Rama inspekton punimet në kampusin e ri universitar në Korçë
Kryeministri Rama ka inspektuar punimet në kampusin e ri universitar “Poli i Dijes” në Korçë, një hapësirë prej 8500 metër katrorë ndërtim për studentë, jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga rajoni. “Këtu jemi në kantierin e Polit të Dijes, i cili është një nga projektet inovative që bën Fondi i Zhvillimit, që është duke […]

Kryeministri Rama ka inspektuar punimet në kampusin e ri universitar “Poli i Dijes” në Korçë, një hapësirë prej 8500 metër katrorë ndërtim për studentë, jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga rajoni.
“Këtu jemi në kantierin e Polit të Dijes, i cili është një nga projektet inovative që bën Fondi i Zhvillimit, që është duke u realizuar në bashkëpunim me bashkinë dhe universitetin për të krijuar një Pol dije, midis dijes në teori dhe pjesës së aplikimit në praktikë. Ky si projekt është i lidhur dhe me tre projekte të tjera që janë duke u zhvilluar paralelisht. E para është ferma didaktike, 36 hektarë do jetë ferma e mollëve, për të cilën e kemi mbyllur projektin dhe fillon zbatimi së shpejti. Është pjesa e polit të industrisë kreative, së bashku me projektin e ish-maternitetit, që tashmë është funksional, që është kthyer në hotel dhe në një qendër të rinisë. Të gjitha këto të lidhen me këtë Polin e Dijes që do të jenë si laboratore, ku ajo që merret dhe bëhet si kërkim do të aplikohet. Faktikisht kemi dy godina, dhe një lidhje midis historisë dhe resë.”, shpjegoi drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli.
Kryeministri Rama tha se ndërthurja e këtyre projekteve, mund të jetë një shembull i mirë për t’u ndjekur edhe nga institucione të tjera.
“Rektor të ka ardhur një mundësi e madhe për të bërë një hap shembullor edhe për të tjerët se kjo është tamam si një hapësirë që bashkëngjitur me universitetin, këtu vjen jeta në universitet, vjen tregu brenda në universitet”, iu drejtua kryeministri, rektorit të Universitetit.