Kreu i Kuvendit, Afrim Gashi për vizitë pune në Parlamentin Evropian

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot (18 nëntor 2024) do të realizojë vizitë pune në Parlamentin Evropian në Bruksel, gjatë së cilës do të takohet me kryetaren e Parlamentit Evropian, Roberta Mecola Në kuadër të vizitës, siç njofton Shërbimi për informim i Kuvendit, janë planifikuar takime me Tomas Vajc, […]

Nëntor 18, 2024 - 14:00
 0  8
Kreu i Kuvendit, Afrim Gashi për vizitë pune në Parlamentin Evropian

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot (18 nëntor 2024) do të realizojë vizitë pune në Parlamentin Evropian në Bruksel, gjatë së cilës do të takohet me kryetaren e Parlamentit Evropian, Roberta Mecola

Në kuadër të vizitës, siç njofton Shërbimi për informim i Kuvendit, janë planifikuar takime me Tomas Vajc, referues për Republikën e Maqedonisë në PE dhe me Tijs Ruten, referues në hije nga grupi politik i socialdemokratëve.

Sipas axhendës, nesër me iniciativë të Departamentit të Diplomacisë Publike në NATO do të organizohet vizitë pune në selinë e NATO-s për kryetarin Gashi dhe Delegacionin e deputetëve, në përbërjen e të cilit janë: Nikolla Micevski, koordinator i VMRO-DPMNE-së; Oliver Spasovski, koordinator i LSDM-së; Merita Kolçi-Koxhaxhiku, zëvendëskoordinatore e VLEN-it; Arbana Pasholli, zëvendëskoordinatore e BDI-së; Pavle Arsoski, përfaqësues nga ZNAM dhe Dragan Kovaçki, shef i Delegacionit të Kuvendit në AP të NATO-s. Është planifikuar takimi me zëvendëssekretarin e përgjithshëm në detyrë të NATO-s Boris Ruge, dhe brifingje me përfaqësues të lartë të NATO-s nga Departamenti i Çështjeve Politike dhe Sigurisë dhe Departamenti i Diplomacisë Publike.

Vizitat e punës së Gashit në këto dy institucione të rëndësishme ndërkombëtare janë me qëllim që përfaqësuesit e lartë të PE-së dhe NATO-s të informohen për zhvillimet aktuale politike dhe sociale në vend, në kontekst të integrimit evropian të vendit dhe detyrimet që dalin nga anëtarësimi ynë në NATO.

“Delegacioni ynë do të ketë mundësinë të njihet me pikëpamjet dhe qëndrimet e bashkëbiseduesve për situatën aktuale dhe sfidat e ardhshme të PE-së dhe NATO-s, në kontekst të politikës së zgjerimit, pritshmërisë së vendeve kandidate për anëtarësim në BE dhe pikëpamjet e NATO-s në dritën e sfidave aktuale të sigurisë në rajon dhe më gjerë”, theksohet në kumtesën e Shërbimit për informim të Kuvendit.