Korrupsioni po na ngryn – Pa para, s’ka shërbime
Nëse sëmuresh në Maqedoninë e Veriut, shpesh nuk mjafton diagnoza – duhet edhe “zgjidhja”. E kjo, sipas dëshmive të shumta, nënkupton para nën dorë, lidhje personale apo edhe favore të The post Korrupsioni po na ngryn – Pa para, s’ka shërbime appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Nëse sëmuresh në Maqedoninë e Veriut, shpesh nuk mjafton diagnoza – duhet edhe “zgjidhja”. E kjo, sipas dëshmive të shumta, nënkupton para nën dorë, lidhje personale apo edhe favore të tjera për të marrë një shërbim që në letër është falas.
Një hulumtim i Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave nxjerr në pah një realitet të zymtë: korrupsioni në shëndetësinë publike jo vetëm që është i përhapur, por shpesh as nuk raportohet, për shkak të frikës nga hakmarrja.
Nga sigurimi i një shtrati spitalor deri te përshpejtimi i një operacioni, ryshfeti duket se është bërë pjesë e heshtur e sistemit. “Nëse duhet të operohesh, duhet të paguash”, rrëfen një grua nga Prilepi, duke përshkruar një realitet ku terminet “gjenden” vetëm përmes njohjeve.
Rrëfimet bëhen edhe më të rënda. Një nënë nga Manastiri tregon se për operimin e fëmijës së saj, familja u detyrua të japë para në mënyrë joformale që të sigurojë një termin. “Pasi i dhamë paratë, menjëherë u gjet termin”, thotë ajo.
Sipas hulumtimit, më të goditura janë gratë – sidomos në shërbimet gjinekologjike dhe gjatë shtatzënisë. Një në katër gra ka përjetuar korrupsion në këto shërbime, ndërsa çdo e pesta është e gatshme të paguajë për të siguruar kujdesin e nevojshëm për veten apo familjen.
Ekspertët paralajmërojnë se korrupsioni nuk kufizohet vetëm në para. Ai shpesh merr formën e dhuratave, referimeve të detyruara në klinika private apo farmaci të caktuara.
Por ajo që trondit më shumë është dimensioni i fshehur i këtij fenomeni. Sipas dëshmive, ekzistojnë edhe raste të korrupsionit seksual – të rralla në raportime, por të pranishme në realitet. “Mjeku ka pushtet dhe njerëzit kanë frikë”, thotë një pjesëmarrëse nga Tetova.
Shifrat flasin vetë: deri në 40% e qytetarëve kanë dhënë ryshfet për një shërbim shëndetësor, me shuma që variojnë nga disa qindra denarë deri në mijëra euro. Në raste ekstreme, familjet janë detyruar të marrin borxhe për të shpëtuar jetën e të afërmve.
Fenomeni është konfirmuar edhe nga kontrollet institucionale. Fondi për Sigurim Shëndetësor dhe Drejtoria për të Ardhura Publike kanë zbuluar pagesa të paligjshme edhe për shërbime që duhet të jenë falas, si kontrollat gjinekologjike.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, e cilëson korrupsionin si një dështim të etikës mjekësore dhe një goditje ndaj besimit publik. Ai ka promovuar edhe platformën “Raporto parregullsi”, por deri më tani mungojnë të dhëna konkrete për efektin e saj.
Në një sistem ku shëndeti duhet të jetë e drejtë, e jo privilegj, korrupsioni po kthehet në “biletën hyrëse” për trajtim. Dhe ndërkohë që pacientët paguajnë në heshtje, pyetja mbetet: kush do ta thyejë këtë cikël? Gazeta Flaka
The post Korrupsioni po na ngryn – Pa para, s’ka shërbime appeared first on Flaka, në çdo lajm... .