Laboratori qendror nuk është akredituar ende për asnjë metodë të cilësisë së ajrit
Laboratori qendror për mjedisin dhe matjet në terren vitin e kaluar nuk ishte akredituar për asnjë metodë të monitorimit të cilësisë së ajrit. Gjendja e ndotjes së ajrit në shumë pjesë të vendit, veçanërisht në zonat më të mëdha urbane, imponon nevojën që ky institucion shtetëror të marrë aftësinë për të matur burimet e ndotjes, […]
Laboratori qendror për mjedisin dhe matjet në terren vitin e kaluar nuk ishte akredituar për asnjë metodë të monitorimit të cilësisë së ajrit. Gjendja e ndotjes së ajrit në shumë pjesë të vendit, veçanërisht në zonat më të mëdha urbane, imponon nevojën që ky institucion shtetëror të marrë aftësinë për të matur burimet e ndotjes, gjë që do të ndihmojë në monitorimin e cilësisë së ajrit, por edhe në ekzekutimin e duhur të politikës penale të ndotësve. Megjithatë, edhe pse ajri toksik ka qenë përditshmëria jonë për shumë vite, ky institucion ende lufton për të akredituar të paktën një metodë ajrore, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.
Deri më tani për laboratorin janë blerë tre instrumente për shkarkime nga burime stacionare, mbi të cilat tashmë po bëhen matje, por jo sipas metodës së akredituar. Aktualisht, laboratori qendror është i akredituar për dymbëdhjetë metoda, nga të cilat 11 janë për cilësinë e ujit dhe një për zhurmën dhe vitin e kaluar nuk ka pasur akreditime të reja.
“Gjatë vitit 2024, Laboratori qendror ka pasur një vlerësim për riakreditimin e të njëjtave metoda që tashmë ishin të akredituara, pra pas katër viteve të akreditimit të tyre. Edhe pse laboratori mat emetimet nga një burim i palëvizshëm i ndotësve, si dhe mat grimcat PM 10, ai nuk është i akredituar për të njëjtën gjë. Monitorimin e cilësisë së ajrit e kryen Qendra Informative e Maqedonisë për mjedisin jetësor në Ministrinë e Mjedisit, thonë nga Ministria e Mjedisit.
Laboratori qendror informoi më shumë se një vit më parë se akreditimi për metodat ajrore varet nga punësimet e reja, pasi në këtë institucion aktualisht punojnë vetëm tetë punonjës, shtatë prej të cilëve me arsim të lartë dhe një me arsim të mesëm. Disa prej tyre tashmë janë duke punuar në instrumentet që janë blerë për të matur emetimet nga burimet stacionare të ndotjes. Bëhet fjalë për analizuesin e gazit për matjen e përbërjes së gazrave të emetuar, pajisjen për matjen e temperaturës dhe rrjedhës së gazit dhe njësinë e lëvizshme për marrjen e mostrave në kanalet e ventilimit dhe oxhaqet, të cilat, megjithëse përdoren për matjen dhe analizimin e shkarkimeve, punojnë me to sipas metodave që nuk janë të akredituara.
Për instrumentet shtesë dhe akreditimi i metodave janë kusht punonjësit e rinj. Institucioni thotë se nevojiten edhe gjashtë persona të rinj, të cilët janë planifikuar, por nuk bëjnë me dije nëse do të realizohen këtë vit.
“Në vitin 2024 nuk janë punësuar persona të ri. Megjithatë, janë planifikuar punësime të reja të cilët do të trajnohen për të matur emetimet nga burimet stacionare”, tha Laboratori Qendror.
Megjithatë, ky institucion u përball me një problem tjetër në vitin 2023. Ndonëse ishte paralajmëruar se në vitin 2024 ishte planifikuar akreditimi i tre metodave të monitorimit të cilësisë së ajrit, pas shpalljes së dy konkurseve për punësimin e tre ekzekutorëve, aplikuan vetëm dy kandidatë, njëri prej të cilëve nuk i plotësonte kërkesat dhe tjetri u punësua.
Për këtë vit, laboratori nuk informoi nëse dhe kur planifikojnë konkurse të reja dhe akreditime të reja. Shoqatat ekologjike në vend që moti apelojnë që ky proces të përshpejtohet sepse ai është një problem i madh për Inspektoratin Shtetëror për Mjedis Jetësor. Matjet aktuale të Laboratorit qendror të parametrave të ndryshme të ndotjes nuk mund të llogariten si dëshmi e fortë, veçanërisht në procedurat gjyqësore kundër ndotësve.