Kufizime në komunikacionin e Shkupit për shkak protestës së Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë

Policia e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar kufizime në orët e paradites në komunikacion për shkak protestës së paralajmëruar nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), transmeton Portalb.mk. “Më 1 maj, duke filluar nga ora 11:00 për shkak të mbajtjes së protestës, Njësiti për Siguri në Komunikacionin Rrugor do të marrë masa për një regjim […]

maj 1, 2025 - 12:00
 0  2
Kufizime në komunikacionin e Shkupit për shkak protestës së Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë
Policia rrugore në Shkup. Foto nga Portalb.mk

Policia e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar kufizime në orët e paradites në komunikacion për shkak protestës së paralajmëruar nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), transmeton Portalb.mk.

“Më 1 maj, duke filluar nga ora 11:00 për shkak të mbajtjes së protestës, Njësiti për Siguri në Komunikacionin Rrugor do të marrë masa për një regjim të posaçëm të komunikacionit”, raportoi Policia, duke sqaruar se kufizimet do të përfshijnë rrugën “Mirçe Acev”, “Filipi i Dytë i Maqedonisë”, “11 Tetori”, “Dimitrie Çupovski”, “Vasill Gllavinov”, “VMRO” dhe “Ilinden”.

Do të protestojmë për paga më të larta, tha kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Sllobodan Trendafilov, në konferencën e djeshme për shtyp, duke paralajmëruar protestën që do të zhvillohet në orën 11:00, me itinerar nga Shtëpia e Punëtorëve, përmes Parlamentit dhe Odës Ekonomike deri në Qeveri.

Në këtë protestë nuk do të marrë pjesë Konfederata e Sindikatave të Lira, duke vlerësuar se në vend ka dialog më të mirë social dhe lëvizje sindikaliste organizuara, duke theksuar se problemet mund të zgjidhen në tryezë. Bllagoja Ralpovski nga KSL sqaroi se në nivel të sindikatave qytetare është diskutuar me Qeverinë e cila ka treguar gatishmëri nga 1 maji të fillojë sërish edhe rritja më e madhe e pagave në sektorin publik.

Në marshin e fundit protestues, anëtarët e organeve më të larta në LSM-së kërkuan para Qeverisë tërheqjen e vendimit për rritjen e pagës minimale për 1.800 denarë dhe uljen e pagave të personave të zgjedhur dhe të emëruar në nivelin e pagës minimale. Nga LSM gjithashtu kërkuan të ndalojnë sulmet ndaj sindikatave.

Ata i kanë dërguar propozim kryeministrit Hristijan Mickoski që bashkërisht të miratohet paga minimale prej 500 euro, si dhe të rriten pagat e tjera për 100 euro. Nëse nuk rritet paga minimale, kryesia e LSM-së shpall grevë të përgjithshme dhe nëse nuk rriten pagat e punëtorëve, shpallin protestë. Për 1 maj pritet të ketë protesta.