Lidhja e Luftëtarëve të LNÇ-së ka dorëzuar iniciativë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së riemërtimit të rrugëve në Tetovë

Lidhja e Luftëtarëve të LNÇ-së së Tetovës, para Gjykatës Kushtetuese në Shkup, ka dorëzuar iniciativë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimit të Këshillit të Komunës së Tetovës nga data 24 prill 2007, i cili ka të bëjë me ndryshimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve tjera infrastrukturore në qytet, transmeton Portalb.mk. […]

shkurt 11, 2025 - 15:00
 0  3
Lidhja e Luftëtarëve të LNÇ-së ka dorëzuar iniciativë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së riemërtimit të rrugëve në Tetovë
Tetova, foto nga Portalb.mk

Lidhja e Luftëtarëve të LNÇ-së së Tetovës, para Gjykatës Kushtetuese në Shkup, ka dorëzuar iniciativë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimit të Këshillit të Komunës së Tetovës nga data 24 prill 2007, i cili ka të bëjë me ndryshimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve tjera infrastrukturore në qytet, transmeton Portalb.mk.

Ata presin që Gjykata Kushtetuese të rrëzojë vendimin pasi siç sqarojnë: “Vendimi është në kundërshtim me nenet 7, 8 dhe 51 të Kushtetutës së Maqedonisë, si dhe me nenet 5, 6, 7 dhe 8 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve tjera infrastrukturore, si dhe nenit 6 paragrafi 3 të Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase.

Polemika për vendimin, siç thuhet nga Lidhja, qëndron në njëanshmërinë e tij, pra në miratimin e tij pa përmbushur kushtin ligjor që kërkon pëlqimin paraprak të Qeverisë.

“Vendimi është i kundërligjshëm sepse, Komuna e Tetovës ka caktuar emërtim për disa rrugë në gjuhë të huaj dhe është i shkruar me alfabet cirilik, edhe pse Kushtetuta dhe Ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase kërkojnë që emrat e rrugëve të shënohen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik”

“Prandaj është e paligjshme të emërtosh një rrugë ‘Kongresi i Manastirit’ ose ‘Dëshmorët e Kombit’ sepse janë të shkruara në shqip, por jo me shkrim cirilik. E drejta e qytetarëve të cilët janë nga komuniteti pakicë që përfaqësohet nga mbi 20 për qind e popullatës emri i rrugës të shkruhet në gjuhën e tyre është një lloj krejtësisht tjetër e të drejtës për gjuhën, por Ligji është i qartë dhe kërkon përdorimin e duhur të gjuhës maqedonase”, thuhet në deklaratën e Lidhjes së Luftëtarëve të LNÇ-së.

Shoqata e Luftëtarëve të LNÇ -së njoftoi se do të nisë luftë institucionale kundër iniciativës për riemërtimin e rrugëve në Tetovë.

Nga ana tjetër, pas konstatimit nga ana e Komunës së Tetovës se, nga 265 rrugë gjithsej, 111 janë me emra, 113 me numra dhe 41 nuk kanë aspak emërim është formuar grupi punues për riemërimin e rrugëve, më 26 gusht 2024. Ky grup punues përbëhet nga këshilltarët komunal: Argjend Veliu (LB), Abdyrahim Maksuti (LB), Veton Murati (BDI), Anita Boshkovska Jovanovska (VMRO-DPMNE), Visar Palloshi (PDSH), Faton Selami (AAA) dhe Gligorije Stojanovski (LSDM). Anëtarë të tjerë janë: Shaban Xhelili nga Sektori për Veprimtari Komunale, Nuhi Pajaziti nga Sektori për Planifikim Urbanistik, historiania Olivera Gixhevska dhe profesori Arsim Sinani. 

Grupi i punës ka për detyrë të përpilojë propozim listë të rrugëve dhe ta dorëzojë te këshilli komunal, i cili më pas nëse e miraton, procesi do të vijojë në institucionet përkatëse. 

Në Tetovë edhe pse disa rrugë janë emëruar në gjuhën shqipe, të njëjtat shfrytëzohen vetëm nga Komuna e Tetovës gjatë komunikimit me qytetarët kurse në dokumente zyrtare vazhdojnë të qëndrojnë emrat nga koha e ish Jugosllavisë. 

Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.