Levica dorëzoi interpelancë për ministrin Toshkovski
Grupi parlamentar i Të Majtës (Levicës) ka dorëzuar sot interpelancë për ministrin e Brendshëm. Sashko Jançev në një konferencë për media në Kuvend tha se arsyeja e interpelancës ishte se ai si ministër i Punëve të Brendshme ka neglizhuar dhe në mënyrë të papërshtatshme e ka kryer funksionin e tij publik duke vepruar në mënyrë […]


Grupi parlamentar i Të Majtës (Levicës) ka dorëzuar sot interpelancë për ministrin e Brendshëm. Sashko Jançev në një konferencë për media në Kuvend tha se arsyeja e interpelancës ishte se ai si ministër i Punëve të Brendshme ka neglizhuar dhe në mënyrë të papërshtatshme e ka kryer funksionin e tij publik duke vepruar në mënyrë joprofesionale dhe të papërgjegjshme, gjë që ka sjellë një sërë veprimesh të kundërligjshme, skandale dhe transferime të personelit në MPB, transmeton Portalb.mk.
“Interpelanca jonë bazohet në dhjetë baza, pesë prej të cilave kanë të bëjnë drejtpërdrejt me ngjarjen tragjike në Koçan. Arsyeja e parë është mungesa e ndonjë kontrolli mbi diskotekën Pulse, që është obligim i qartë ligjor i MPB-së.Në përputhje me Ligjin për Veprimtarinë Hotelierike, Ministria e Brendshme jep miratimin që objekti të plotësojë kërkesat për mbrojtjen e rendit dhe qetësisë publike. Përgjegjësitë shtesë të qarta ligjore të MPB-së përfshijnë kontrollin e orarit të punës, kontrollin e zërit dhe zhurmës, praninë e të miturve, servirjen e alkoolit dhe përdorimin e substancave narkotike#, tha Jançev.
Ai shtoi se MPB-ja ka dështuar dhe se për një kohë të gjatë në hetimin e rastit janë shmangur zyrtarë dhe funksionarë të afërt me DPMNE-në. Sipas Jançevit, ministri Toshkovski ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë komanduese.
Arsyeja e dytë është përdorimi i paligjshëm i mjeteve piroteknike.
“Ministria e Punëve të Brendshme në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen nga Lëndët Shpërthyese mban evidencë për lejet e lëshuara për prokurimin e mjeteve piroteknike. Sipas Ligjit për tregti me lëndë shpërthyese, Ministria e Punëve të Brendshme është autoriteti i autorizuar dhe kompetent për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike nga persona të cilët nuk janë profesionistë, të trajnuar dhe të licencuar për këtë qëllim”, tha Jançev.
Arsyeja e tretë është mosdhënia e ndihmës nga policët, e katërta është mosndjekja penale e kërcënimeve në Facebook drejtuar kritikëve të qeverisë, arsyeja e pestë është ndalimi i dronëve që synojnë shtypjen e protestave, i gjashti është arrestimi i qytetarëve në rajonin e Gostivarit që po pastronin një kishë të vjetër, pastaj mosveprimi për djegien e flamurit maqedonas, vjedhja e marihuanës që ruhej nga policia, zbulimi i sekretit zyrtar nga truproja e kryeministrit, dhe pika e dhjetë është politika katastrofike e personelit – e mbushur me nepotizëm dhe miqësi.
“Sasho Petrushevski, një figurë e shquar në partnerin e koalicionit qeveritar ZNAM, është emëruar Sekretar Shtetëror në Ministri, dhe njeriu akuzohet për manipulim tenderash dhe keqpërdorime financiare. Vendim kadrovik i diskutueshëm është edhe Oliver Derkovski, i cili është emëruar këshilltar i ministrit Toshkovski. Derkovski është i lidhur me polemika të tilla si përvetësimi financiar dhe keqpërdorimi i pozitës zyrtare në KSHZ”, tha Jançev.