U shty sërish gjyqi për Teodorën, familja thotë se përballen me vonesë në drejtësi
Për shkak të mungesës së të akuzuarit Mensur Pajaziti, si dhe mbrojtësit të tij Aleksandar Bogdanovski, gjyqtari Elvedin Ferati nga Gjykata Themelore e Tetovës ka marrë vendim për shtyrjen e gjykimit të rastit të Teodora Ristovskës, e cila humbi jetën në një aksident trafiku në vitin 2022, transmeton Portalb.mk. Ky është rigjykim, pasi Gjykata Themelore […]


Për shkak të mungesës së të akuzuarit Mensur Pajaziti, si dhe mbrojtësit të tij Aleksandar Bogdanovski, gjyqtari Elvedin Ferati nga Gjykata Themelore e Tetovës ka marrë vendim për shtyrjen e gjykimit të rastit të Teodora Ristovskës, e cila humbi jetën në një aksident trafiku në vitin 2022, transmeton Portalb.mk.
Ky është rigjykim, pasi Gjykata Themelore e Tetovës e dënoi me tre vjet e gjashtë muaj burg. Më pas, Gjykata e Apelit ia zvogëloi dënimin në dy vjet, ndërsa Gjykata Supreme i anuloi të dy aktgjykimet dhe e ktheu gjykimin në Gjykatën Themelore të Tetovës.
“Me datë 03.03.2025, bashkëshortja e të akuzuarit ka dorëzuar një parashtresë me të cilën njofton se i akuzuari po trajtohet në Klinikë dhe ka dorëzuar raport mjekësor nga Klinika e ISHP-së se është mbajtur si pacient për trajtim në repartin e mjekësisë interne. Meqenëse nuk janë plotësuar kushtet ligjore për shqyrtimin kryesor, ajo shtyhet për 27 mars në ora 11:30″, tha gjyqtari.
Familja reagon se si në gjyqin e parë po përballen me vonesë në drejtësi dhe kanë dhimbje.
“Pas dy vitesh e gjysmë jemi sërish para Gjykatës së Shkallës së Parë, sërish po na e kthejnë çështjen, po rijetojmë të njëjtin tmerr. Motra ime ishte vetëm 22 vjeçe. Një studente që luftoi për të drejtat e saj, me ëndrra, ishte një njeri me shpirt të madh dhe siç e shihni këta njerëz erdhën sot këtu për të na mbështetur, sepse motra ime kishte një shpirt për të gjithë. Nuk e kuptoj sa të tjera duhet të kalojmë, sa të tjera duhet të kalojmë të njëjtin ferr për diçka që është e dukshme dhe sa lot duhet të derdhim, sa nëna të tjera duhet të jetojmë në të zeza. Sot jemi këtu për drejtësi dhe shpresoj që gjykata të gjykojë drejt”, tha Eva Ristovska, motra e Teodorës.
Sot para gjykatës themelore në Tetovë, në shenjë mbështetjeje për familjen Ristovska, janë mbledhur një grup qytetarësh, të cilët kanë kërkuar gjykim të drejtë për jetën e humbur të saj. Teodora është përplasur në një vendkalim për këmbësorë më 15 gusht 2022 në Bulevardin “Video Smilevski Bato”, i njohur ndryshe si Rruga Industriale..