Kur do të mund të formohet Qeveria e re e Kosovës?
Tash kur numërimi, listat e deputetëve dhe gjithçka tjetër po merr fund pas vonesave të rezultateve nga zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, atëherë nis sfida e re – ajo e formimit të Qeverisë. Sipas njohësve të çështjeve politike, situatë më të paparashikueshme sesa kjo aktuale në Kosovë nuk ka pasur prej vitesh. Asnjëra parti


Tash kur numërimi, listat e deputetëve dhe gjithçka tjetër po merr fund pas vonesave të rezultateve nga zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, atëherë nis sfida e re – ajo e formimit të Qeverisë.
Sipas njohësve të çështjeve politike, situatë më të paparashikueshme sesa kjo aktuale në Kosovë nuk ka pasur prej vitesh.
Asnjëra parti nuk ka regjistruar fitore bindëse për të formuar e vetme Qeverinë, ndërsa bashkimi i forcave këtë herë duket proces i ndërlikuar
Cilat janë procedurat përpara?
Presidentja Vjosa Osmani duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila duhet të mbahet më së largu 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zyrtar zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Kjo mbledhje konsiderohet e mbyllur vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Në bazë të rezultateve preliminare, kryetari i Kuvendit do t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila ka fituar më së shumti vota. Por, nëse kjo parti nuk e propozon dikë për kryetar, procesi do të ngrijë në vend.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës na rikujton që, nëse kjo ndodh, nuk do të ishte hera e parë:
“Bazuar në praktikën e vitit 2014, kur procedura e konstituimit të institucioneve kishte zgjatur gjashtë muaj – atëkohë Gjykata Kushtetuese nuk ka përcaktuar afat ligjor, as kushtetues, se brenda çfarë periudhe është i obliguar subjekti fitues i zgjedhjeve që të propozojë një kandidat për kryetar të Kuvendit”.
Sipas tij, nëse nuk do të ketë aktgjykim tjetër të Kushtetueses, procesi mund të zvarritet deri vitin e ardhshëm, kur të skadojë mandati i presidentes, dhe të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme.
Më 2014, procesi ishte zhbllokuar vetëm kur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kishte braktisur bllokun e atëhershëm opozitar, dhe i ishte bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në koalicion qeveritar.
Pse mund të krijojë bllokadë LVV-ja?
Partia e kryeministrit aktual, Albin Kurti, mund t’i zvarrisë proceset nëse nuk arrin të formojë koalicion të qëndrueshëm për të përmbyllur ciklin e formimit të institucioneve.
Por, nëse kryetari i Kuvendit zgjidhet, atëherë nisin tiktaket e orës për afatet tjera.
Presidentja e vendit obligohet që të nominojë partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e Qeverisë.
Ndonëse as këtu nuk ekziston një afat i saktë, vendimet në fuqi përcaktojnë që procesi duhet të zhvillohet “sa më parë që të jetë e mundur”.
“Unë pres që sapo presidentja të nominojë kandidatin që propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje, i njëjti do të jetë i obliguar që brenda një afati prej 15 ditësh ta propozojë para Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar”, ka sqaruar Cakolli.
Kabineti duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve brenda këtij afati. Por, nëse kjo nuk ndodh, presidentja është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.
Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.
Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen dyzet ditë prej shpalljes së vendimit.