Ambasadorja amerikane: Duam ta shohim Maqedoninë e Veriut në BE
Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, deklaroi të martën se Uashingtoni është i interesuar që ta shohë Maqedoninë e Veriut në Bashkimin Evropian (BE). Aggeler shprehu shpresën për zhvillime pozitive The post Ambasadorja amerikane: Duam ta shohim Maqedoninë e Veriut në BE appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, deklaroi të martën se Uashingtoni është i interesuar që ta shohë Maqedoninë e Veriut në Bashkimin Evropian (BE).
Aggeler shprehu shpresën për zhvillime pozitive në bisedimet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke theksuar rëndësinë e suksesit të këtyre negociatave, për të ardhmen e vendit.
“Do të them atë që kemi thënë më parë në Uashington dhe në Shkup… Ne do të donim shumë ta shihnim Maqedoninë e Veriut brenda Bashkimit Evropian dhe shpresojmë që diskutimet të jenë të suksesshme dhe të frytshme, sepse e ardhmja e begatë, e suksesshme dhe e sigurt e këtij vendi është brenda BE-së, është në zemër të Evropës, aty ku përket”, tha Aggeler.
Këto komente, ambasadorja Aggeler i bëri pak para fillimit të një ligjërate me studentët e Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë.
Ndërkohë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili aktualisht ndodhet në Bruksel, në samitin BE-Ballkani Perëndimor, ka thënë se “shkon për të prezantuar pozicionet e njëjta që ka qeveria e vendit”, sa i përket kontestit me Bullgarinë, përkatësisht për zhbllokimin e procesit të anëtarësimit në familjen evropiane.
Megjithatë, ai pret që përbërja e re e Komisionit Evropian (KE), të ketë informata shtesë nga vizita e tij e fundit në Bruksel.
Mickoski shtoi se, zgjidhja aktuale është vetëm për të zhbllokuar hapin e parë, ndërsa qeveria e tij kërkon zgjidhje afatgjatë.
I pyetur se çfarë mund të pritet në drejtim të arritjes së një marrëveshje me Bullgarinë, duke pasur parasysh se atje ende nuk është formuar qeveria e re, Mickoski tha se duhet të punohet me të gjithë partnerët për shkak se nuk dihet se kur mund të ketë qeveri politike në Sofje.
“Nëse ky është problem bilateral me BE-në, sepse ashtu na u tha një periudhë, ne jemi të gatshëm të bisedojmë me BE-në dhe ne do të bisedojmë me të gjithë në BE dhe do t’i argumentojmë pozicionet tona, do të luftojmë, sepse kjo është betejë për gjeneratat e ardhshme, nuk është betejë për mbijetesën politike të kësaj qeverie, duhet ta fitojmë këtë betejë, do të japim gjithçka që ta fitojmë, por nuk e di a do ta fitojmë”, tha të hënën Mickoski.
Nga Qeveria në Shkup, si kusht kryesor kërkohet ndryshimi i Kushtetës, për zhbllokimin e negociatave me BE-në.
Deri më tani, ky proces është anashkaluar. Pala maqedonase kërkon garaci nga Sofja të mos e bllokojë më tej Maqedoninë e Veriut.
Ndërkaq, në prag të tekimit në Bruksel, kryeministri bullgar në detyrë, Dimitër Gllavçev, ka konfirmuar qëndrimin e Sofjes zyrtare lidhur me anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE.
Radioja e Jashtme e Bullgarisë njoftoi se kjo çështje është diskutuar në një bisedë telefonike mes Gllavçevit dhe Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Koshta.
“Me sjellje jo evropiane nuk mund të arrihen rezultate evropiane”, theksoi Gllavçev.
Ai tha se Bullgaria mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, por në përputhje me Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë, Miqësi dhe Bashkëpunim mes dy vendeve nga viti 2017. Shumica parlamentare në Maqedoninë e Veriut aktualisht përbëhet nga 78 deputetë nga gjithsej 120 sa numëron Parlamenti.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. /rel
The post Ambasadorja amerikane: Duam ta shohim Maqedoninë e Veriut në BE appeared first on Flaka, në çdo lajm... .