Kërkoi interpelancë në Kuvend, Balluku i përgjigjet Agron Shehajt: I vetmi vlonjat frikacak që njoh…

Belinda Balluku i është përgjigjur ashpër deputetit Agron Shehaj, i cili me tone të larta i kërkoi sot llogari në Kuvend, kryeparlamentares Elisa Spiropali, se kur do të zhvillohet interpelanca e kërkuar prej tij me zv/kryeministren. “Zonja kryetare, kam 6 muaj që kam kërkuar interpelancë me ministren Balluku. Keni 6 muaj që e shtyni. Si […]

dhjetor 12, 2024 - 23:00
 0  9
Kërkoi interpelancë në Kuvend, Balluku i përgjigjet Agron Shehajt: I vetmi vlonjat frikacak që njoh…

Belinda Balluku i është përgjigjur ashpër deputetit Agron Shehaj, i cili me tone të larta i kërkoi sot llogari në Kuvend, kryeparlamentares Elisa Spiropali, se kur do të zhvillohet interpelanca e kërkuar prej tij me zv/kryeministren.

“Zonja kryetare, kam 6 muaj që kam kërkuar interpelancë me ministren Balluku. Keni 6 muaj që e shtyni. Si mund të ndodhë diçka e tillë? Pse i fshiheni interpelancave? A mund ta di kur keni ndërmend ta lejoni të ndodhë, apo prisni të mbyllet fare Parlamenti”, u shpreh Shehaj.

Por Balluku në reagimin e saj shprehet se Shehaj e ka shmangur me vetëdije përballjen me të në Kuvend, madje duke paraqitur edhe një raport mjekësor, kur ajo kishte shkuar për interpelancë.

“Nuk denjoj zakonisht t’i përgjigjem atyre që luftën për pushtet e bëjnë me topa balte dhe jo me argumente të denja për votën që i ka sjellë këtu, por dy fjalë i kam për të vetmin vlonjat frikacak që kam njohur, i cili me britmat e tij (deri në kufijtë e ndotjes akustike) më kujton atë filmin Beni ecën vetë, kur fëmija kalonte pyllin natën dhe këndonte për të mundur frikën. Tani ti, Goni, që ke vendosur të ecësh vetë duke bërtitur si trim i trembur, more raport mjekësor kur unë erdha në sallën e parlamentit se më kishe kërkuar interpelancë. Nuk e di nga çfarë ke frikë kaq shumë që bërtet dhe gënjen sikur këndon, po nëse kishe frikë nga ish-shokët e partisë që të futeshe në sallën e parlamentit dhe more raport mjekësor, bën mirë të kthehesh te shokët, se nuk ecet vetë duke bërtitur nga frika”, shkruan Balluku.

Më tej, zv/kryeministrja thotë se akuzat e Shehajt janë gënjeshtra që i artikulon me britma. Balluku shprehet se Shehaj është i njëjtë me Partinë Demokratike, forcë nga e cila u largua dhe se përgjigjen ai do ta marrë në zgjedhjet e 11 Majit me votën e shqiptarëve.

“Janë vetëm prova që ti je njësoj si ish-shokët e partisë dhe përgjigjen do ta marrësh njësoj si ata më 11 maj, kur ndryshe nga disa prej tyre që do të vijnë këtu prapë të ndezin qirinj për partinë e ikur për skrap, ti do të ikësh bashkë me partinë, se shqiptarët dinë gjithmonë kë duhet të votojnë, shqiptarët dinë gjithmonë të vlerësojnë punën dhe jo britmat e ulërimat e baltës. Pyet ish-shokët, se ata e dinë më mirë”, nënvizon ajo.