Kurti takohet me kryeministrin e landit Nordrhein-Westfalen, Wüst
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi sot një takim me kryeministrin e landit Nordrhein-Westfalen, Hendrik Wüst, në kuadër vizitës zyrtare në Gjermani. Kryeministri në detyrë Kurti shprehu mirënjohje të thel...


Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi sot një takim me kryeministrin e landit Nordrhein-Westfalen, Hendrik Wüst, në kuadër vizitës zyrtare në Gjermani.
Kryeministri në detyrë Kurti shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen historike të Gjermanisë, nga pritja e refugjatëve kosovarë gjatë luftës së viteve 1998–1999 deri tek kontributi vendimtar në rindërtimin e vendit pas luftës. Ky solidaritet, theksoi ai, është themeli mbi të cilin ndërtohet partneriteti i sotëm.
Në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet shteteve, me theks të veçantë rolin që mund të ketë mërgata në ndërtimin e urave lidhëse për rritjen e aktivitetit të përbashkët ekonomik dhe shkëmbimet tregtare.
Kryeministri në detyrë Kurti, po ashtu, foli për rëndësinë e shkëmbimeve kulturore dhe atyre të arsimit profesional.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.
