Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është miratuar si pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, reagime pasi Kurti tha se shqipja nuk është zyrtare në RMV

Pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti se në Maqedoninë e Veriut nuk ka ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, dhe nuk ka pasur as në të kaluarën, kanë ardhur edhe reagimet e para nga partitë politike në vend. Bashkimi Demokratik për Integrim thotë deklaratat e tilla të Kurtit lidhur me statusin e gjuhës […]

Nëntor 19, 2024 - 12:00
 0  6
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është miratuar si pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, reagime pasi Kurti tha se shqipja nuk është zyrtare në RMV
Albin Kurti dhe Hristijan Mickoski në mbledhjen e përbashkët ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Foto: Qeveri e RMV-së

Pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti se në Maqedoninë e Veriut nuk ka ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, dhe nuk ka pasur as në të kaluarën, kanë ardhur edhe reagimet e para nga partitë politike në vend. Bashkimi Demokratik për Integrim thotë deklaratat e tilla të Kurtit lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut janë të pavërteta dhe të papranueshme. “Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, miratuar si pjesë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e njeh qartë dhe garanton përdorimin e gjuhës shqipe si një gjuhë zyrtare dhe si një e drejtë themelore e shqiptarëve”, theksojnë nga BDI, transmeton Portalb.mk.

“Në mënyrë specifike, neni 1, paragrafi 2 i ligjit thekson qartë: “Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj.” Çdo pretendim i kundërt është një shtrembërim i fakteve dhe një mungesë e respektit ndaj arritjeve të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Për të sqaruar çdo keqinterpretim apo shpërndarje të informacionit të pasaktë, kemi shpërndarë përmbajtjen e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve Qeverisë së Kosovës, deputetëve të Kuvendit të Kosovës, partive politike dhe mediave në Kosovë. Ky veprim është bërë për të provuar me fakte se deklaratat e Kryeministrit Kurti nuk qëndrojnë dhe për të garantuar që publiku në Kosovë të jetë i informuar drejt. Është për keqardhje që një Kryeministri i Kosovës jep deklarata që përputhen me narrativat që synojnë të minojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, theksojnë nga BDI.

BDI madje i bën thirrje kryeministrit Kurti “të korrigjojë menjëherë deklaratat e tij dhe të mos shërbejë si mburojë për asnjë përpjekje që cenon barazinë dhe të drejtat e shqiptarëve“.

Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës që është pjesë e Frontit Evropian të BDI-së, ka reaguar përmes liderit të saj, i cili përmes nj statusi në Facebook, i cili shkruan se i është kthyer ndjesia e dikurshme kryefjala e lajmeve që niste me, nacionalizmin, shovenizmin, iredentizmin dhe separatizmin shqiptar.

“Sot mu rikthye kjo ndjesi e keqe e shumë viteve më parë pa asnjë ndryshim në formë dhe paraqitje! Shqip u godit gjuha shqipe dhe përpjekja për barazi të saj me gjuhën maqedonase në Maqedoninë e Veriut. Uroj të jetë një lajthitje momenti…”, shkruan Sela në Facebook.

Nga VLEN-i, thotë se pas mbledhjes historike midis qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në Prishtinë, opozita shqiptare BDI, shfaqen shumë të nervozuar sepse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e shpalosi gënjeshtrën e madhe të BDI-së ndër vite se kinse gjuha shqipe në Maqedoni është zyrtare.“Nëse ju, si opozitë, jeni të kënaqur me ligjin për gjuhët që e keni hartuar vetë, atëherë lum për ju, opozita e 20%.  Ne, shqiptarët, kërkojmë heqjen e 20% dhe status të veçantë për gjuhën shqipe, jo ligj të përgjithshëm për gjuhët. Për 22 vite nuk e keni realizuar këtë, dhe për këtë duhet të ndiheni të turpëruar.  Tani, pretendoni se jeni të shqetësuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por mos harroni se edhe gjyqtarët aktualë janë emëruar gjatë mandatit tuaj dhe me votën tuaj.  Jeni të ligë, të parashikueshëm dhe të lexueshëm në përpjekjet tuaja për të krijuar tensione midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Por, duhet ta dini: nuk do të ketë kriza, as të brendshme dhe as të jashtme.  Përgatituni të përgjigjeni për milionat që keni përvetësuar në emër të patriotizmit!”, ka shkruar Fetai nga VLEN.

Kujtojmë se dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për media pas seancës së përbashkët ndërqeveritare me qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Kosovës, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për mundësinë e rrezikimit të gjuhës shqipe në Maqedoni, diçka e përmendur nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ai tha se në Maqedoninë e Veriut nuk ka ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, dhe nuk ka pasur as në të kaluarën. “Ekziston një ligj për përdorimin e gjuhëve që flasin të paktën 20 përqind e qytetarëve, por nuk është ligj për gjuhën shqipe, por ligj për përdorimin e gjuhëve”.

“Së pari me sa kam kuptuar unë, kjo është një çështje e Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, pasi që tre dispozitat të ligjit për përdorimin e gjuhëve, janë dërguar në Komisionin e Venecias dhe këto tre dispozita paradoksalisht nuk janë zbatuar në të kaluarën. Tash i përket Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut që ta vlerësoi. Por duhet ta sqarojmë një gjë: Nuk ka në Maqedoninë e Veriut ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, dhe nuk ka pasur as në të kaluarën. Ekziston ligji për përdorimin e gjuhëve që e përmend shifrën 20%, por ai nuk është ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, është ligj për përdorimin e gjuhëve. Kjo është e para. Në anën tjetër besoj që të gjithë duhet të presim për një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese i cili nuk bën as përjashtime as diskriminim dhe i cili e respekton shumë gjuhësin që ekziston në RMV ku nuk e flasin e gjithë popullsia të njëjtën gjuhë. Ju e dini që në Kosovë, ndonse shqiptarë janë rreth 93%, 4% i kemi serb, edhe serbishtja është gjuhë zyrtare. Por në Maqedoninë e Veriut nuk mund të thuhet që na paska qenë shqipja gjuhë zyrtare e tash po u rrezikoka”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ndryshe, dje, mbajtën seancë ndërqeveritare Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Në seancën në Prishtinë, dy qeveritë nënshkruan protokolle dhe memorandume bashkëpunimi në tre fusha:  energjetikën, minierat dhe burimet minerale, nënshkrimin e Protokollit ndërmjet Qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës për zbatimin e Marrëveshjes për pikëkalimet kufitare të përbashkëta “Bllacë – Hani i Elezit” dhe “Jazhincë – Glloboqicë” dhe Dokumenti i tretë, që u nënshkrua, është një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës.