BDI: Mbështesim direktivën e re të Komisionit të BE-së për Luftën kundër Korrupsionit
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) tha se mbështet plotësisht Direktivën e propozuar të Komisionit Evropian për luftimin e korrupsionit, e cila synon modernizimin e kornizës ekzistuese ligjore kundër korrupsionit të BE-së, transmeton Portalb.mk. “Direktiva e propozuar e BE-së përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në adresimin e korrupsionit duke parandaluar korrupsionin dhe duke ndërtuar një […]


Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) tha se mbështet plotësisht Direktivën e propozuar të Komisionit Evropian për luftimin e korrupsionit, e cila synon modernizimin e kornizës ekzistuese ligjore kundër korrupsionit të BE-së, transmeton Portalb.mk.
“Direktiva e propozuar e BE-së përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në adresimin e korrupsionit duke parandaluar korrupsionin dhe duke ndërtuar një kulturë integriteti. Direktiva e BE-së, e cila përputhet me qëndrimin e BDI-së për domosdoshmërinë e verifikimit, fokusohet në krijimin e organeve të specializuara me burime dhe trajnime të përshtatshme për të parandaluar dhe luftuar në mënyrë efektive korrupsionin. Direktiva do të sigurojë që operacionet e sektorit publik t’u përmbahen standardeve më të larta përmes aksesit të hapur në informacion, menaxhimit efektiv të konfliktit të interesit, zbulimit dhe verifikimit të pasurive për zyrtarët publikë dhe rregulloreve të qarta që rregullojnë ndërveprimet e sektorit publik-privat”, thuhet në njoftimin e BDI-së.
Kjo parti thotë se Direktiva e re e BE-së do të sigurojë gjithashtu hetime dhe ndjekje penale efektive duke pajisur forcat e rendit dhe prokurorët me mjetet e nevojshme për të luftuar efektivisht korrupsionin.
“Në zbatimin e proceseve transparente ligjore, është gjithashtu e rëndësishme heqja e privilegjeve dhe imuniteteve gjatë hetimeve, si dhe futja e rregullave minimale për të siguruar kohë të mjaftueshme për ndjekjen penale të veprave të korrupsionit. Mbështetja e BDI-së për Direktivën e BE-së nënvizon përkushtimin e saj për të nxitur një kulturë integriteti dhe transparence si brenda partisë ashtu edhe në peisazhin më të gjerë politik. Si pjesë e agjendës së saj të reformave, BDI po kryen një proces të plotë verifikimi të zyrtarëve të saj dhe është e përkushtuar të prezantojë individë me potencial drejtues, të cilët janë shembull i integritetit dhe llogaridhënies”, thonë nga BDI.
Direktiva e propozuar e BE-së përfaqëson një shtytje për të “modernizuar” kuadrin e saj ligjor ekzistues kundër korrupsionit. Në mënyrë të veçantë, ajo synon të pajisë më mirë Shtetet Anëtare të BE-së për të trajtuar një “evolucion të kërcënimeve të korrupsionit”.