Liqeni i Gllazhnjës i rrezikuar nga deponia e egër: Banorët kërkojnë pastrim, autoritetet komunale në gjumë

Në hyrje të Liqenit të Gllazhnjës në Likovë është krijuar deponi e egër ku janë hedhur një sërë mbeturinash të ndryshme, duke dëmtuar mjedisin. Banorët e fshatit shprehin shqetësimin e tyre dhe kërkojnë me urgjencë pastrimin e mbeturinave. Nga ana tjetër, autoritetet komunale nuk i japin prioritet këtij problemi duke e lënë pa zgjidhje kaosin […]

Nëntor 19, 2024 - 12:00
 0  6
Liqeni i Gllazhnjës i rrezikuar nga deponia e egër: Banorët kërkojnë pastrim, autoritetet komunale në gjumë
Mbeturina të mbledhura në hyrje të Liqenit të Gllazhnjës në Likovë. Foto nga Portalb.mk

Në hyrje të Liqenit të Gllazhnjës në Likovë është krijuar deponi e egër ku janë hedhur një sërë mbeturinash të ndryshme, duke dëmtuar mjedisin. Banorët e fshatit shprehin shqetësimin e tyre dhe kërkojnë me urgjencë pastrimin e mbeturinave. Nga ana tjetër, autoritetet komunale nuk i japin prioritet këtij problemi duke e lënë pa zgjidhje kaosin e krijuar. Për këtë kaos ata u “njoftuan” përmes Portalb.mk, ndërsa Inspektorati Komunal premtoi se deponia do të pastrohet ditëve në vijim.

Liqeni i artificial i Gllazhnjës në Likovë prej së cilit furnizohen e ujë të pijshëm Kumanova dhe Likova është i rrethuar me deponi të egër ku aty gjenden lloj-lloj mbetjesh.

Këto pamje shqetësojnë banorët e Likovës të cilët për Portalb.mk u ankuan se autoritetet nuk marrin masa.

Një banor nga fshati Likovë theksoi se uji i Liqenit të Gllazhnjës është i pijshëm, ndërsa sipas tij hedhja e mbeturinave për rreth liqenit nuk është aspak e hijshme.

“Ka 37 vite që jetoj në fshatin Likovë dhe nuk është investuar asgjë në këtë liqen. Gati çdo fundjavë dal për të ecur rreth liqenit, i kam parë vet se si ato mbeturina janë mbledhur dhe janë hedhur nga qytetarë të pa përgjegjshëm. Kjo situatë është e pa pranueshme, sepse ujin e pimë nga ky liqen dhe kjo mund të ndikojë në cilësinë e tij, është mirë që komuna menjëherë t’i largojë atë mbeturina, që mos krijohen deponi”, tha ai.

Mbeturina të egra të hedhura në hyrje të Liqenit të Gllaznjës së Likovës. Foto nga Portalb.mk
Mbeturina të egra të hedhura në hyrje të Liqenit të Gllaznjës së Likovës. Foto nga Portalb.mk

Një banore tjetër e revoltuar tha se duhet menjëherë të pastrohet deponia.

“Mendoj se edhe ne qytetarët duhet të kenë kujdes që mos t’i lejojmë që mbeturinat të mblidhen. Është mirë që rregullisht të pastrohen që mos t’i lejojmë që qytetar pas qytetari të hedhë aty mbeturina. Se te ne është nëse e sheh dikën duke hedhur mbeturina, shkojnë edhe të tjerë hedhin në vend se t’i pastrojnë”, tha ajo.

Fadil Iseni punëtor në ndërmarrjen “Ujësjellësi” nga dega Kumanovë – Likovë theksoi se mbeturinat e hedhura janë krijuar nga vetë banorët e Likovës.

“Mendoj se edhe Komuna e Likovës është e njoftuar për këto mbeturina të mbledhura që ka kohë që qëndrojnë aty. Ky vend është i komunës dhe ata e kanë lënë këtë vend për parkim dhe tash nuk kujdesen, për këto duhet që inspektorati komunal të intervenojë”, tha Iseni.

Mbeturina, deponi të egra në Liqenin e Gllazhnjës në Likovë. Foto nga Portalb.mk
Mbeturina, deponi të egra në Liqenin e Gllazhnjës në Likovë. Foto nga Portalb.mk

Nga Ndërmarrja Publike Komunale “Pisha” Likovë thonë se nuk janë të njoftuar për deponinë e cila është krijuar në hyrje të liqenit të Gllazhnjes.

“Ne i kemi ndërmarrjet e caktuara dhe nuk kemi informata për këtë rast, është hera e parë që dëgjojmë prej juve. Kur kemi kështu raste kur na lajmërojnë, ne i dërgojmë te inspektorati komunal dhe inspektorati komunal merret me këtë çështje. Për këtë rast nuk e dimë, por ne gjithsesi duhet të konsultohemi me inspektoratin, dhe pa na dhënë leje ato, ne nuk mund të dalim”, thanë nga NPK “Pisha”.

Ndërsa nga Inspektorati Komunal i Komunës së Likovës theksuan se mbeturinat janë pastruar njëherë, por qytetarët e pa përgjegjshëm i hedhin përsëri.

“Do të merren masa dhe do të pastrohen mbeturinat nga Ndërmarrja Publike Komunale “Pisha” lejen e kanë, dhe kanë afat kohor (15 ditë nga sot) deri kur do t’i pastrojnë, dhe do t’i largojnë ato mbeturina”, thanë nga Inspektorati Komunal.

Përndryshe, për dallim prej qytetarëve të Kumanovës, banorët e Komunës së Likovës ende nuk kanë ujë të pijshëm nga Liqeni i Gllazhnjes, autoritetet ende nuk kanë arritur t’i zgjidhin problemet teknike me ujësjellësin në Komunën e Likovës.