Koço Angjushev përmes avokatëve i kërkoi FNA-së të mos e përmendin emrin e tij në aktivitete 

Forumi për Ndryshime në Arsim ka pranuar letër nga avokatët e Koço Angjushevit të cilët kërkojnë që aktivistët e kësaj organizate mos të përmendin emrin e tij në aktivitetet e tyre. Ky reagim vjen pak ditë pas aktivitetit gueril të FNA-së në Fakultetin e Makinerisë, ku ata kërkuan nga studentët të kërkojnë këshilla dhe truke […]

Mars 4, 2025 - 19:00
 0  3
Koço Angjushev përmes avokatëve i kërkoi FNA-së të mos e përmendin emrin e tij në aktivitete 
Aksion simbolik nga FNA. Foto nga Forumi për Ndryshime ne Arsim (Facebook)

Forumi për Ndryshime në Arsim ka pranuar letër nga avokatët e Koço Angjushevit të cilët kërkojnë që aktivistët e kësaj organizate mos të përmendin emrin e tij në aktivitetet e tyre. Ky reagim vjen pak ditë pas aktivitetit gueril të FNA-së në Fakultetin e Makinerisë, ku ata kërkuan nga studentët të kërkojnë këshilla dhe truke nga profesori i tyre për mënyrën më të lehtë për të përfunduar në listën e zezë amerikane, raporton Portalb.mk

Nga FNA thonë se Koço Angjushev, personi në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion serioz, përmes një kompanie të avokatëve nga ShBA-të ka dërguar një letër përmes së cilës urdhëron aktivistët e FNA-së të ndalojnë së përdoruri emrin e Angjushevit në aktivitet e tyre dhe nëse nuk zbatojnë urdhrin e tyre, siç thonë, ‘do të ndërmarrin masa tjera’, 

“Avokatët mes tjerash paralajmërojnë se do të ankohen kundër FNA-së në institucionet e ShBA-ve. FNA-ja nuk funksionon nën urdhra, andaj: Koço Angjushev nuk e ka vendin në universitet”, thanë nga FNA. 

Ata shtojnë se secilën herë që një i pasur tenton të përdorë institucionet e shtetit për t’i heshtur aktivistët, demokracia është në rrezik.

“Paditë SLAPP e kanë qëllimin të censurojnë dhe frikësojnë aktivistët – por, t’i tregojë dikush Angjushevit se aktivistët e FNA-së këto veprime jo që nuk na trembin, por vetëm na motivojnë të mos ndalemi. Angjushev është person i përfshirë në korrupsion serioz, dhe jo, këtë nuk e thotë FNA-ja, por raporti i Departamentit të Shtetit”, shtuan nga FNA. 

Mes tjerash ata thanë se aktivistët e FNA-së së fundmi kanë pranuar thirrje telefonike të dyshimta dhe e-maile me tone kërcënuese.

“Për të gjitha këto, FNA-ja ka informuar të gjitha ambasadat dhe organizatat e huaja në vend, përfshirë këtu edhe institucionet kompetente të vendit. Përpjekjet tona për universitete me zero tolerancë për korrupsionin do të vazhdojnë”, informoi FNA. 

Aktiviteti gueril i FNA-së u mbajt më 17 shkurt para Fakultetit të Makinerisë. Ndërsa ata në dhjetor të vitit 2024 ka kërkuar nga institucionet e arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut që të mos pranojnë në objektet e tyre dy personat tashmë të përfshirë në listën e zezë amerikane, Artan Grubin dhe Koço Angjushevin.

Koço Angjushev u fut në listën e Zezë Amerikane në vitin 2023 kurse Artan Grubi në 2024.