSDM ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Maqedonisë së Veriut, për shkak të “ekzistimit të dyshimeve serioze për një skemë të organizuar të pastrimit të parave, evazion fiskal dhe falsifikim të librave afaristë”. Sipas njoftimit të LSDM-së, kallëzimi është paraqitur kundër disa personave fizikë dhe juridikë, ndër të cilët edhe Peter Schatz, pronar […]

Prill 17, 2026 - 01:30
Kallëzim penal ndaj një televizioni në Maqedoninë e Veriut për dyshime për pastrim parash

LSDM ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Maqedonisë së Veriut, për shkak të “ekzistimit të dyshimeve serioze për një skemë të organizuar të pastrimit të parave, evazion fiskal dhe falsifikim të librave afaristë”.

Sipas njoftimit të LSDM-së, kallëzimi është paraqitur kundër disa personave fizikë dhe juridikë, ndër të cilët edhe Peter Schatz, pronar shumicë i Alfa TV-së, si dhe drejtuesit e “Target Media” dhe “Alfa Skop” SHPK, për shkak të “dyshimeve të bazuara për kryerjen e disa veprave penale”.

“Ekzistojnë indikacione të bazuara se nga viti 2017 e këndej, përmes një rrjeti ndërkombëtar transaksionesh janë transferuar rreth 2.85 milionë euro nga jashtë drejt Maqedonisë, të cilat më pas kanë përfunduar në Alfa TV. Këto mjete janë fshehur përmes kontratave fiktive për marketing dhe reklama me kompani që nuk kanë aktivitet real ekonomik në tregun maqedonas. Përmes të ashtuquajturave kompani ‘shell’ janë anashkaluar ligjet për transparencën e pronësisë dhe financimit të mediave”, pretendon kjo parti opozitare.

Sipas LSDM-së, “Policia Financiare tashmë ka konstatuar se bëhet fjalë për ‘shërbime marketingu të dyshimta’ me qëllim fshehjen e origjinës së parave”.

“Ekzistojnë dyshime të bazuara se janë lidhur kontrata joligjike dhe janë futur të dhëna të pavërteta në librat afaristë, me qëllim legalizimin e kapitalit të dyshimtë. Ka dyshime serioze për pastrim parash përmes reklamave të rreme dhe kapitalit të dyshimtë si burim financimi. Për këtë ka pasur një procedurë të nisur, e cila duket se mbahet në sirtar. Liria e mediave nuk nënkupton liri për pastrim parash, as shërbim në interes të regjimeve të huaja autoritare”, thuhet në reagimin e LSDM-së.(INA)