Kurti viziton profesorin 97-vjeçar Pashk Staka për festën e Pashkës
Me rastin e festës së Pashkëve kryeministri, Albin Kurti, ka vizituar profesorin e pensionuar të gjuhës shqipe, Pashk Staka, në banesën e tij në Prishtinë. Profesori 97-vjeçar, së bashku me bashkëshorten e tij, Anjeza Gjoni-Staka (89 vjeç), i pritën mysafirët me dashamirësi, në një atmosferë familjare ku ishin të pranishëm edhe vajzat Gloria dhe Mika


Me rastin e festës së Pashkëve kryeministri, Albin Kurti, ka vizituar profesorin e pensionuar të gjuhës shqipe, Pashk Staka, në banesën e tij në Prishtinë.
Profesori 97-vjeçar, së bashku me bashkëshorten e tij, Anjeza Gjoni-Staka (89 vjeç), i pritën mysafirët me dashamirësi, në një atmosferë familjare ku ishin të pranishëm edhe vajzat Gloria dhe Mika, nipi Engjëlli dhe mbesa Sara, si dhe ministrja Rozeta Hajdari.
Gjatë vizitës, kryeministri Kurti u njoh më nga afër me jetën dhe kontributin e zonjës Anjeza Gjoni-Staka, e cila kishte qenë këngëtare në Shoqërinë Kulturore-Artistike “Agimi” në Prizren, përpara se të shërbente si mësuese në Shkollën Fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, duke lënë gjurmë në fushën e kulturës dhe arsimit.
Biseda mes tyre përfshiu tema të ndryshme, që nga historiku i ndërmarrjeve shoqërore dhe familjes Staka, deri te zhvillimet aktuale politike dhe shoqërore në vend.
Në përfundim të vizitës, kryeministri Kurti e falënderoi profesorin Staka për mikpritjen dhe bisedën e ngrohtë, duke i uruar atij shëndet të mirë dhe jetë të gjatë.
