Komunat e Maqedonisë së Veriut do të marrin nga Qeveria edhe 15 miliard denarë për investime kapitale 

Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të ndihmojë komunat edhe me 15 miliard denarë për investime kapitale, duke e vlerësuar si investimi më i madh në histori nga pushteti qendror, transmeton Portalb.mk. “Bëhen fjalë për thirrjen e dytë publike për shfrytëzimin e mjeteve prej atyre 15 miliard denarëve që Qeveria i ka vënë në dispozicion […]

shkurt 4, 2025 - 21:00
 0  4
Komunat e Maqedonisë së Veriut do të marrin nga Qeveria edhe 15 miliard denarë për investime kapitale 
Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Foto nga Fisnik Xhelili / Portalb.mk

Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të ndihmojë komunat edhe me 15 miliard denarë për investime kapitale, duke e vlerësuar si investimi më i madh në histori nga pushteti qendror, transmeton Portalb.mk.

“Bëhen fjalë për thirrjen e dytë publike për shfrytëzimin e mjeteve prej atyre 15 miliard denarëve që Qeveria i ka vënë në dispozicion të komunave. E përsëritim, deri 15 miliard denarë do të jetë vlera e thirrjes së dytë. Por, kjo nuk nënkupton se të gjitha mjetet do të shfrytëzohen gjatë këtij viti fiskal”, raportoi Qeveria e RMV-së.

Në seancën e sotme filloi procedurat për thirrjen e dytë që do të realizohet nga Ministria për vetëqeverisje lokale. Qeveria ka angazhuar disa ministri për të përcaktuar kriteret për financimin e projekteve.

Projektet do të mund të përfshihen edhe në tri vite buxhetore, pra deri në vitin 2027-të, edhe në institucione si shkollat, çerdhet, parqe, ujësjellës dhe kanalizime.

Ndryshe, në thirrjen e parë janë marrë 288 projekte nga 78 komuna në vlerë prej 4.5 miliard denarë, ndërsa përmes Ministrisë për transport janë miratuar 800 milionë denarë.

Më 27 tetor të vitit 2024 u nënshkruan marrëveshjet mes resorëve ministrore dhe komunave. Bëhet fjalë për marrëveshjet që dalin nga plani për financim i Qeverisë ndaj komunave, në formë të donacioneve, të cilat kohë më parë aplikuan me projekte në Qeveri.

Kujtojmë se kryeministri Hristijan Mickoski në fushatën parazgjedhore kishte premtuar marrjen e borxhit prej një vendi të huaj, duke e mbajtur të fshehur se për cilin shtet bëhet fjalë, që më vonë u zbulua se është Hungaria. Ai kishte paralajmëruar nismën e re për zhvillimin e komunave në vend duke siguruar 250 milionë euro.