Kompania që menaxhon aplikacionin e KQZ-së del me sqarim për media

Kompania CACTTUS, në lidhje me performancën e Aplikacionit Softuerik për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve të Komisionit Zgjedhor të Kosovës, dhe me problemet që janë shfaqur gjatë numërimit për rezultatet e zgjedhjeve ka dalë me një deklaratë për medie për të informuar dhe adresuar shqetësimet e opinionit në lidhje me performancën e sistemit të menaxhimit

shkurt 10, 2025 - 20:00
 0  6
Kompania që menaxhon aplikacionin e KQZ-së del me sqarim për media
kompania-qe-menaxhon-aplikacionin-e-kqz-se-del-me-sqarim-per-media

kompania-qe-menaxhon-aplikacionin-e-kqz-se-del-me-sqarim-per-media

Kompania CACTTUS, në lidhje me performancën e Aplikacionit Softuerik për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve të Komisionit Zgjedhor të Kosovës, dhe me problemet që janë shfaqur gjatë numërimit për rezultatet e zgjedhjeve ka dalë me një deklaratë për medie për të informuar dhe adresuar shqetësimet e opinionit në lidhje me performancën e sistemit të menaxhimit të votimit.

“Jemi të vetëdijshëm se uebfaqja e KQZ-së pati probleme me performancën në orët e mbrëmjes të ditës së zgjedhjeve (09 Shkurt 2025) gjatë kulmit të trafikut, duke rezultuar në vonesa në paraqitjen e të dhënave në faqen e internetit të zgjedhjeve”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se e kuptojnë rëndësinë e këtij sistemi dhe besimin e publikut në të për rezultate zgjedhore të shpejta dhe të sakta.

Më tej në deklaratë bëhet e ditur kontrata e përpiluar me OSBE-në më 31, gusht, 2022 për, siç precizohet, për “zhvillimin e Aplikacionit Softuerik për Qendrën e Numërimit dhe rezultateve në KQZ”, ndërsa me aneks-kontratë sqaron kërkesat e KQZ-së për riorganizimin e moduleve dhe funksionalitetet të cilat janë testuar në prani të autoritetit kontraktues, përfituesit dhe publikut.

“Simulimi dhe testimi i plotë I aplikacionit softuerik dhe procesit është mbajtur me sukses me 22-23 Gusht 2024 në sallën 1 Tetori, ku OSBE-ja zyrtarisht ia ka dorëzuar aplikacionin softuerik KQZ-së. Aplikacioni, sipas rregulloreve në fuqi, është hostuar në infrastrukturën e Agjencionit të Shoqërisë së Informacionit (ASHI) të Kosovës. Gjatë muajve të Dhjetorit 2024 dhe Janar 2025 janë mbajtur trajnimet e personelit për modulin K-vote. Këto trajnime kanë vazhduar edhe gjatë muajit shkurt si dhe me datë 6,7 dhe 8 shkurt. Funksioni themelor i aplikacionit të zhvilluar nga CACTTUS sh.a. për regjistrimin e të dhënave të futura nga qendrat e votimit funksionoi siç ishte projektuar deri në orën 19:00, pra përfundimin e procesit të votimeve”, njofton CACTTUS.

Sipas kësaj kompanie sfida e mëvonshme lindi nga vëllimi i paprecedent i trafikut në faqen e internetit të zgjedhjeve, i cili mbingarkoi konfigurimin ekzistues të aplikacionit Cloudflare (Cloudflare – ëëë.cloudflare.com, vepron si një ndërmjetës midis faqes së internetit/aplikacionit dhe vizitorëve të saj, duke përmirësuar performancën dhe sigurinë). Ky moskonfigurim adekuat i aplikacionit CloudFlare (aplikimi dhe menaxhimi i të cilit është në përgjegjësi të ASHI/KQZ-së, dhe nuk është dhe nuk ka qenë në përgjegjësi e as në kompetencë të CACTTUS) rezultoi në një bllokadë jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të aplikacionit tonë.

“Pasi ekipi i CACTTUS, i përbërë nga inxhinierët e aplikacioneve, bazave të shënimeve dhe sigurisë së rrjetave, ka qenë kujdestar dhe në mbështetje të KQZ tërë kohën para dhe gjatë procesit zgjedhor, dhe në bashkëpunim me ekipin teknik të KQZ e ka përcjellur gjendjen në kohë reale. Pasi është analizuar problemin, dhe është identifikuar shkaku rrënjësor, u përcaktua se cilësimet (konfigurimet) e aplikacionit Cloudflare nuk ishin optimizuar për të trajtuar ngarkesën ekstreme. Duke punuar së bashku, aplikacioni Cloudflare u konfigurua siç duhet për t’iu përgjigjur kërkesave, gjë që më pas rivendosi funksionalitetin e plotë të sistemit (24:00) dhe mundësoi shpërndarjen e rezultateve zgjedhore në kohë reale (më10/ Shkurt 2025 në orën 05:00)”, thuhet në deklaratë.

Tutje, në deklaratë kompania CACCTUS njofton se faqja e internetit të KQZ-së, së bashku me infrastrukturën tjetër qeveritare, ka qenë shënjestër e sulmeve kibernetike të vazhdueshme, si gjatë ditës së zgjedhjeve, po ashtu duke vazhduar edhe sot.

“Sipas analizës së ekspertëve tonë (në foto), këto sulme përfshijnë sulme DdoS (Distributed Denial Of Service Attack). Ky lloj sulmesh (DDoS) është një lloj sulmi kibernetik që synon të ndërpresë trafikun normal të internet serverit, shërbimit ose rrjetit të synuar (në këtë rast të KQZ-së dhe ASHI) duke e mbingarkuar atë me një vërshim të trafikut të internetit. Në thelb, është si një bllokim i madh trafiku në një autostradë digjitale, duke penguar përdoruesit legjitimë të arrijnë në destinacionin e tyre. Ndërsa vetë aplikacioni i votimit mbeti i sigurt dhe funksional, këto sulme kanë paraqitur një sfidë shtesë për ruajtjen e disponueshmërisë së vazhdueshme të faqes së internetit. Ne po bashkëpunojmë në mënyrë aktive me Komisionin Zgjedhor të Kosovës, organet e drejtësisë dhe agjencitë qeveritare përkatëse për të zbutur këto sulme dhe për të mbrojtur integritetin e sistemit”, thuhet mes tjerash në deklaratë.