Indeksi i korrupsionit, Mickoski: Qeveria do të zbulojë dobësitë që janë konstatuar për të mos i përsëritur
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski ka komentuar Raportin e fundit të Transparency International për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit. Sipas kryeministrit rënia e madhe e vendit është i logjikshëm, shkruan Portalb.mk. Ai raport, thotë Mickoski, është një bazë e mirë për të filluar përmirësimin e pozitës së vendit. “Ai raport është logjik dhe […]
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski ka komentuar Raportin e fundit të Transparency International për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit. Sipas kryeministrit rënia e madhe e vendit është i logjikshëm, shkruan Portalb.mk.
Ai raport, thotë Mickoski, është një bazë e mirë për të filluar përmirësimin e pozitës së vendit.
“Ai raport është logjik dhe është mirë që janë vetëm dy pika, mendova se do të ishte më shumë. Nëse i vëreni të shtatë kriteret, do të shihni se të gjitha kanë të bëjnë me periudhën e qeverisjes së mëparshme, të cilën e analizova në detaje. Kjo është një bazë e mirë për të filluar përmirësimin e pozicionit tonë. Absolutisht do ta ngarkoj ministrin përkatës në seancën e sotme të Qeverisë që të zbulojë dobësitë që janë konstatuar mjaft qartë dhe të sigurohet që kjo të mos përsëritet”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e sotme për media.
Në renditjen e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International për vitin 2024, Maqedonia e Veriut ndan vendin e 88-të me Kazakistanin, Surinamin dhe Vietnamin. Vendi renditet me 40 pikë indeksi, që është tre nën mesataren (43 nga 100 të mundshme). Krahasuar me vitin 2023, ajo shënoi një rënie me dy pikë kur u rendit e 76-ta.
Nga ana tjetër, kryetari i Transparency International-Maqedoni, Bllagoja Pandovski, vlerëson se këto rezultate negative janë pasojë e numrit të madh të skandaleve që ndodhën vitin e kaluar, veçanërisht në fushën e gjyqësorit, Këshillit Gjyqësor dhe Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë.
“Vitin e kaluar kemi pasur edhe një rast të dëshmuar të korrupsionit nga një gjyqtar suprem, shkarkimin e një gjyqtari penal nga Gjykata e Kavadarit, i cili kishte dëgjuar një të pandehur të cilin e kishte gjykuar 97 herë brenda pak ditësh, dhe disa raste të tjera që vetëm gërvishtin sipërfaqen e gjyqësorit ku qytetarët nuk kanë besim. Situata është e ngjashme edhe në prokurori, e cila nuk është e azhurnuar në ndjekjen e korrupsionit të nivelit të lartë dhe nuk i trajton iniciativat e marra nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, dhe vetë ishte objekt i skandaleve me një rast të dëshmuar korrupsioni në të cilin ishte përfshirë një ish-anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë” tha Pandovski.
Kujtojmë se, Raporti i KE-së për progresin në reforma të vendeve kandidate për anëtarësim në BE ka adresuar problemet e Maqedonisë së Veriut në luftën kundër korrupsionit.
“Maqedonia e Veriut ka nevojë për përmirësim në zbatimin e ligjit kundër korrupsionit dhe për Kod Penal të ri që përputhet me standardet ndërkombëtare. Miratimi i Kodit të ri Penal madje ka të përcaktuar afatin e miratimit në Agjendën Reformuese. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) duhet të forcojë kapacitetet e tij dhe të sigurojë që rekomandimet e tij të ndiqen efektivisht. Transparenca dhe përgjegjësia në administratë, si dhe mbikëqyrja e financimit të fushatave zgjedhore janë të dobëta dhe kërkojnë burime të mjaftueshme. Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe reforma të tjera janë të nevojshme për të forcuar luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni mbetet një shqetësim i madh në sektorë si shëndetësia dhe prokurimi publik”, veçohet mes tjerash në Raport.
Se sa është i lartë korrupsioni në Maqedoninë e Veriut tregon edhe përfshirja e ish zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe gjykatësit Enver Bexheti në Listën e Zezë amerikane. Siç potencohet në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan, Artan Grubi bashkë me gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, i cili gjithashtu është në Listën e Zezë.
Eksponentë tjerë nga Maqedonia e Veriut, figura publike nga politika dhe gjyqësori, të përfshirë në Listën e zezë janë: ish prokurorja Katica Janeva dhe kryetari i Karposhit, Stevço Jakimovski, kryetari i Komunës së Strugës, Ramis Merko , ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, biznesmeni Orce Kamçev dhe familja e tij, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të profilit të lartë si dhe kompania “Cytrox“, ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë.
- LEXO: Artan Grubi vendosi të tërhiqet nga jeta publike pasi SHBA-të e futën në Listën e Zezë
- LEXO: Prokuroria ka formuar lëndë për Artan Grubin, Enver Bexhetin dhe të tjerët që janë në Listën e zezë amerikane
- LEXO: Ambasadorja amerikane në RMV: Lista e zezë e SHBA-së është dinamike dhe e hapur për emra të rinj
- LEXO: Ish-zëvendëskryeministri i BDI-së, Artan Grubi dhe gjykatësi Enver Bexheti janë futur në Listën e Zezë të SHBA-ve për korrupsion