Studentët paguajnë, por s’i zgjedhin vetë përfaqësuesit e Kuvendin Studentor të Universitetit të Tetovës
Kuvendi Studentor në Universitetin e Tetovës nuk është legjitim ndërsa anëtarët janë të zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme. Përkundër që hera e fundit kur UT-ja ka organizuar zgjedhje për kryetarë të këtij organi ka qenë në vitin 2016, studentët çdo vit detyrohen të paguajnë nga 100 denarë për këtë organ brenda universitetit. UT-ja nuk përgjigjet […]


Kuvendi Studentor në Universitetin e Tetovës nuk është legjitim ndërsa anëtarët janë të zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme. Përkundër që hera e fundit kur UT-ja ka organizuar zgjedhje për kryetarë të këtij organi ka qenë në vitin 2016, studentët çdo vit detyrohen të paguajnë nga 100 denarë për këtë organ brenda universitetit. UT-ja nuk përgjigjet ndërsa Ministria e Arsimit dhe Shkencës kërkoi të respektohet Ligji për Arsim të Lartë. Ankesa ka pranuar edhe Inspektorati i Arsimit. Forumi për Ndryshime në Arsim kritikoi ashpër, shkruan Portalb.mk.
Kuvendi Studentor Universitar është organi më i rëndësishëm për studentët, mënyra e funksionimit, zgjedhja e anëtarëve dhe kompetencat e tij janë të rregulluara me Ligjin për Arsim të Lartë.
Ligjërisht, ky organ është i përbërë nga anëtarë të zgjedhur me vota të fshehta ndërsa përfaqëson interesat e studentëve.
Neni 35 i Ligjit për arsim të lartë thotë se “Kuvendi Studentor Universitar i mbron interesat e studentëve, përmes përfaqësuesve të vetë merr pjesë në vendimmarrje të organeve të universitetit dhe i përfaqëson studentët në kuadër të arsimit të lartë si anëtarë të komunitetit akademik”.
Sipas ligjit, kryetari i Kuvendit Studentor zgjidhet me shumicë votash nga anëtarët e kuvendeve të studentore të fakulteteve, të cilët paraprakisht do të duhej të ishin zgjedhur nga studentët e faulteteve përkatëse.
Neni 37 i Ligjit për arsim të lartë thotë se “Përfaqësues të kuvendit studentor të fakultetit zgjidhen në zgjedhje të drejtpërdrejta, fer dhe demokratike me votim të fshehtë”.
Këto, dhe shumë dispozita tjera ligjore i ka shkelur UT-ja, duke i lënë studentët pa përfaqësues legjitim që nga viti 2016
Sot që flasim, Universiteti i Tetovës ka edhe anëtarë edhe kryetarë të Kuvendit Studentor, por askush nuk e din se në çfarë forme dhe kush i ka zgjedhur ato në këto pozita.
Në rrjetet-sociale zyrtare të Universitetit të Tetovës, si kryetar i Kuvendit Studentor figuron Ladon Murseli.
Portalbi ishte në UT dhe bisedoi me disa studentë, të gjithë pohuan se asnjëherë nuk kanë votuar përfaqësues të tyre në Kuvendin Studentor.
“Unë kam tash 3 vite që studioj në këtë universitet, jo, asnjëherë nuk kam votuar, pasi s’ka pasë zgjedhje, askush s’më ka ftuar të votoj, as nuk e di kush janë këta përfaqësues”, tha një prej studenteve, deshi të qëndroje anonime.
Universiteti i Tetovës për Portalbin thotë se Ladon Murseli është ushtrues i detyrës së kryetarit të Kuvendit Studentor Universitar.
“Ladon Murseli momentalisht është ushtrues detyre dhe akoma nuk janë shpallur zgjedhje për zgjedhjen e Kuvendit Studentor”, u përgjigjen nga UT-ja, duke injoruar faktin që Murseli në këtë pozitë është që nga viti 2023 ndërsa zgjedhje s’ka pasur që nga viti 2016.
Sipas informacioneve, që nga viti 2016, në krye të Kuvendit Studentor pa as edhe një votë nga studentët në këtë pozitë ka qenë edhe Eliesa Zhaku, person që në disa fotografi shihet shumë e afërt me ish-Rektorin e UT-së, Vullnet Ameti.
Çdo shtator, studentët paguajnë nga 100 denarë për Kuvendin Studentor
Çdo fillim të vitit akademik, përpos pagesës për semestrin, studentët e Universitetit të Tetovës detyrohen që të paguajnë nga 100 denarë për Kuvendin Studentor.
Në vitin akademik 2023/2024, në Universitetin e Tetovës janë regjsitruar 7,785 studentë, që i bie se këto persona të zgjedhur në mënyrë jolegjitime dhe jodemokratike vetëm vitin e fundit akademik kanë menaxhuar me 778,500 denarë apo rreth 12,700 euro të studentëve.
Pyetëm UT-në se si është e mundur që kjo shumë e parave të menaxhohet nga persona që nuk janë të zgjedhur në përputhje me Ligjin për arsim të lartë, por përgjigje për këtë nuk kemi marrë.
Kuvendi Studentor ka votë në organin më të lartë të Universitetit, Senatin
Ligji për arsim të lartë i mundëson Kuvendit Studentor që të delegojë anëtarë me të drejtë vote në organin më të lartë brenda një universiteti, ku merren vendimet më të rëndësishme, Senatin Universitar.
Neni 36 i Ligjit për arsim të lartë thotë se “Kuvendi Studentor zgjedh përfaqësues në Senatin dhe organet tjera të universitetit”.
Aktualisht, në ueb-faqjen e UT-së si përfaqësues nga Kuvendi Studentor në Senatin e Universitetit figurojnë tre studentë, edhe atë: Ladon Murseli, Hana Husejni dhe Suhejb Jakupi.
Pyetëm Inspektoratin e Arsimit nëse vendimet e Senatit, ku kanë votuar këta studentë të zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme do të duhet të shpallen si të pavlefshme, por përgjigje ende nuk kemi marrë.
Dokumentet e publikuara në ueb-faqjen e Universitetit të Tetovës vërtetojnë se zgjedhjet e fundit për Kuvendin Studentor Universitar janë realizuar në vitin 2016.
Forumi për Ndryshime në Arsim: UT-ja urgjentisht të organizojë zgjedhje për Kuvendin Studentor
FNA-ja e cilësoi këtë si skandaloze, thonë se vazhdimisht kanë pranuar ankesa nga studentët e Universitetit të Tetovës.
“Vazhdimisht deri te FNA-ja kanë arritur denoncime nga studentë të UT-së, thonë se s’kanë votuar asnjëherë përfaqësuesit e tyre në Kuvendin Studentor dhe se anëtarët janë të zgjedhur me kujdes nga Rektori, kjo është skandaloze”, thanë nga FNA-ja.
Ata thonë se deri në organizimin e zgjedhjeve për Kuvendin Studentor, që sipas tyre duhet të bëhet urgjentisht, askush nuk duhet që ilegalisht të vetëshpallet kryetar.
“Kërkojmë që urgjentisht të shpallen zgjedhjet fillimisht për anëtarë të kuvendit studentor të fakulteteve, më pas të zgjidhet kryetari i kuvendit studentor universitar, ndërsa deri atëherë, askush të mos vetëshpallet kryetar, ligji nuk e lejon këtë” thanë nga FNA-ja.
Ndryshe, FNA-ja theksoi se për dallim nga UT-ja, të gjitha universitetet tjera publike në Maqedoninë e Veriut organizojnë zgjedhje të rregullta për përfaqësues në Kuvendin Studentor Universitar.