​Kryeministri i Francës jep dorëheqje pas më pak se një muaji në detyrë

Kryeministri francez, Sebastien Lecornu dha dorëheqje të hënën, vetëm disa orë pasi kishte prezantuar kabinetin e tij të ri, në një lëvizje befasuese që e futi vendin në krizë politike edhe më të thellë, raporton CNN. Kryeministri – një aleat kyç i presidentit francez Emmanuel Macron, i cili po përballet me vështirësi – nuk kishte

tetor 6, 2025 - 12:30
 0
​Kryeministri i Francës jep dorëheqje pas më pak se një muaji në detyrë
​Kryeministri i Francës jep dorëheqje pas më pak se një muaji në detyrë

​Kryeministri i Francës jep dorëheqje pas më pak se një muaji në detyrë

Kryeministri francez, Sebastien Lecornu dha dorëheqje të hënën, vetëm disa orë pasi kishte prezantuar kabinetin e tij të ri, në një lëvizje befasuese që e futi vendin në krizë politike edhe më të thellë, raporton CNN.

Kryeministri – një aleat kyç i presidentit francez Emmanuel Macron, i cili po përballet me vështirësi – nuk kishte qenë në detyrë as katër javë.

Lecornu ishte kryeministri i pestë i Francës brenda më pak se dy vitesh. Vendi është zhytur në një paralizë politike që nga zgjedhjet e parakohshme të vitit 2024, të thirrura nga Macron, të cilat përfunduan pa një shumicë absolute në parlament.

Dhe në një qeveri që mbështetet në koalicione të brishta, çdo hallkë kishte rëndësi. Vetëm 12 orë pasi shpalli kabinetin që në masë të madhe ruante të njëjtët ministra, Lecornu u përball me kundërshtime nga i gjithë spektri politik – i dënuar si nga e majta ashtu edhe nga e djathta, të cilat kishin arritur fitime të mëdha në zgjedhjet e fundit.

Bruno Retailleau, lider i Republikanëve dhe ministër i Brendshëm në qeverinë e Lecornu, reagoi me indinjatë ndaj përzgjedhjes së ministrave nga kolegu i tij i mëparshëm. Ai tha se kabineti nuk pasqyron ndryshimin e premtuar dhe kritikohet për përfshirjen e 10 ministrave nga partia e Macron, pa përfaqësues të majtë apo të ekstremit të djathtë.

E majta socialiste gjithashtu u shpreh e zemëruar, duke e akuzuar qeverinë për zhytjen e vendit në kaos. Politologu Antoine Bristielle tha se Macron ka vetëm dy opsione: të shpërndajë Asamblenë Kombëtare ose të japë dorëheqjen, duke shkaktuar zgjedhje presidenciale të reja.

Kritika u drejtua edhe ndaj emërimit të ish-ministrit të Financave Bruno Le Maire si ministër i Mbrojtjes, i cili kishte menaxhuar një rritje drastike të deficitit gjatë pandemisë Covid-19.

Bursa e Parisit ra 1.7 për qind, ndërsa miratimi i buxhetit kombëtar – që duhej të ndodhte të martën – mbetet i pasigurt.