MMPH dhe Ambasada e Zvicrës kanë nënshkruar Memorandum për bashkëpunim në projektin për mbrojtjen e ujërave nëntokësorë RMV
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Cvetan Tripunovski dhe drejtori i Drejtorisë për punë hidrometeorologjike, Igor Lazarovski, kanë nënshkruar memorandum me ambasadoren e Zvicrës, Veronique Ullmann. Ky memorandum shërben për të rënë dakord për bashkëpunimin e ndërsjellë për projektin “Programi për […]
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Cvetan Tripunovski dhe drejtori i Drejtorisë për punë hidrometeorologjike, Igor Lazarovski, kanë nënshkruar memorandum me ambasadoren e Zvicrës, Veronique Ullmann. Ky memorandum shërben për të rënë dakord për bashkëpunimin e ndërsjellë për projektin “Programi për menaxhimin, shfrytëzimin dhe mbrojtjen e ujërave nëntokësore në vendin tonë”, raportoi Portalb.mk.
Ky Program është krijuar për transformimin afatgjatë të menaxhimit të burimeve ujore, duke ngritur kapacitetet e të gjitha palëve të përfshira, duke ofruar mekanizmat e nevojshëm për bashkëpunim dhe duke përmirësuar legjislacionin dhe kuadrin për planifikim.
Resurset ujore, dhe veçanërisht ujërat nëntokësore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, janë një burim natyror strategjik, por potenciali i tyre nuk është eksploruar, shfrytëzuar, monitoruar, regjistruar, mbrojtur apo menaxhuar sa duhet. Është e nevojshme të forcohen kapacitetet e institucioneve përgjegjëse, të rregullohet më tej kuadri ligjor dhe të harmonizohet më tej me të drejtën e BE-së.
Gjithashtu, ndërgjegjësimi i ulët për statusin e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore reflektohet në presionin e ulët publik dhe mobilizimin e dobët të publikut dhe shoqërisë civile për çështjet e menaxhimit të burimeve ujore.
Deri në fund të vitit 2027, programi parashikon: të forcojë kapacitetet e institucioneve kryesore dhe palëve të interesuara për menaxhim të integruar dhe të qëndrueshëm të burimeve ujore, të harmonizojë dhe konsolidojë kuadrin ligjor, të zhvillojë draft-planin e menaxhimit të shtratit të lumit Vardar dhe të zbatojë projekte pilot me fermerët, shërbimet publike, sektori privat dhe komunat.
Programi mbështetet financiarisht nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në një shumë totale prej 4,600,000 franga zvicerane deri në vitin 2027, ndërsa Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut siguron pjesëmarrje të brendshme përmes të dy ministrive, përkatësisht Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me 300,000 franga zvicerane (në tre vjet) dhe nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave 200.000 franga (në dy vjet).
Programi pritet të zbatohet në dy faza, faza e parë 2024-2027, ndërsa e dyta 2028-2031.